Konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Berisha dhe Kryeministrit Gruevski
Pas takimit kokë më kokë dhe bisedimeve mes dy delegacioneve, Kryeministrat Berisha dhe Gruevski dhanë një konferencë të përbashkët për shtypin.
Kryeministri Berisha: Sapo përfunduam diskutime shumë të rëndësishme me Kryeministrin e Maqedonisë, mikun tim Nikola Gruevski dhe delegacionin që e shoqëron. Diskutimet ishin shumë të rëndësishme, sepse e tillë ishte tematike dhe çështjet që ne shqyrtuam. Dy vendet tona punojnë në projekte të përbashkëta të integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO. Në këto projekte, ne kemi mbështetur dhe do të mbështesim njëri tjetrin, si projektet më të mira të vendeve tona në këtë shekull. Duke përshëndetur progresin e Maqedonisë drejt integrimit europian dhe euroatlantik, konsiderojmë se integrimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për këtë proces.
Ne ramë dakord të ndërmarrim hapa konkrete për një infrastrukturë tërësisht të re që lidh dy vendet tona. Kryeministri Gruevski më informoi se qeveria e tij ka vendosur të ndërmarrë ndërtimin e Korridorit 8-të në territorin e Maqedonisë. Shqipëria do të ndërmarrë menjëherë të njëjtat hapa.
Të dy qeveritë ranë dakord të punojnë për linjën e re elektrike Tiranë-Shkup, e domosdoshme për t’iu përgjigjur problemeve energjetike të vendeve tona dhe të rajonit. Gjithashtu lidhja hekurudhore mes dy vendeve është domosdoshmëri, për të cilën ne angazhohemi ta shqyrtojmë me përparësi.
Po ashtu është e rëndësishme që të bashkojmë edhe më tej forcat për shfrytëzimin dhe mbrojtjen e liqenit të Ohrit, një nga mrekullitë natyrore të planetit.
Ne ramë dakord që të hapim pikën doganore Xhepisht-Trebisht. Unë i propozova Kryeministrit Gruevski që kjo të jetë një pikë e përbashkët, siç po bëjmë në Murriqan me miqtë tanë malazezë dhe Kryeministri më premtoi se do të shqyrtojë këtë model.
Një tjetër çështje e infrastrukturës midis dy vendeve ishte edhe naftësjellësi AMBO. Ne do të ndërmarrim hapa të përbashkët pranë qeverisë amerikane për të kërkuar fuqizimin e mbështetjes së këtij projekti. Sikundër për Shqipërinë, por edhe për Maqedoninë, ka rëndësi të madhe edhe gazsjellësi Trans-Adriatik, i cili nuk by-pass-on vendet tona, por i përshkon ato. Ne do të lobojmë së bashku në favor të këtij gazsjellësi, që është më ekonomik se çdo gazsjellës tjetër rajonal.
Ne diskutuam për Kosovën dhe zhvillimet atje kanë mirëkuptim të plotë. Kryeministri Gruevski më njohu me qëndrimin e qeverisë së Maqedonisë, e cila po bashkërendohet me qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të mëdha të Bashkimit Europian. Theksova se kjo është shumë e drejtë dhe se këtë bëra dhe unë. Vendimet do t’i marrim bashkërisht në koordinim me miqtë dhe aleatët, të cilët kanë investuar shumë për ndryshimin rajonit tonë.
Diskutuam për një seri çështjesh të tjera, me vullnet të plotë për t’i zgjidhur ato me hapa konkrete dhe një nga këto ishte marrëveshja për vizat, për të cilën mediat, që, për fat të keq, janë bastionet e fundit të flamujve të rreckosur të nacionalizmave të vjetra, bënë aq shumë zhurmë në faqet e tyre, por ne u lamë atyre zhurmën dhe nënshkruam marrëveshjen.
Faleminderit.
Kryeministri Gruevski: Bashkë me delegacionin, iu përgjigjëm pozitivisht ftesës së Kryeministrit Sali Berisha për vizitë zyrtare në republikën e Shqipërisë. Ne patëm bisedime shumë të mira, pasi ne kemi një bashkëpunimin shumë të thellë mes Maqedonisë dhe Shqipërisë. Në mbështetje të kësaj, dua të them se midis dy vendeve janë firmosur 46 marrëveshje, por edhe dokumente të tjera. Sot ne firmosëm edhe marrëveshjen për një regjim pa viza, që do të ndihmojë qytetarët e dy vendeve tona, por edhe biznesin për një lëvizje më të lirë.
