Kryeministri Berisha mirëpret Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski
Kryeministri Sali Berisha mirëpriti sot dhe pati bisedime me Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski dhe delegacionin që e shoqëronte. Bisedimet u përqendruan në intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh, aspiratat e përbashkëta integruese në strukturat euroatlantike si dhe në bashkëpunimin rajonal.
Dy kryeministrat ndanë të njëjtin vullnet për të forcuar bashkëpunimin në kuadër të projekteve të përbashkëta të integrimit në BE dhe NATO. Ata nënvizuan përkushtimin e plotë të vendeve respektive për përmbushjen e të gjitha detyrimeve për të marrë ftesën për anëtarësim në NATO, në samitin e muajit prill në Bukuresht.
Në bisedimet e tyre, dy delegacionet u ndalën në mënyrë të veçantë në zhvillimin e projekteve konkrete që zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve.
Kryeministri Gruevski bëri të ditur synimin e qeverisë maqedonase për të ndërmarrë hapa konkretë për ndërtimin e Korridorit 8-të, në territorin e Maqedonisë. Kryeministri Gruevski u shpreh se qeveria maqedonase është e vendosur dhe do të bëjë çdo përpjekje për ndërtimin e këtij Korridori. Ky vendim u vlerësua nga Kryeministri Berisha, i cili siguroi se edhe qeveria shqiptare do të ndërmarrë hapat e mundshëm në këtë drejtim.
Gjatë takimit, të dyja palët vlerësuan të një rëndësie të madhe për të dy vendet edhe projektin e naftësjellësit AMBO dhe të gazsjellësit Trans-Adriatik, për të cilat dy kryeministrat u angazhuan të ndërmarrin hapa të përbashkët për të tërhequr mbështetjen për këto projekte.
Dy kryeministrat dhe delegacionet respektive ranë dakord për hapjen e pikës doganore Xhepisht-Trebisht midis dy vendeve. Të dyja palët u angazhuan gjithashtu edhe për konkretizimin e projekte të tjera të rëndësishme si linja e re elektrike Tiranë-Shkup, lidhja hekurudhore mes dy vendeve, bashkëpunimi për shfrytëzimin dhe mbrojtjen e liqenit të Ohrit etj..