Ndalohen 4 shpërndarës droge, ishin për furnizim në Lazarat
Policia e Gjirokastrës i arrestoi në dhomat e hoteleve ku rrinin, ndërsa sekuestroi edhe një sasi prej 5.5 kilogramësh marijuanë, që ishte destinuar për t’u shpërndarë në Elbasan
Katër të rinj nga Elbasani dhe Vlora kanë përfunduar në qelitë e Gjirokastrës, ku duket se kishin shkuar për të marrë një furnizim me hashash, të cilin do ta shisnin sipas policisë, në shkolla dhe lokalet e Elbasanit. Udhëtimi ka përfunduar kur të katër personat kanë rënë në prangat e policisë, ndërsa në dhomat e hoteleve ku ata qëndronin u sekuestruan 5.5 kilogramë marijuanë.
Krahas sekuestrimit të ngarkesave të konsiderueshme me lëndë narkotike gjatë ditëve të fundit dhe ndalimit të personave të dyshuar si transportues të tyre, strukturat e Policisë së Shtetit në Gjirokastër vijojnë ndalimin e personave që shpërndajnë drogë në sasi të vogla. Këtë fundjavë policia ka ndaluar katër persona, pjesë e një grupi që shpërndante drogë në doza të vogla. Madje, njëri prej tyre kërkohej edhe për vjedhje automjetesh. Sipas burimeve zyrtare në Drejtorinë e Policisë në Gjirokastër, aksioni antidrogë i koduar “Shpërndarësit” është zhvilluar nga specialistët antikrim në Komisariatin e Policisë në Gjirokastër, në bashkëpunim me kolegët e tyre të antidrogës. “Ne dispononim informacione të marra në rrugë operative se katër shpërndarës droge, 3 nga Cërriku dhe 1 nga Vlora. ditët e fundit ishin akomoduar në qytetin e Gjirokastrës”, - thonë specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër.
“Ata ishin akomoduar me qira në banesa të përshtatura si hotele, kishin blerë në fshatin Lazarat sasira të konsiderueshme lënde narkotike dhe po përgatiteshin për ta transportuar në drejtim të Cërrikut dhe Elbasanit, me qëllim shpërndarjen në sasi të vogla në ambiente shkollash dhe lokalesh nate”, - thonë burimet policore.
“Specialistët e Seksionit për Parandalimin dhe Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, të mbështetur edhe nga patrullat e përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, kanë ushtruar kontrolle në disa banesa të përshtatura si hotele për ndalimin e katër personave të dyshuar si shpërndarës droge”. - njoftoi policia. Gjatë kontrollit të ushtruar në lagjen ‘Grihot’ të Gjirokastrës, në një godinë dykatëshe e përshtatur si hotel, në një dhomë ku banonin me qira 18-vjeçari Benard Çunaj, lindur dhe banues në Vlorë, Vladimir Rabushaja 18 vjeç, lindur dhe banues në Cërrik, dhe bashkëqytetari i tij, Sajmir Metani 19 vjeç, policia zbuloi dy pako me peshë të ndryshme në formë katrore, të mbështjella me letër natriban, si dhe një qese tjetër plastmasi, ku brenda tyre kishte në total 4 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Në vijim të operacionit antidrogë, policia ka zhvilluar një tjetër kontroll në lagjen “Kodra e Shtufit” të qytetit të Gjirokastrës. Gjatë kontrollit në një banesë private të përshtatur si hotel, në dhomën ku qëndronte me qira 23 vjeçari Klodian Sinandemaj, lindur dhe banues në Cërrik, Elbasan, i njohur edhe me nofkën “Pulla”, në një çantë sportive poshtë krevatit ku ai flinte, efektivat blu zbuluan disa qese plastmasi, brenda të cilave ishte 1 kilogram e 300 gramë lëndë narkotike e llojit marijuanë.
Pas sekuestrimit në total të 5.5 kg marijuanë, policia ka bërë ndalimin e të katër personave, pasi dyshohet se kanë konsumuar veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së narkotikëve”. Gjithashtu, K. Sinandemaj ishte person i shpallur në kërkim nga policia e Elbasanit për vjedhje automjetesh. Bledar Shehu