font-family: 'Times New Roman'">“Sot ne festojmë dhe nderojmë së bashku 17 vjetorin e themelimit të pluralizmit politik në Shqipëri, si ditën e rilindjes së lirive dhe të drejtave njerëzore p&eu
“Sot ne festojmë dhe nderojmë së bashku 17 vjetorin e themelimit të pluralizmit politik në Shqipëri, si ditën e rilindjes së lirive dhe të drejtave njerëzore për qytetarë shqiptarë, pas rreth gjysëm shekulli të diktaturës enveriane, regjimit me represiv dhe më të egër që kombi shqiptar ka njohur në tërë historinë e tij.
Kjo datë, një ndër më të mëdhatë në historinë tonë kombëtare lidhet me themelimin e Partisë Demokratike Shqiptare, partisë së parë opozitare, pas një monizmi ekstrem gjysëm shekullor. Rreth orës 23.00, të datës 11 dhjetor, të vitit 1990, studentë të Universitetit të Tiranës, do shfaqeshin në rrugët dhe sheshet e këtij qyteti si engjëj të vërtetë të aspiratave demokratike të qytetarëve shqiptarë. Të udhëhequr nga tribuni i lirisë, studenti Azem Hajdari, profesorë, pedagogë dhe asistentë të këtyre universiteteve, intelektualë dhe punonjës së Tiranës, themeluan në vendin e diktaturës më të egër, në vendin e lirive dhe të drejtave njerëzore të ndaluara me kushtetutë dhe hiperkolektivizmit total, në vendin e izolimit më të thellë në Evropë, Partinë Demokratike, e cila do të shndërrohej në promotorin kryesor të lëvizjes më të fuqishme popullore që kombi ka njohur, me një platformë të qartë me të cilën garantonte qytetarët shqiptarë për lirinë dhe të drejtat e mohuara, lirinë e fjalës, lirinë e besimit, lirinë e lëvizjes, iniciativën e lirë.
Kjo forcë politike do të pushtonte me shpejtësi mendjet dhe zemrat e qytetarëve shqiptarë, do ti nxirrte ata, nga mbretëria e frikës dhe terrorit, në mbretërinë e lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Ndaj dhe sot ju ftoj të shprehim nderimin më të lartë për studentët, intelektualët, qytetarët e Tiranës që 17 vjet më parë me kuraje, trimëri, vendosmëri themeluan forcën e parë politike opozitare të vendit, sollën pluralizmin politik.
Partia Demokratike Shqiptare si parti e aspiratave demokratike të shqiptarëve do të vihej në udhëheqje të opozitës së vendit në përmbysjen më 22 mars të regjimit komunist në Shqipëri. Duke u faktuar shqiptarëve dhe botës se Shqipëria nuk do të mund të mbetej Kuba e Adriatikut, por do të ecte në rrugën e lirisë, në rrugën e ndërtimit të demokracisë.
Në të gjitha këto përpjekje Partia Demokratike pati ndihmën e gjithanshme, jo vetëm të qytetarëve shqiptarë, por të shumë partive simotra dhe institucioneve ndërkombëtare të cilat dhanë një kontribut thelbësor në organizmin, fuqizimin e saj dhe bënë të mundur që në zgjedhjet e 22 marsit ajo të shndërrohej në një parti qeverisëse së bashku me forca të tjera politike opozitare. Në 4 vitet e qeverisjes së saj Partia Demokratike ia doli që Shqipërinë e izolimit më të thellë ta shndërrojë në një vend të hapur, që ecën i sigurtë drejt rikthimit të tij në familjen e kombeve që i takon. Ia doli të mbrojë interesin kombëtar të shqiptarëve, si kushtin më vendimtar për ecjen e tyre në rrugën e lirisë dhe demokracisë. Ia doli ta anëtarësoi Shqipërinë në Këshillin e Evropës. Ia doli të zëvendësoi hiperkolektivizmin total me ekonominë e lirë të tregut, si dhe të vendosë marrëdhënie të shkëlqyera partneriteti me aleancën e Atlantikut të Veriut dhe marrëdhënie të fortë tregtare dhe të tjera me Bashkimin Evropian.
Pas daljes së saj në opozitë, Partia Demokratike qëndroi e vendosur në mbrojtje të vlerave opozitare, në një vend, që pothuajse në një shekull kishte njohur fare pak opozitën. Ajo zhvilloi dhe konsolidoi vlerat e programit që ajo mbronte, duke dhënë në këtë mënyrë një kontribut të madh në krijimin e traditës opozitare në Shqipëri.
Zgjedhjet e fundit të përgjithshme sollën Partinë Demokratike dhe aleatët e saj në pushtet. Në dy vjet ajo i dha vendit qeverisjen më të vogël që ka patur në historinë e tij dhe ndoshta qeverisjen më të vogël në Evropë. E angazhuar në një beteje të pandërprerë kundër krimit të organizuar, sot Shqipëria është një ndër vendet më të sigurta të rajonit dhe më gjerë. U angazhua në një beteje të ashpër me korrupsionin dhe ia doli që administrata e saj të shkurtojë shpenzimet me mbi 100 milion euro, sikundër rriti të ardhurat me mbi 1 miliard dollar, që të gjitha si rezultat i luftës kundër evazionit, kontrabandës dhe korrupsionit. Në një seri reformash të thella ekonomike dhe fiskale , PD e bëri Shqipërinë, vendin e barrës fiskale më të ulët dhe një vend tërheqës për investitorët e huaj.
Në rrafshin politik vendi nënshkroi kontratën historike me BE-në, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, dhe e zbaton atë me seriozitetin më të madh. Është e vendosur të bëjë të gjitha përpjekjet, që në kilometrin e fundit për në Samitin Bukureshtit ta përshkojë në mënyrë që të marrë ftesën për anëtarësimin e vendit në NATO.
17 vjet pas themelimit të saj Partia Demokratike dhe shqiptaret gjejnë vendin e tyre sërish me vështirësi, por 17 herë më mirë seç ishte në dhjetorin e vitit 90 , ndaj dhe ne sot le të shprehim mirënjohjen tonë të thellë për liderin e lëvizjes së dhjetorit, themeluesin e PD-së tribunin e lirisë Azem Hajdari, për të gjithë ata të cilët në këto 17 vite kontribuan në zhvillimin dhe konsolidimin e vlerave që janë dhe themeli i programit të saj .
Le të garantojmë shqiptaret se këto arritje për ne, janë thjesht një stacion në mënyrë që proceset e integrimit dhe zhvillimit të vendit të marrin shpejtësi të reja.
Edhe njëherë të gjithë shqiptareve, ju uroj gëzuar themelimin e partisë së parë opozitare, Partisë Demokratike të Shqipërisë.