Konferencë e Kryeministrit Berisha në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut
Sot është Dita e të Drejtave të Njeriut, është 60-vjetori i Deklaratës Universale të Organizatës së Kombeve të Bashkuara miratuar në Paris më 10 dhjetor 1948. Sot Shqipëria, Ballkani dhe Europa e kremtojnë këtë ditë më të lirë se kurrë në historinë e tyre. Një seri diktaturash të urryera janë fshirë nga faqja e dheut. Sllobodan Millosheviçi u përball me drejtësinë ndërkombëtare, të tjerë kriminelë lufte po përballen në tërësi me drejtësinë. Ky është një bilanc thellësisht pozitiv. Ne shqiptarët duhet ta nderojmë dhe kremtojmë këtë ditë më shumë se çdo komb tjetër në Europë dhe në botë, sepse asnjë komb tjetër i këtij kontinenti nuk ka vuajtur për liri, dinjitet dhe të drejta njerëzore siç kemi vuajtur ne për gjysëm shekulli.
Disa vende të Europës gjatë këtyre dekadave kanë përjetuar diktatura komuniste, junta ushtarake fashiste, por regjimi i Enver Hoxhës 45 vjet si asnjë regjim tjetër privoi totalisht qytetatërt e këtij vendi nga të drejtat dhe liritë themelore, i ndaloi ato me Kushtetutë, i privoi ata nga fjala e lirë, lëvizja e lirë, besimin tek Zoti, i privoi nga prona e tyre, ekzekutoi pa gjyqe apo me farsa gjyqësore politike dhjetëra mijëra qytetarët të pafajshëm vetëm e vetëm për fjalën e lirëm, besimin e tyre tek Zoti, vokacionin e tyre perëndimor. Burgosi e internoi qindra mijëra të tjerë, kurse shumicën tjetër të popullatës e shndërroi në skllevër të vërtetë të shtetit totalitar.
Prandaj sot po të kemi parasysh se ku ishim ne 18 apo 20 vite më parë kemi të drejtë të krenohemi me arritjet e mëdha në këtë fushë. Shqipëria është sot vendi i pluralizmit politik demokratik, i lirisë së shprehjes, lirisë së besimit, lëvizjes së lirë, iniciativës së lirë dhe pronës private. Liritë e qytetarëve në Shqipëri janë të garantuara me Kushtetutë dhe ligj. Institucionet e vendit bëjnë përpjekje serioze për zbatimin e ligjeve dhe garantimin e këtyre lirive, por kjo ditë fton shqiptarët ndoshta më shumë se të gjithë kombet e tjera të jenë tejet të vëmendshëm, të ndjeshëm dhe të përkushtuar ndaj lirive dhe të drejtave të individit. Progresi është i pamohueshëm, por problemet që ekzistojnë janë të pamohueshme dhe të papranueshme. Përsëri ka qytetarë shqiptarë që përfaqëuesit e shtetit i keqtrajtojnë, në paraburgime apo burgje madje edhe i torturojnë. Përsëri standardet në institucionet tona të vuajtjes së dënimit nuk janë ato që duhet të jenë. Përsëri ka jo pak qytetarë që vuajnë dhe nuk arrijnë të gëzojnë pronën e tyre që u takon. Përsëri ka qytetarë shqiptarë që nuk kanë trajtimin e tyre të barabartë siç ua garanton ligji. Vuajnë pasojat e një diskriminimi të gjatë. Përsëri ka zyrtarë me imunitet që rrahin shtazërisht në publik gazetarët dhe mbrohen nga organi i akuzës e nuk përballen me ligjin.
Ka pronarë mediash dhe politikanë që dhunojnë lirinë e shprehjes së gazetarëve, ka qytetarë shqiptarë që duhet të paguajnë lekë për shërbimin shëndetësor që u takon falas, që duhet të pagujanë lekë për të marrë vendimin ligjor që u takon. Ndaj dhe ne duhet ta nderojmë këtë ditë me një vetëdije të thellë se arritjet janë të mëdha, por problemet sërish ekzistojnë dhe duhet që çështja e lirive dhe të drejtave të Njeriut të jetë çështja më e parë e të gjithë zyrtarëve dhe institucioneve të këtij vendi.
Unë dua të garantoj qytetarët shqiptarë se nuk kënaqem kurrë me standardet ekzistuese dhe se do të bëj çdo përpjekje që nëpërmjet reformave të thella dhe të shpejta të shënojmë arritje edhe më të mëdha, të shmangim të parandalojmë abuzimin me liritë dhe të drejtat e tyre, t`i garantojmë ato.