Zoti Berisha preku disa pika, por unë do të theksoj edhe disa të tjera. Republika e Maqedonisë filloi me disa projekte në kuadrin e Korridorit 8-të. Këto projekte do të përfundojnë nga mesi i këtij viti dhe më pas, ne do të futemi në fazën e strukturimit që do të marrë një kohë prej 6 deri në 12 muaj. Më pas do të fillojmë me ndërtimin konkret të segmenteve, në kuadrin e Korridorit 8-të. Ne jemi të vendosur ta ndërtojmë atë, pavarësisht nëse do të na ndihmojë apo jo ndonjë organizëm financiar. Ne i kemi pritur me vite të tëra këto financime, por kjo nuk u arrit dhe ne do ta fillojmë me forcat tona, kuptohet, në disa segmente, aty ku është e mundshme, do të shkojmë me koncesion dhe aty ku nuk do të kemi mundësi për koncesion do të shkojmë me financime të drejtpërdrejta.
Vitin e kaluar, Republika e Maqedonisë ktheu para kohe 20 për qind të borxhit të huaj. Me këtë ne dërguam një sinjal pozitiv tek investitorët që tashmë shprehin interes më të madh për investime në republikën e Maqedonisë. Ne jemi nisur në këtë rrugë dhe jemi të vendosur ta realizojmë këtë, të realizojmë ndërtimin e këtij projekti rrugor.
Me zotin Berisha biseduam edhe për lidhjen e dy vendeve tona në aspektin energjetik, por edhe në atë hekurudhor.
Ne riafirmuam projektin e naftësjellësit AMBO, i cili, për momentin, nuk varet vetëm nga ne. Ky projekt ka mbështetjen tonë dhe ne po bëjmë gjithçka që kërkohet nga ne, por duhet të përfundojnë edhe disa gjëra të tjera që janë jashtë ndikimit tonë.
Ndër të tjera, ne diskutuam edhe për hapjen e pikës shumë të rëndësishme kufitare midis dy vendeve tona, Xhepisht-Trebisht. Para disa kohësh, u takuan dy grupet e punës midis vendeve tona dhe tani duhet të formohet një komision i përbashkët, i cili duhet të propozojë një planprogram. Qeveria jonë, në një periudhë shumë të shkurtër 10 ditore, do të hedhë propozimin dhe më pas do ta harmonizojmë.
Dua të informoj se qeveria jonë ndau në buxhet mjete financiare, të cilat i dedikohen kësaj pike kufitare. Në qasjen tonë, edhe qeveria e Shqipërisë shprehu me të vërtetë kënaqësi dhe angazhim për ndërtimin e kësaj pike dhe shpresojmë që bashkërisht shumë shpejt do ta realizojmë këtë.
Të dy vendet tona janë të koncentruara tërësisht në rrugën tonë drejt NATO-s dhe BE-së. Shpresoj që bashkërisht të festojmë në prill. Deri atëherë jemi tërësisht të përkushtuar në obligimet tona. Ne e përshëndesim firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të Shqipërisë me BE-në, Marrëveshje të cilën ne e firmosëm në vitin 2001.
Siç e theksoi edhe Kryeministri Berisha, ne biseduam edhe për tema të tjera si p.sh për ekzistencën e një interesimi të përbashkët për hapjen e qendrave kulturore informative, për krijimin dhe forcimin e katedrave, duke përfshirë edhe katedrën për gjuhën maqedone në universitetin e Tiranës, diskutuam gjithashtu edhe për çështjen e mbrojtjes së liqenit të Ohrit.
Ne diskutuam edhe për temën aktuale lidhur me Kosovën. Shqipëria ka ndërmarrë hapa të caktuara. Republika e Maqedonisë e përcjell me vëmendje procesin, duke pasur parasysh të gjitha karakteristikat që ka republika e Maqedonisë si shtet multietnik, kandidat për në NATO dhe BE dhe më tej ne do të vazhdojmë në lidhje me interesin tonë dhe në bashkëpunim me miqtë tanë.
Faleminderit.
Pyetje: Si janë marrëdhëniet midis Maqedonisë e Kosovës, si parashikohet perspektiva e këtyre marrëdhënieve, kur do ta njohë Maqedonia Kosovën, duke pasur parasysh që shumë vende të BE-së, SHBA-të e kanë njohur tashmë Kosovën? A nuk është pak i vonuar ky kujdes i Maqedonisë?
Kryeministri Gruevski: Faleminderit për pyetjen. Në periudhën e kaluar, ne kishim komunikim dhe relacion të mirë me qeverinë e përkohshme të Kosovës, kishim shkëmbim të madh tregtar dhe bashkëpunim të mirë midis bizneseve dhe kompanive. Ashtu siç thashë edhe në pjesën time të ekspozesë, ne po ndjekim me vëmendje gjendjen në Kosovë e Serbi dhe kuptohet do të vendosim në pajtim me interesat shtetërore të republikës së Maqedonisë dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me miqtë tanë europianë e të NATO-s.
