Qeveria shqiptare vendosi ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori në Kosovë
Kryeministri Berisha bëri të ditur sot, në një mbledhje jashtë rradhe të Këshillit të Ministrave, ngritjen e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.
Duke e cilësuar këtë mbledhje si një nga me të shumëpriturat për shtatëmbëdhjetë vjet me rradhë, Kryeministri u shpreh se pas konsultimit dhe me Presidentin e Republikës është rënë dakort që zoti Islam Lauka të jetë ambasadori i Shqipërisë në Prishtinë.
“Është diskutuar dhe me Presidentin e Republikës, si dhe është rënë dakord, që ambasadori ynë në Prishtinë do të jetë një nga personalitetet më të shquara të Ministrisë së Punëve të Jashtme, një nga diplomatët me eksperiencë të kësaj ministrie, një diplomat që ka vepra të tëra kushtuar Kosovës dhe që e njeh mirë problemin. Ky është Zoti Islam Lauka”, tha Kryeministri Berisha.
Më tej, Kryeministri bëri të ditur se i ngarkuari me punë në Zyrën e Shqipërisë në Kosovë z.Arben Çeku do të kalojë me një detyrë më të rëndësishme se ajo që mban aktualisht.
“Zoti Arben Çeku do të kalojë me një detyre më të rëndësishme se ajo që mban sot. Mund t’ju them se zoti Çeku e ka kryer me shumë dinjitet, përkushtim dhe vendosmëri detyrën që mbante deri tani”, u shpreh Kryeministri.