Kryeministri Berisha: Shoqëria kosovare, një shoqëri e përkushtuar në vlerat e mëdha evropiane
Kryeministri Berisha përshëndeti sot, gjatë mbledhjes së qeverisë, të gjithë qytetarët e Kosovës për festën dhe mënyrën sesi ata festuan pavarësinë e vendit të tyre.
“Në emër të qeverisë shqiptare përshëndes përzemërsisht dhe vëllazërisht të gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarë, serbë, turq, romë, malazezë, boshnjakë, të çfarëdo përkatësie etnike qofshin, për festën dhe mënyrën sesi ata festuan pavarësinë e vendit të tyre. Ajo ishte festa më madhështore, më e bukur dhe më qytetare që jo Ballkani, por ndoshta dhe Evropa nuk e ka parë parë prej dekadash”, u shpreh Kryeministri.
Shoqëria kosovare, tha më tej Kryeministri, dëshmoi që është një shoqëri e përkushtuar në vlerat e mëdha evropiane.
“Asnjë incident, asnjë intimidim. Natyrisht, pati një shpërthim entuziazmi qytetar pasi po merrte fund një rrugëtim i mundimshëm 600 vjeçar i qytetarëve të Kosovës për të dalë dhe për të zbarkuar në vendin e tyre të lirë dhe të pavarur. Kjo përcaktoi dhe përmasat e paimagjinueshme të kësaj feste, e cila u dominua në tërësi nga simbole evropiane”, u shpreh Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri përgëzoi autoritetet kosovare për përzgjedhjen e flamurit të tyre kombëtar dhe simbolikën e tij evropiane.
“Ishte një flamur aq i bukur që ata përzgjodhën. Flamuri i Kosovës evropiane. Harta e Kosovës me kufijtë e saj ndërkombëtarë, me yje të bardhë ashtu si kemi plisin, si kemi zemrën. Nuk është e pakët bardhësia e plisit. Ne e kemi atë. E bardha përfaqëson të gjitha minoritetet. Është një flamur që të bën menjëherë për vete. Një meritë e jashtëzakonshme për atë përzgjedhje aq të bukur, aq të mençur dhe evropiane. Flamuri më i ri në Evropë, një nga flamujt kombëtar më evropian të saj”, u shpreh Kryeministri.
Kryeministri Berisha shprehu vlerësime maksimale dhe por monumentin e pavarësisë, ndërsa u shpreh se “po pres me padurim të shkoj edhe unë të vë firmën time atje, tek qytetarët e Kosovës”.