E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqetësimet e një obezi

Nga Dhurata Hamzai

Edhe pse është mirëfilli titulli i një komedie, e cila pritet të jepet premierë më 16 dhjetor në Tiranë, “Shqetësimet e një obezi” vlen po aq mirë edhe për titullin e këtij shkrimi. Obeziviteti është pothuajse një metaforë e qëlluar që kërkon të pasqyrojë qartë makutërinë e shoqërisë shqiptare, nëpër kalimet e saj të dhimbshme nga epoka komuniste në atë postkomuniste. Duket se gjërat pak kanë ndryshuar me përjatshtim të lirisë, e cila edhe nuk ka të paguar si hapësirë e të gjitha alternativave. Alternativa është e hapur më mesazhet e këtij filmi artistik. Për ta dhënë më të plotë imazhin nëpërmjet portretit të një obezi në marrëdhënie me punën, detyrat dhe familjen, regjizori Pluton Vasi këtë herë ka krijuar jo vetëm skenarin e një filmi në zhanrin e komedisë dramatike, por edhe një risi fantastike kinematografike, ku plan detaje të caktuara ndërthuren me lojën e aktorëve Xhevo Zeneli, Mariana Kondi, Arben Derhemi. Kohëzgjatja e kësaj komedie të shtrirë në përmasat e humorit dhe batutave surreale është rreth 70 minuta, të cilat ndihen pothuaj sa gjysma e tyre gjatë shikimit të kësaj komedie dramatike. Gjithçka e shpejtë, e saktë dhe e njëkohshme krijon situata të njëpasnjëshme humori. Dikush do të thoshte humor i zi, por regjizorit nuk do t’i pëlqente ta klasifikonte në një zhanër të tillë kundrejt tërësisë së realizimit filmik.

* * *

Fabula sillet tek një grua dhe dy burra që e duan shumë atë por edhe ajo i do shumë të dy. “Gjithmonë bëhet fjalë për dy, sepse edhe vetë komedia ka lidhje me dyzimin e personalitetit të njeriut”, shprehet Pluton Vasi për skenarin e kësaj e këtij filmi të foksuar në zhanrin e komedisë dramatike. Një komedi që ishte e admirueshme edhe për shkak të shkëputjes, të daljes nga riciklimi komik i një realiteti bruto dhe pa spikatjen e asnjë vlere artistike që bëhet më morinë e produksioneve filmike komike që janë hedhur në tregun shqiptar. Ndryshe, krejt ndryshe komedia dramatike e Pluton Vasit është në nivele shumë të mira artistike, përfshirë të gjitha detajet dhe modulet e filmografisë. Ai ka zbuluar në arkiva të kahershme disa kuadro filmike nga e kaluara komuniste që bëjnë të mundur kuptimin metaforik të asaj që me gjuhën e Pluton Vasit do të quhej ndryshe shoqëria shqiptare obeze. Regjizori dhe skenaristi Pluton Vasi, bashkangjitur me këto detaje të një jete që njeri shqiptar e ka kodifikuar si moderne, na bën të besojmë në këtë film se ajo që zhvillohet si jetë moderne është vetëm një zgjatim marramendës i bishtit rudimental të një personaliteti të ndrydhur, të mbetur nga diktatura komuniste. Njeriu i dobët, njeriu i përulur, bëhet një mbartës i mirë i së keqes, edhe kur s’e ka brenda vetes këtë të keqe ai nuk mund të bëj vetëpohimin. Peci Poro personazhi i kësaj komedie, gazetar prej kaq vitesh në një stacion televiziv privat, ka fituar një projekt për të realizuar një dokumentar mbi personalitetin e njeriut në Shqipëri. Për këtë arsye gazetari gjendet përballë njerëzish me psikologji dhe mentalitete nga më të ndryshmet që vijnë të dyzuar. Gjatë punës ai përjeton mëdyshjen, se ai vetë është pjesë e kësaj situate!

