E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministri i shtetit të Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah

Pas takimit mes tyre dhe ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve mes dy vendeve, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri i shtetit të Kuvajtit, Sheik Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah dhanë një konferencë të përbashkët për shtypin.

Kryeministri Berisha: Lartësia juaj, Kryeministri i Kuvajtit, shkëlqesi ministra,

është nder dhe kënaqësi e madhe për mua të pres sot këtu, Lartësinë e tij, Kryeministrin e shtetit të Kuvajtit në vizitën e parë të këtij niveli në Shqipëri. Dua t’ju shpreh një mirëseardhje të përzemërt dhe t’ju siguroj se jeni në një vend mik që ka shumë mirënjohje dhe respekt për vendin tuaj.

Shqipëria dhe Kuvajti janë dy vende mike që japin kontributin dhe ndihmesën e tyre në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe dëshirojnë që ndjenjat miqësore midis dy vendeve dhe kombeve të konsolidohen dhe zhvillohen gjithnjë e më shumë.

Lartësia juaj, Kryeministri i Kuvajtit, ne asistuam në një moment shumë të rëndësishëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona, nënshkrimin e 6 marrëveshjeve, për të cilat administratat tona kanë punuar me përkushtim dhe që përbëjnë një bazë të fuqishme ligjore në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis të dy vendeve në të gjitha fushat.

Ne i jemi mirënjohës vendit tuaj për të gjithë mbështetjen e fuqishme që na ka dhënë që nga fillimi i viteve ’90 e deri më sot. Vendi juaj mik ka qenë një nga vendet e para që kam vizituar në Azi. Ruaj kujtimin më të mirë nga i ndjeri, Emiri Al Sabah, i cili me bujarinë e tij dhe ndjenjat miqësore ndihmoi shumë për kapërcimin e vështirësive të asaj periudhe. Që nga ajo kohë e në vazhdim, Fondi i Kuvajtit është një donator jashtëzakonisht i rëndësishëm me një seri projektesh që mbulojnë pothuaj të gjitha fushat, infrastrukturën, bujqësinë, arsimin, shëndetësinë dhe fusha të tjera.

Njësitë tona kanë gjetur mbështetje të fuqishme në vendin tuaj në përmbushje të misioneve të tyre në Irak.

Lartësia juaj, ne kemi mbështetur çështjen e drejtë të kombit dhe shtetit tuaj. Kam qenë dëshmitar i plagëve që lufta dhe agresioni iraken i krijoi vendit tuaj, por edhe i shpejtësisë me të cilat kombi juaj i shëroi ato. Ne kemi mbështetur plotësisht ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak, sepse, në bindjen tonë, bota pa Sadam Husein është shumë më e lirë dhe e sigurt dhe kështu është edhe pa Sllobodan Millosheviç. Ndaj kemi bërë vetëm detyrën.

Kam shumë kënaqësi që investitori kryesor në vendin tim është Al Karaf, investitor i ndershëm dhe i respektuar që përfshin në investimet e tij të gjitha fushat. Uroj dhe dëshiroj që grupi i investitorëve të përfitojnë nga kjo vizitë dhe të vendosin për zbatimin e projekteve të tjera në të gjitha fushat, në Shqipëri. Dua t’i siguroj ata se kanë mbrojtje të plotë kushtetuese dhe ligjore për investimet e tyre dhe se Shqipëria në tërësi është një “win win story” për investitorët. Shqipëria ka një legjislacion shumë të mirë dhe ajo që është më e rëndësishme më 1 janar ne do të jemi vendi me barrën fiskale më të ulët në Europë. Gjeografikisht, ne jemi shumë mirë të vendosur, jemi porta e it drejt Europës. Prodhimet në Shqipëri janë “made in Europe”, ka një treg të madh, një zonë e tregtisë së lirë shtrihet nga Kroacia në Moldavi dhe ne, gjithnjë e më shumë, po afrohemi me BE-në.

Shqipëria përballet sot me probleme kryesore si balancimi i prodhimit të energjisë dhe ripërtëritja e infrastrukturës. Çdo kontribut dhe ndihmë e juaja në këtë drejtim do të jetë shumë e mirëpritur.

Edhe një herë ju uroj një mirëseardhje shumë të ngrohtë, Lartësia juaj, Kryeministër.

