Konferenca javore për shtyp e zëdhënëses së Këshillit të Ministrave, njëkohësisht Ministre e Integrimit, znj. Majlinda Bregu
Zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, njëkohësisht ministre e Integrimit, znj.Majlinda Bregu në takimin javor me mediat tha se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të merituar ftesën për antarësim në NATO në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Në këtë takim zonja Bregu foli dhe për luftën e qeverisë kundër informalitetit.
Anëtarësimi në NATO
Qeveria do të nxisë një paketë të re masash promovuese në mbështetje të Planit të Veprimit për Antarësimin e vendit në NATO. Kjo paketë synon përshpejtimin e këtij procesi dhe paraqitjen dinjitoze të arrritjeve të Shqipërisë në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008.
Qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për të merituar ftesën për antarësim në NATO.
Kryeminsitri Sali Berisha do të zhvillojë javën e ardhshme një vizitë shumë të rëndësishme në Bruksel, ku do të raportojë për ecurinë e reformave që kushtëzojnë antarësimin e vendit në aleancën veri-atlantike.
Diplomacia shqiptare do të bëjë gjithashtu çdo përpjekje për të paraqitur para vendeve anëtare të NATO-s, tablonë reale të arritjeve të reformave.
Ndërsa në Tiranë një delegacion i qeverisë italiane, i kryesuar nga Ministri i Mbrojtjes Arturo Parisi, konfirmoi mbështetjen e plotë për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Lufta kundër informalitetit
Për të forcuar luftën kundër informalitetit, Qeveria po përgatit një vendim shumë të rëndësishëm për qarkullimin e parave CASH në Banka.
Qeveria gjykon se fenomeni i shkëmbimit të parave në rrugë është i paligjshëm dhe dëmton rëndë imazhin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik.
-Në Shqipëri është vendosur një sistem bankar nga më të zhvilluarit në rajon. Në Tiranë dhe në qendrat kryesore të vendit veprojnë 17 banka tregtare nga më të njohurat në Europë si; Raiffeisen Bank, San Paolo, IFI Group etj.
Në raportet e Bankës së Shqipërisë deklarohen 58 zyra të shkëmbimit valutor. Vetëm në Tiranë operojnë 36 zyra të tilla.
Transaksionet për zyrat e këmbimit valutor vetëm në tre muajt e parë të këtij viti llogariten në 104.9 milionë dollarë. Ndërsa vëllimi mesatar ditor i këtyre transaksioneve llogaritet në 1.6 milionë dollarë.
Ndërsa transaksionet për bankat e nivelit të dytë dhe zyrat e këmbimit valutor në 4 muajt e parë të vitit raportohen në rreth 1.46 miliardë dollarë. Vëllimi ditor i këtyre transaksioneve llogaritet në 15 milionë dollarë.
Megjithë këtë sistem bankar, në raportet e organizatave prestigjioze Shqipëria kritikohet për shkallën e lartë të informalitetit, i cili po mban peng proçeset integruese. Ndërkohë që standardi evropian janë bankat. Për të promovuar Shqipërinë formale duhet të instalohen standartet më të cilat punojnë të gjitha vendet evropiane.
Për të parandaluar këto fenomene informaliteti ekspertët e Ministrisë së Financave në bashkëpunim me kolegët e tyre në Ministrinë e Brendshme po hartojnë vendimin për të mos lejuar këmbimin valutor në rrugë.
Ministritë përkatëse në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë do të krijojnë lehtësira për kambistët duke i'u ofruar atyre mundësinë e pajisjes me liçencë për hapjen e zyrave të këmbimit valutor.
Vetë ata duhet të ndërgjegjësohen se s'mund të bëjnë në rrugë këmbimin e monedhës.
Tatimi mbi pagën
Ekspertët e Ministrisë së Financave po përgatisin draftin që ka për qëllim të ndihmojë biznesin dhe të krijojë një mbështetje të veçantë për punonjësit me rroga të ulëta. Tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë të vjetra. Pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk do të tatohen. Në këtë mënyrë përgjysmohet barra fiskale mbi ta dhe kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rrogat deri në 30 mijë lekë të reja.
Rezultatet e këtij revolucioni fiskal dhe të përpjekjes sonë për të thjeshtuar barrën burokratike mbi biznesin kanë sjellë frytet e para shumë pozitive, rritja e eksporteve, kreditit bankar, rritjen e madhe të investimeve të huaja, të cilat për vitin 2006 kanë qenë në rreth 125 dollarë për frymë. Ndërsa në vitin 2004 investimet llogariteshin në vetëm 28 dollarë për frymë.
Këto investime janë konkretizuar në projekte të mëdha që kapin disa miliardë euro, si projekti i Semanit, i Devollit, TEC-i i Fierit, si dhe shumë projekte të tjera.
Sipas ekspertëve më të mirë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera, Shqipëria është realisht në prag shkëputjeje të madhe.
Pyetje: Nikolas Burns në Samitin e Zagrebit tha se Kroacia do ta marrë ftesën për antarësim në NATO, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia duhet të bëjnë ende përpjekje për të marë atë ftesë.
Zonja Bregu: Ftesa, nëse do të vijë apo jo, do të vendoset në Samitin e Bukureshtit në vitin 2008. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet për ta marrë atë ftesë.