Pyetje: A ka ndonjë plan konkret qeveria maqedonase për t’i ardhur në ndihmë shtetit më të ri të Europës dhe cilët do të jenë sektorët ku do të ndihmojë Maqedonia?
Kryeministri Gruevski: Ne kemi formuar një trup koordinues, i cili do të na ndihmojë në lidhje me ngjarjet që ndodhën ditët e fundit, në lidhje me ballafaqimin e problemeve eventuale dhe që janë të rëndësishme për vendin tonë. Trupi koordinues mban seanca permanente dhe nëse paraqitet ndonjë çështje apo problem i hapur, do ta zgjidhim.
Pyetje: Zoti Kryeministër, a shikoni ju si Maqedoni fatin tuaj të lidhur me fatin e dy vendeve të tjera, Shqipërisë e Kroacisë, si vende të Kartës A3, për anëtarësimin në NATO? Dhe në këtë linjë, a ishte i nevojshëm diskutimi i çështjes së vizave midis dy vendeve, në këtë moment?
Kryeministri Gruevski: Unë nuk i kisha ndërlidhur këto çështje asnjëherë. NATO-ja është një çështje e veçantë dhe çështje tjetër është ajo e vizave. Maqedonia është e vendosur të bëhet pjesëtar i vendeve të NATO-s, sepse në vlerësimet e tyre kuptohen edhe qëndrimet e kryeqyteteve të vendeve anëtare të NATO-s. Pra, obligimet më të mëdha në drejtim të NATO-s, republika e Maqedonisë i ka përfunduar. Në lidhje me këtë, ne morën vërtet një vlerësim pozitiv në takimin ministror me vendet e anëtare të NATO-s në Bruksel, të cilët uruan Maqedoninë për progresin e arritur. Mund të them se tani të gjithë flasin për plotësimin e të gjitha kritereve, madje edhe për pritjen e marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Për momentin, kemi një rrezik serioz dhe ky është imponimi i Greqisë në lidhje me emrin tonë, çështje me të cilën po punojmë intensivisht. Nëse Greqia e përdor veton, kjo do të jetë në dëm jo vetëm të Maqedonisë, por dhe të vendeve të rajonit dhe vendeve anëtare të NATO-s. Kur flas për veto nuk kam parasysh veton klasike, por veton në aspektin që të përfitojë për ndryshimin e emrit. Muajt e fundit, të gjitha analistët flasin për këtë çështje, por unë jam optimist dhe mendoj se Greqia do ta tejkalojë këtë, me të vetmin qëllim që të mos ta sjellë në një situatë të pafrytshme NATO-n në përgjithësi. Gjithçka do të ishte në kundërshtim me të gjitha praktikat e deritanishme të NATO-s dhe praktika është që marrëdhëniet bilaterale të mos vendosen në korrelacion me interesat e NATO-s në përgjithësi.
Për pyetjen në lidhje me vizat, dua t’ju informoj se në mars të vitit 2006 qeveria e mëparshme e republikës së Maqedonisë miratoi ligjin për të huajt, me të cilin e rregullon këtë çështje dhe që vizat për shtetasit e huaj të jepen vetëm në objektet diplomatike të vendit në atë vend. Hyrja në fuqi e këtij ligji parashikohej në 1 janar të këtij viti. Praktikisht, me vendimin e marsit të vitit 2006, ne u sollëm në këtë situatë në të cilën jemi dhe që sot, të dy qeveritë e tejkalojmë me firmosjen e kësaj marrëveshjeje.
Pyetje: Një pyetje për Kryeministrin Berisha. Serbia ka nisur mbrëmë tërheqjen e ambasadorëve të saj nga vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Koshtunica ka urdhëruar ambasadorin e parë në SHBA të kthehej në Beograd. A keni ndonjë informacion për ambasadorin e Serbisë në Tiranë dhe nëse ai urdhërohet që të kthehet, çdo të bëjë Shqipëria me ambasadorin e saj në Beograd?