Kryeministri i Kuvajtit, Sheik Naser AL Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah: Faleminderit zoti Kryeministër i Shqipërisë.
Më lejoni t’ju falënderoj për pritjen e ngrohtë që ne kemi pasur që kur kemi mbërritur në Tiranë.  Të kujtojmë edhe një herë vizitën që ju i bëtë Emirit të Kuvajtit, në vitin 1992 kur ju ishit President dhe për bisedimet shumë të frytshme që ju keni pasur me të.

Shqipëria nuk është shumë lag me ne, vetëm 4 orë e 10 minuta. Ne nuk duhet të mendojmë që jemi në distancë në largët mes njëri-tjetrit, që ne jemi në Azi dhe ju në Europë. Ndjenjat që popujt tanë kanë për njëri tjetrin na mbajnë ne së bashku. Dua të përmend edhe një herë atë ju thatë zoti Kryeministër, që qëndrimi i Shqipërisë ndaj Kuvajtit ka hyrë në historinë e Kuvajtit. Dua të përsëris edhe një herë se pavarësisht nga presioni që ju keni pasur në atë kohë, ju këmbëngulët dhe qëndruat në anën e Kuvajtit. Infrastruktura jonë nuk është ripërtërirë 100 për qind, por është në 87 për qind, ajo që ju keni parë në vitin ’92. Prandaj do të duhet kohë që të rinovohet e gjithë infrastruktura në vendin tim.

Marrëdhëniet midis dy vendeve tona nuk janë vetëm diplomatike. Ne kemi marrëdhënie në të gjitha fushat si në investime, kulturë, financë etj.. Ne kemi mbështetur gjithashtu edhe Forcat tuaja të Armatosura. Delegacioni im përbëhet nga pjesëtarë të qeverisë, gjithashtu edhe nga Dhoma e Tregtisë, të kryesuar nga Zëvendëssekretari i Dhomës së Tregtisë, çka do të thotë që sektori privat në Kuvajt dëshiron shumë të jetë i pranishëm në Shqipëri. Ne e dimë që në Shqipëri janë të pranishëm një ose dy sektorë, por ne dëshirojmë që këtu të jenë të pranishëm të gjithë sektorët e tjerë për të bërë investime të ndryshme dhe jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë Shqipërinë. Në qytetet e mëdha mund të ndërtojnë më shumë, por në zona të tjera mund të zhvillojmë më shumë turizmin. Në lidhje me zonat malore, do të na falni, pasi ne nuk jemi shumë të mësuar me zonat malore, por mendoj se sektori ynë privat do të shkojë edhe në zonat malore. Kur garancitë kushtetuese për investimet e huaja janë, do të shikoni se investitorët kuvajtianë do të jenë në Shqipëri.

Nesër përfaqësues të fushës së tregtisë, financave, Dhomës së Tregtisë dhe të Fondit të Kuvajtit do të takohen me homologët shqiptarë dhe jam i sigurt se do të jenë takime të frytshme.

Ne jemi shumë të kënaqur që ndodhemi sot në Shqipëri, sepse ju jeni një komb i madh. Ne e njohim luftën dhe sakrificat tuaja, por të lëmë të kaluarën mbrapa dhe të shohim drejt së ardhmes.

Gjithashtu ju përmendët luftën kundër terrorizmit dhe ne jemi në kontakt me autoritetin përkatës në Tiranë dhe jam i gëzuar për kontaktet e ngushta që kemi në këtë drejtim.

Më lejoni edhe një herë zoti Kryeministër t’ju uroj ju dhe popullit shqiptar begati dhe t’i shohim vendet tona të begatojnë gjithmonë.

Faleminderit për mikpritjen.

Pyetje: Zoti Kryeministër i Kuvajtit, lidhur me një çështje të mprehtë ndërkombëtare, përcaktimin e statusit final të Kosovës. Cili  do të jetë roli juaj për zgjidhjen e kësaj  çështjeje në Konferencën Islamike së pari dhe më pas, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara?

Kryeministri i Kuvajtit: Ne kemi diskutuar për këtë çështje, e cila është ende duke u diskutuar në Këshillin e Sigurimit. Shpresojmë që të kalojë në Asamblenë e Përgjithshme dhe vota jonë do të jetë gjithmonë pro, do të jetë pozitive.

