Kryeministri Berisha: Duhet të qartësohet dallimi mes konceptit të njohjes së pronës dhe kompensimit të saj
Gjatë mbledhjes së sotme të qeverisë Kryeministri Berisha vlerësoi se çështja e kthimit të pronave ka paraqitur probleme serioze.
Kryeministri theksoi se duhet të qartësohet dallimi mes konceptit të njohjes së pronës dhe kompensimit të saj me qëllim shmangien e bllokimit të sipërfaqeve dhe objekteve publike.
“Në kundërshtim flagrant me ligjin janë kthyer sipërfaqe dhe objekte të pakthyeshme, shkolla dhe institucione të sistemit arsimor apo lulishtet e qyteteve dhe kjo faktikisht po krijon vështirësi shumë të mëdha. Në amendimet që duhet të bëjmë duhet të qartësojmë se është tjetër gjë njohja e pronësisë dhe tjetër gjë kompensimi i saj”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Nuk mund t`i kthehet lulishtja e qytetit pronarit të saj, vijoi Kryeministri, derisa Plani i Rregullimit të qytetit të mos e përcaktojë ndryshe.
“Në rast se plani i rregullimit të qytetit e përcakton atë si zonë ndërtimi automatikisht pronari fiton të drejtën e pronësisë së truallit”, vlerësoi Kryeministri Berisha.
Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se komisioni ka vepruar drejt që ua ka njohur të drejtën e pronës, pronarëve të ligjshëm, por shtoi se nuk mund të bllokohet sipërfaqja apo objekti përderisa ka një funksion publik. Kryeministri pohoi se në rast se Plani i Rregullimit të qytetit e njeh sipërfaqe të gjelbër, atëherë ajo do të kompensohet.
Kryeministri Berisha theksoi se do të mbahet një qëndrim i prerë për ndëshkimin e të gjithë shkelësve të ligjit, duke nënvizuar se motivi që ata e bëjnë një gjë të tillë janë vetëm interesat e tyre financiare.
“Të gjitha veprimet e kryera në thyerje të ligjeve duhet të shkojnë të përballen me ligjin sepse të gjitha kanë në bazë interesin e xhepit. Kjo nuk bëhet nga padija sepse ata janë grupe. Do të merret i gjithë historiku të përgatiten dosjet dhe të dorëzohen në prokurori. Prokuroria e mëparshme ka patur një praktikë të dënueshme; nuk pranonte hapje çështjesh penale për falsifikim dokumentash për çështje pronësie. Kur veproi drejtësia qytetarët dolën me parulla para gjykatës. Për ne është shumë e domosdoshme të shqyrtojmë sepse si ata që protestuan me parulla para gjykatës ka me qindra në mos me mijëra gjatë këtyre viteve”, u shpreh Kryeministri.
Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se po të jetë e nevojshme në bashkëpunim me opozitën të ndryshohet Kodi Civil, në mënyrë që të përcaktohet që prona e vjedhur të konsiderohet e tillë pavarësisht periudhës kur ka ndodhur një veprim i tillë.
E drejta nuk mund t`u mohohet pronarëve. E drejta e pronësisë duhet t`u njihet dhe duhet t`u rikthehet atyre. Po të jetë e nevojshme unë jam që të shqyrtohet Kodi Civil. E vjedhura duhet të konsiderohet e tillë edhe pas 10 brezash. Ky është ligji amerikan dhe është ligji më i shkëlqyer. Në këtë legjislacion prona merret në çdo moment që gjendet se është e vjedhur, dhe kjo është shumë e domosdoshme”, u shpreh Kryeministri duke shtuar se nuk mund të bëhet pasuri mbi prona të vjedhura.