Pyetje: Ju zoti Kryeministër thatë se prrogresi i deritanishëm është i faktuar edhe nga raportet ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, por cilat janë objektivat që do të fokusohet fillimisht qeveria si përparësia më madhore?
Kryeministri Berisha: Përparësia madhore e qeverisë janë së pari institucionet e vuajtjes së dënimit. Ne do të bëjmë çdo gjë për të ndryshuar me shpejtësi standardet ekzistuese. Do të bëjmë çdo përpjekje që të ndëshkohet në mënyrë të merituar ai që guxon të përdorë dhunën në këto institucione. Ne jemi një vend i lirë dhe ligjet e këtij vendi janë të qarta dhe të përcaktuara dhe kjo është një fushë sensistive. Është një situatë me të cilën unë nuk pajtohem, por ashtu siç e gjeta e vështirë që në mënyrë të rrufeshme të ndryshojë. Kemi rritur investimet mbi 48 % dhe po ndërtojmë institucione të tjera për kushte më normale të adaptojmë format alternative të vuajtjes, po përpiqemi dhe kemi ndryshuar në mënyrë thelbësore racionin ushqimor. Pra e kemi trajtuar dhe e trajtojmë këtë çështje me përparësi. Sigurisht dua të them se nuk është vetëm kjo fushë ku liritë dhe të drejtat e Njeriut kanë probleme. Probleme serioze ka në kthimin e pronave. E drejta e pronës është një e drejtë themelore dhe ka njerëz që vuajnë tmerrësisht padrejtësinë, që vuajnë mungesën e vlerës së pronës dhe këto do të bëjmë çdo përpjekje nëpërmjet reformave dhe po bëjmë shumë që malin e fallsifikimit që trashëguam ta shkrijmë dhe të krijojmë një procedurë më të zhdërvjellët për t`iu përgjigjur qytetarëve.
Do bëjmë çdo përpjekje që të luftojmë korrupsionin në shëndetësi. Nuk ka formë më të shëmtuar se t`i kërkosh atij që numëron kafshatën, milionin për ta kuruar ose operuar, një shërbim që Kushtetuta dhe vendi ia garanton falas. Ne kemi filluar reformën në shëndetësi dhe ju garantoj se do të jetë një reformë e suksesshme. Është e vështirë por ne do ecim në këtë reformë. Korrupsioni është një gangrenë e të drejtave. Do ta luftojmë atë me forcën më të madhe. Sistemi i drejtësisë do të bëjë reforma të mëtejshme. Nuk mundet kurrë të lësh tjetrin në burg pa vendim gjykate 70 ditë, siç ka ndodhur në Shkodër apo edhe në qytete të tjera të bëra evidente nga Ministri i Drejtësisë apo Avokati i Popullit. Sikundër do të rritet roli i Avokatit të Popullit. Ky institucion do të ketë të gjithë mekanizmin për monitorimin e shoqërisë shqiptare në të gjitha skutat aty ku mund të cënohet e drejta e qytetarëve, të gjitha format e komunikimit me avokatët me ata që vuajnë dënimin etj. Ne jemi popull që kemi vuajtur dhe për këtë duhet të kemi përkushtimin më të madh ndaj lirive dhe të drejtave dhe absolutisht është levë Arkimedi për të ecur përpara për t`u bërë më e lirë si shoqëri më dinjitoze kështu që qeveria ka një seri përparësish dhe mos mendoni ju se unë pavarësisht se qeveria i respekton në përgjithësi liritë dhe të drejtat, ajo do të punojë shumë që këtë shoqëri ta bëjë edhe më të lirë.
Pyetje: Zoti Berisha ju përmendët pak më parë se Enver Hoxha në 45 vjet ekzekutoi pa gjyqe me dhjetra mijëra njerëz kundërshtarë të regjimit ndërkohë që në ditët e sotme ka vendime të padrejta të gjykatave ndaj qytetarëve dhe hetime nga prokuroria që janë në shkelje të të drejtave të njeriut. Sa e fuqishme është qeveria që të ndërhyjë në reformën në sistemin e drejtësisë në mënyrë që të barazpeshojë peshoren e drejtësisë?
