E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri Berisha takon Kryetarin e Parlamentit të Egjiptit Ahmed Fathi Sorour

Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Kryetarin e Parlamentit të Egjiptit Ahmed Fathi Sorour.  

Kryetari i Parlamentit, duke falënderuar Kryeministrin Berisha për vizitën, theksoi se dy vendet tona janë vende mike si dhe vlerësoi marrëdhëniet e ndërsjella, sidomos ato kulturore. Bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin vullnet për intensifikimin e marrëdhënieve dypalëshe në të ardhmen. Kryeministri Berisha u shpreh se dy vendet kanë një bazë të mirë ligjore për zgjerimin e bashkëpunimit dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për forcimin e këtyre marrëdhënieve.

Zoti Ahmed Fathi Sorour shprehur falënderimet në emër të parlamentit egjiptian për bashkëpunimin në luftën kundër terrorizmit. Ne jemi shumë të kënaqur që ju i keni deklaruar luftë terrorizmit, u shpreh ai. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi gjithashtu traditën e krijuar mes dy vendeve në luftën kundër terrorizmit.

Duke theksuar se në këtë vizitë shoqërohej nga një delegacion i madh biznesmenësh, Kryeministri u shpreh se Shqipëria është një vend i vogël, por është në Europë dhe kjo pozitë gjeografike është shumë e favorshme për biznesmenët egjiptianë. Në këtë kontekst, Kryeministri shprehu falënderimet për ndihmën e madhe që ka dhënë edhe Dhoma e Tregtisë së Egjiptit, e cila ka ofruar 1600 bursa trajnimi për shqiptarët.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryeministri Berisha u shpreh se është momenti themelor për zgjidhjen e statusit. Ai shprehu edhe një herë mbështetjen e plotë të Shqipërisë për planin Ahtisaari, që garanton standardet më të larta për minoritetet në Kosovë. Kryeministri tha se Rusia po bllokon procesin dhe ky bllokim nuk sjell paqe dhe stabilitet në rajon dhe se e vetmja zgjidhje që do të sillte paqe e stabilitet është pavarësia e Kosovës. Ne kërkojmë, tha Kryeministri, që, nëse SHBA-të dhe vendet e mëdha të BE-së njohin pavarësinë e Kosovës pas 10 dhjetorit, Egjipti dhe Konferenca Islamike ta njohin Kosovën si shtet të pavarur. Shqiptarët, vijoi Kryeministri, janë ndarë nga historia  padrejtësisht në 5 shtete dhe në asnjërën prej tyre nuk kanë qenë në minorancë. Kosova nuk ka qenë kurrë e Serbisë, ajo ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane dhe pjesë konstitutive e Federatës Jugosllave me të drejta të plota në rotacionin politik të Federatës. Serbët e kanë trajtuar Kosovën si koloni dhe në shekullin e fundit ata ushtruan gjenocid, duke e detyruar NATO-n të ndërhyjë ushtarakisht. Interesi ynë i vetëm, u shpreh Kryeministri, është paqja.

Kryetari i parlamentit të Egjiptit u shpreh se jemi gjithmonë për parimin e lirisë dhe si parlament mbështesim të drejtën e vetëvendosjes.

Zoti Ahmed Fathi Sorour ftoi Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë të vizitojë Egjiptin.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›