Kryeministri Berisha: Mendoj se Beogradi po ecën kundër kohës. Duke mos dashur të ndërhyj në punët e tyre, por tërheqja e ambasadorëve nga vende të cilat të ofrojnë miqësi, bashkëpunim dhe mbështetje për projektet më të mira të kombit serb për këtë shekull, është një veprim që bie ndesh me interesat më themelore të kombit tënd. Ambasadori i republikës së Serbisë në Tiranë deri në dijeni time, - nuk kam dijeni për dy orët e fundit, pasi kam qenë në takim me mikun tim Gruevski - ushtron normalisht veprimtarinë e tij. Se cili do të jetë vendimi i Kryeministrit Kushtunica nuk e di, por çdo pakësim i marrëdhënieve në një kohë kur ne jemi të gatshëm t’i intensifikojmë ato, nuk është veprimi që popujt tanë presim.
Pyetje: Zoti Berisha, për shqiptarët e Maqedonisë një nga shtyllat kryesore për t’u bërë anëtarë të NATO-s dhe BE-së është edhe Marrëveshja e Ohrit. Duke e parë nga këndvështrimi juaj, si e vlerësoni realizimin e Marrëveshjes së Ohrit?
Kryeministri Berisha: Mendimi dhe qëndrimi ynë për Marrëveshjen e Ohrit është se ajo është një dokument themelor, marrëveshje paqeje dhe stabiliteti, për të cilin ne jemi tërësisht të interesuar. Në këtë kontekst, kam përshëndetur dhe përshëndes të gjithë progresin e pamohueshëm të bërë nga autoritetet e vendit mik në zbatimin e kësaj Marrëveshjeje. Rezultatet janë të prekshme dhe ato nuk mund veçse të konsolidohen. Ky është një proces dhe Marrëveshja është në zbatim edhe në klauzola të tjera. Ajo çka unë nuk mund të pranoj janë ndërhyrjet në një Marrëveshje me instrumente nacionale, në një Marrëveshje që është sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Për të gjitha vendet e lira, e drejta ndërkombëtare mbizotëron ndaj asaj kombëtare. Prandaj dhe atakimi me gjykatën nuk i shërben as marrëveshjes dhe as klimës, por unë kam besim se autoritetet zyrtare të Maqedonisë, ashtu siç kanë dëshmuar deri tani vullnetin për zbatimin dhe konsolidimin e Marrëveshjes, do të vazhdojnë procesin dhe të ecin në kompletimin e saj, si interesi më i mirë i Maqedonisë.
Pyetje: Zoti Gruevski, ditët e fundit, gjatë deklarimeve të tyre shumë zyrtarëve të lartë të NATO-s e BE-së kanë lavdëruar Maqedoninë për përshpejtimin e hapave për realizimin e obligimeve që kërkohen nga NATO, por mbeten dy çështje të hapura ...
Kryeminisytri Gruevski: Partnerët tanë thanë se reformat në pjesën më të madhe për aderimin tonë kanë përfunduar, me intensitet të veçantë në muajt e fundit. Gjithmonë do të ketë hapa të rinj, nevoja të reja për reforma dhe në këtë mënyrë, ne do të afrohemi përpara. Hyrja e dy vendeve në NATO nuk do të thotë përfundimi i reformave, por një fillim i ri i madh i reformave.
Pyetje: Zoti Gruevski do të na falni për këmbënguljen për çështjen e Kosovës, në këtë moment që ajo është çështja e ditës. Shumica e shteteve kanë deklaruar se do ta njohin, ose e kanë bërë ose do ta bëjnë këtë hap, ndërsa një numër më i vogël kanë dalë hapur kundër kësaj njohjeje. Maqedonia është për njohjen e Kosovës, gjë që mund të kërkojë një kohë e procedurë, apo është kundër njohjes së saj?
Kryeministri Gruevski: Për këtë pyetje u përgjigja.
Pyetje: Zoti Gruevski, a e keni shqetësimin që pavarësia e Kosovës mund të inkurajojë lëvizjet separatiste të shqiptarëve në Maqedoni?
Kryeministri Gruevski: Unë nuk e thashë këtë. Ju informoj se Maqedonia gjatë gjithë kohës e ka mbështetur planin e Presidentit Ahtisaari dhe ne presim që të fillojë të realizohet e veprojë ky plan, të cilin e pranoi edhe vetë Kosova.
Pyetje: Sapo u nënshkrua marrëveshja për liberalizimin e vizave mes dy vendeve, por a do të qëndrojë në fuqi kjo marrëveshje edhe pasi Maqedonia të marrë statusin e vendit kandidat për në BE?
Kryeministri Gruevski: Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi sapo të ratifikohet nga parlamentet e dy vendeve tona dhe shpresoj se do të bëhet shumë shpejt. Kuptohet që çdo vend, kur hyn në anëtarësi me BE-në, i pranon të gjitha kriteret e anëtarit. Ne na pret shumë punë dhe një bashkëpunim i madh i përbashkët.