Pyetje: Zoti Berisha, si e shihni ju Kosovën e pas 10 dhjetorit, kohë kur përfundoi edhe periudha 120 ditore e bisedimeve shtesë mes Prishtinës dhe Beogradit? 

Kryeministri Berisha: 10 dhjetori është data e skadimit të mandatit të Trojkës, e cila, pas negociatave disamujore, përfundoi pa rezultate. Por mendoj se ka zhvillime realisht shumë të rëndësishme pozitive. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, siç u shpreh qartë Presidenti Bush gjatë vizitës së tij në Tiranë në 12 qershor, mbështesin tërësisht dhe plotësisht pavarësinë, si zgjidhja e vetme që jep paqe dhe stabilitet në rajon.

Zhvillim tjetër shumë pozitiv është fakti se vendet e Bashkimit Europian janë të bashkuara në qëndrimin e tyre, në mbështetje të projektit të Presidenti Ahtisaari, si projekti më i mirë për zgjidhje. Kjo ishte një provë shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por për mbarë Europën, për të gjithë ne në rajon, shqiptarë dhe jo shqiptarë. Unë shoh që në mënyrë të shpejtë do të ketë finalizim të statusit. Nuk kërkohet më blerje kohe, por kërkohet të procedohet sipas një procedure që është e domosdoshme të ndiqet. Ka qenë e parashikuar që Kombet e Bashkuara do të zëvendësohen me Bashkimin Europian. Por kjo nuk mund të ndodhë në një natë. Ky proces duhet të kompletohet. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian do ta njohin atë. Shqipëria do të bëjë të gjithë përpjekjet për të asistuar Kosovën në rrugën dhe konsolidimin e pavarësisë.

Pyetje: Sot fillojnë bisedimet në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës. Në qoftë se Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk del me një vendim të plotë për statusin e Kosovës dhe Kosova shpall një pavarësi të njëanshme, çfarë pozite do të ketë Shqipëria ndaj kësaj shpalljeje të njëanshme?

Kryeministri Berisha: Mendoj se nuk mund të flitet më për njëanësi, sepse Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë rënë dakord për një qëndrim të përbashkët për statusin final të Kosovës, si pavarësi e mbikëqyrur. Ndaj dhe deklarimi i pavarësisë do të vijë në  bashkërendim me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Europian. Për sa i përket Shqipërisë, dua të theksoi se ajo e ka njohur, e njeh dhe do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Nuk ka pasur ndonjëherë lëkundje në qëndrimin e Shqipërisë.

Pyetje: Zoti Kryeministër i Kuvajtit, cili është projekti dhe investimi më i madh dhe më i prekshëm që ne do të mund të shohim në Shqipëri, krahas atyre që ne tashmë kemi?

Kryeministri i Kuvajtit: Kemi dy lloj  investimesh, të qeverisë së Kuvajtit dhe të sektorit privat. Që nga shekulli i kaluar, të dy këta sektorë ndodhen në Shqipëri, pra, si nga qeveria, ashtu edhe nga sektori privat. Unë ju siguroj për gjithnjë e më tepër investime nga të dy sektorët.

Pyetje: Zoti Berisha, në këndvështrimin tuaj, cili është vlerësimi për  përpjekjen e parë të bërë nga politika dhe teknicienët  për reformën në drejtësi?

Kryeministri Berisha:  Kam vlerësim shumë pozitiv për takimin e sotëm, takim në të cilin, një institucion që ‘de jure’ dhe ‘de facto’ është qeveria e gjyqësorit, Këshilli i Lartë i Drejtësisë, bën përpjekje për të marrë rolin e tij më të mirë. Në takimin e sotëm ishin të pranishëm të gjithë faktorët, qeveria, opozita, parlamenti dhe faktorë të tjerë. Këtë takim e shoh realisht si një zhvillim të rëndësishëm në drejtim të reformës së një sistemi të një rëndësie jetike për vendin. Ndoqa diskutimet dhe kam vlerësimin me të madh për të gjitha palët dhe gjykoj se kjo është rruga që ne duhet të diskutojmë e të përballemi me problemet që kemi për t’i zgjidhur. Ajo frymë është dominuese në vend.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›