Kryeministri Berisha: Në çdo vend të lirë në qoftë se do t`i listonim pushtetet, në raport me liritë dhe të drejtat e njeriut më themelori është pushteti i drejtësisë, më themelor se ekzekutivi dhe se të gjithë pushtetet e tjera. Mendoj se drejtësia ka bërë një progres të pamohueshëm në tërësinë e vet, por nga ana tjetër gjykoj se problem kryesor për pavarësinë e këtyre institucioneve dhe pikërisht për hir të lirive dhe të drejtave të Njeriut më shumë se çdo gjë tjetër ato duhet të jenë të pavarura. Pikërisht për këtë sepse nga kush duhet t`i mbrojnë qytetarët? Ata duhet t`i mbrojnë qytetarët dhe liritë e tyre nga gjithë pjesët e tjera të shtetit. Ky është një nga motivet më kryesore të pavarësisë së tyre. Natyrisht reformat e vazhueshme reformim i i këtyre institucioneve është dhe mbetet përparësi madhore e kësaj mazhorance. Rrugë tjetër përveç reformave nuk ka për konsolidimin e pavarësisë së këtyre institucioneve.
Pyetje: Një e drejtë themelore kushtetuese është e drejta e votës. Shtyrja e miratimit të Kodit Zgjedhor a do ta cënojë të drejtën e votës së shqiptarëve në qershor?
Kryeministri Berisha: Ekziston përkushtimi im i plotë dhe total për votën e lirë. Kodi do të votohet, sepse me atë grevë urie nuk kemi patur asnjë lidhje. Për mua nëse komisioneri ishte i Gjinushit, i Ilir Metës apo i zotit Milo apo i tjetërkujt kjo nuk kishte ndonjë dallim të madh, përkundrazi mbajta përbaltjen e grevës së urisë. Pavarësisht nga konsiderata apo vendimi që nuk isha dakord me ta, ata ishin deputetë në grevë urie, dhe nuk lëndohej krahu i shkakut, por lëndohej qeveria. Tani uroj që të ketë një dialog dhe të bëhet zgjidhja më e mirë. Nuk është e vërtetë që nëse jepet koha e nevojshme për dialog do të dëmtohet procesi, përkundrazi procesi merr edhe garanci shtesë për këtë diskutim. Unë jam neutral në këtë mes. Uroj që ata të gjejnë një mirëkuptim dhe kaq dhe nuk kam ndonjë gjë tjetër. Ata pavarësisht se fillojnë duke më cituar mua që në fillim ata e dinë që me mua s`kanë asgjë,por ua do puna që të simetrizojnë betejën le ta bëjnë. Uroj që të gjejnë një zgjidhje dhe kaq.Unë nuk përzihem.
Pyetje: Zoti Kryeministër Vangjel Dule deklaroi sot se nuk respektohen siç duhet të drejtat e minoritetit grek në Shqipëri dhe ka përcaktuar si pikë kryesore të përsëritur prej tij regjistrimin e popullsisë kryesisht në jug. Nga ana tjetër a jeni në dijeni të një presioni për të cilëin po flet media të minoeritetit grek ndaj Athinës zyrtare për të mos ratifikuar MSA-në?
Kryeministri Berisha: Edhe njëherë dua të them këtu se problemi i të drejtave të njeriut është një proces në përmirësim të vazhdueshëm. Minoriteti grek sipas statistikave reale pas qytetarëve të Shkodrës ka qenë komuniteti i shtypur në mënyrën më të egër nga diktatura. Shkodra dhe minoriteti kanë patur mijëvjeçarët e burgjeve në kurriz ekzekutimet dhe terrorin. E ka patur e gjithë Shqipëria, por këto të dyja kanë qenë fokuset. Gjithashtu dhe kosovarët që jetonin në Shqipëri kanë përjetuar të njëjtin terror. Edhe ata njëlloj siç u vunë nazistët yllin çifutëve edhe ata mjafton të ishin kosovarë dhe futeshin në kllapa si armiq potencialë. Të drejtat e minoritetit kanë përbërë një përkujdesje një përmirësim madhor dhe ka shumë vendime, të cilat nuk janë marrë nga vende të tjera të rajonit siç janë marrë nga Shqipëria në favor të minoriteteve. A ka vend për t`i përmirësuar ato? Absolutisht po. Do të përpiqemi në shumë mënyra që ne t`i përmirësojmë ato. Kurse lidhur me ekstremistë unë jam i bindur se qeveria greke ka një dialog konstant me qeverinë shqiptare dhe qeveria greke nuk ndikohet nga klithma ekstremiste ngado që t`i shkojnë ato. Është një qeveri demokratike, një qeveri që punon dhe ka faktuar se punon për marrëdhënie miqësore dhe normale me Shqipërinë dhe vende të tjera të rajonit.
10/12/2008