E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha: Popullin shqiptar dhe popullin kuvajtian i bashkon një miqësi e konsoliduar

Kryeministri kuvajtian Sheiku Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah viziton për herë të parë Shqipërinë

Kryeministri Berisha mirëpriti sot në një takim Kryeministrin e Kuvajtit, Sheikun Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah, si dhe delegacionin që e shoqëronte.

Duke i uruar mirëseardhjen, Kryeministri Berisha u shpreh se është një kënaqësi e madhe që viziton Shqipërinë, Kryeministri i Kuvajtit në një vizitë të parë të këtij niveli.

Kryeministri Berisha u shpreh se Kuvajti dhe Shqipëria janë dy vende mike, të cilët dëshirojnë që ndjenjat miqësore midis dy vendeve dhe kombeve të konsolidohen  dhe të zhvillohen më shumë në të ardhmen.

Kryeministri i Kuvajtit Sheiku Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah falënderoi kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë të rezervuar nga pala shqiptare dhe ndau të njëjtin mendim me kryeministrin Berisha për ndjenjat e ngrohta dhe miqësore që të dy popujt ushqejnë për njëri-tjetrin, si dhe shprehu gadishmërinë për forcimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve në të gjitha fushat.

Sheiku Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj Kuvajtit, duke theksuar se tashmë ky qëndrim ëhstë futur në historinë e vendit të tij. Kryeministri  kuvajtian theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht marrëdhënie diplomatike, por të shtrira në të gjitha fushat si në kulturë, financë, investime, etj.

Kryeministri kuvajtian vlerësoi përpjekjet e qeverisë shqiptare për garantimin e një klime të favorshme për investimet  e huaja dhe u shpreh se ka një interes në rritje të sektorit privat kuvajtian për të qenë të pranishëm në Shqipëri, jo vetëm në Tiranë , por në të gjitha qytetet e vendit.

Ndër të tjera Sheiku Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah vlerësoi në mënyrë të vecantë kontributin dhe mbështetjen që Shqipëria jep në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi se kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat do të njohin hapësira të reja si rezultat i nënshkrimit të gjashtë marrëveshjeve që përbëjnë një bazë të fuqishme ligjore në zhvillimin e marrëdhënieve miqësore midis të dy vendeve në të gjitha fushat.

Kryeministri Berisha vlerësoi ndër të tjera, ndihmesën e përbashkët që të dy vendet japin në  luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe theksoi se qeveria shqiptare do të vazhdojë me të njëjtin angazhim të kontribuojë në këtë drejtim.

Kryeministri Berisha falënderoi kryeministrin kuvajtian për ndihmën që shteti i Kuvajtit i ka dhënë Shqipërisë nga fillimi i viteve 90, deri në ditët e sotme. Në këtë kuadër, Kryeministri vlerësoi ndihmën e rëndësishme që Fondi kuvajtian ka dhënë që nga ajo kohë e në vazhdim, nëpërmjet një seri projektesh, të cilat mbulojnë fusha të tilla si infrastruktura, bujqësia, arsimi, shëndetësia dhe fusha të tjera. Në mënyrë të vecantë, Kryeministri Berisha kujtoi me mirënjohje Emirin Al Sabah, i cili me bujarinë dhe ndjenjat miqësore ndaj shqiptarëve, ndihmoi në kapërcimin e vështirësive të atyre viteve.

Gjatë takimit, kryeministri Berisha e njohu Sheikun Naser Al Mohammad Al Ahmad Al Jaber Al Sabah me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare  në zhvillimin ekonomik të vendit, në drejtësi, arsim, shëndetësi, fushën e mbrojtjes, etj Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha falënderoi për mbështetjen e fuqishme që njësitë shqiptare kanë gjetur  në Kuvajt , në përmbushje të misioneve të tyre në Irak.

Kryeministri theksoi se qëndrimi i Shqipërisë ka qenë gjithnjë në mbështetje të çështjes së drejtë të kombit dhe shtetit kuvajtjan. Kam qenë dëshmitar i plagëve që lufta dhe agresioni iraken i krijoi vendit tuaj, u shpreh Kryeministri,  por edhe i shpejtësisë me të cilat kombi juaj i shëroi ato. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare ka bërë detyrën e saj duke mbështetur plotësisht  plotësisht ndërhyrjen e Shteteve të Bashkuara në Irak me bindjen e plotë  bota pa Sadam Husein është shumë më e lirë dhe e sigurtë , ashtu sic është dhe pa Sllobodan Milloshevic.

Më pas, kryeministri Berisha, e njohu kryeministrin kuvajtian me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë shqiptare, me qëllim krijimin e një klime të përshtatshme për investitorët e huaj .

Kryeministri shprehu kënaqësinë që investitori kryesor në vendin Shqipëri  është Al Karaf, një investitor i ndershëm, dhe i respektuar që ka kontribuar në të gjitha fushat me investimet e tij.

Duke garantuar një  mbrojtje të plotë kushtetuese dhe ligjore për investitorët e kuvajtianë, Kryeministri ftoi grupin e investitorëve që shoqëronte kryeministrin kuvajtian për të përfituar  nga kjo vizitë dhe për të vendosur që projekte të tjera të zbatohen në Shqipëri në të gjitha fushat.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›