Këtë projekt e ka fituar pikërisht gjatë kohës kur ai po përjeton një realitet tjetër me gruan e vet Agllainë. Kështu ai Peci, obezi, si të tjerët mes të tjerëve në modë mbetet deri në fund i dyzuar me alternativën; të bëhet i pasur si të mundet, apo të jetojë me profesionin e gazetarit. Pikërisht dje në premierën e shfaqur si prezantim për median në mjediset e RTSH-së realitetet që kalonin para syve tanë minutë pas minuti janë përkthyer në gjuhë filmike në ato realitete të vështira që kalojmë të gjithë ne shqiptarët orë pas ore dhe ditë pas dite. Kjo mbartje shqetësimesh krijon pikërisht atë makth që ka krijuar edhe obeziviteti tek njerëz të veçantë dhe pasojat e simptomës. Filmi është realizuar nëpërmjet situatave sa komike aq dhe dramatike, ku përfshihen të gjitha modelet e personalitetit, dhe në të njëjtin vëllim përmasash metaforike, atë të obezit, kupto të të ngathtit, të të drojturit, të llupësit, ose të pesonalitetit të lodhur, ose të lëkundur dhe të dyzuar. Filmi është zhvilluar në lojën e titrave bardhë e zi të variantit dokumentar duke u ndarë përgjysmë skenat me kolorostikën e lojës së aktorëve në variantin filmik. Të dyja këto elemente janë bashkuar me sukses, ku spikat jo vetëm loja e mirë e aktorit Xhevo Zeneli, por më tepër veçantësia këtë herë në aktrim e Mariana Kondit, e cila ka krijuar ja këtë herë një portret unikal të një aktoreje shumë serioze në një rol komik. Kondi ka qenë befasuese me rolin e saj dhe miniaturat filmike të kurura me kujdes nga regjizori dhe skenaristi Pluton Vasi kanë bërë që filmi të shihet me seriozitet dhe kënaqësi njëherësh. Është një film shumëkuptimësh, shumëformësh dhe shumë gjuhësh në aspektin figurativ. Obeziviteti është figura më e gjetur, e cila shpreh më së miri sa praninë e pashmangshme aq edhe ecurinë e personalitetit të njeriut të një vendi që ka qenë nën diktaturë dhe trysni ideologjike. Kjo shfaq edhe varfërinë emocionale dhe shpirtërore që vjen prej pasojave të këtij tranzicioni të gjatë. Rolet në film dhe montazhi kanë krijuar tashmë një vepër me plot gojën të re në arkivën e kinematografisë shqiptare. Regjizori Vasi shprehet se për realizimim me sukses të këtij filmi kanë pasur rolin dhe rëndësinë e tyre kamera e Agim Kurit dhe Ardian Kamberit, zëri i Bardhyl Xhanit dhe puna e piktorit Adnand Kastrati. Producentët që do të hedhin filmin në tregun kinematografik janë Ferdinant Sula dhe Mamica Daci dhe Tv ku do të transmentohet është zgjedhur TVSH-ja dhe kanali satelitor.

Pak çaste pas premierës me regjizorin Pluton Vasi

Të bindur, pas shfaqjes, se mënyra e të bërit film si ky i Vasit nuk është lëvruar asnjëherë, i shkëpusim atij një opinion se si e ka konceptuar filmin në detaje. Mësojmë se regjizori Vasi ka preferuar të krijojë jo personazhin në aksion, intrigues, por personazhin si imazh, personazhin e figurshëm dora dorës si letërsi, duke përzgjedhur bukur detajet. “Personazhi im nuk mund të mbartëte të gjithë barrën e kohës që vrapon. Unë mendova që në një farë mënyre të heq ato që quhen qelqe, ose dritare dhe ta lë realitetin në njërin plan të filmit të zhveshur. Do të ishin këto detaje ndihmëse, pikërisht ato që do ta mbanin personazhin tim me dy këmbët fort në tokë”, - thotë regjizori.

Pra, ka qenë kjo zgjidhje e skenaristit dhe regjizorit Vasi që na përfshin në plan detajet e këtij filmi të gjithë vëmendjen tonë. Kjo do të thotë se Vasi edhe shikuesin e bënë në një farë mënyre nëpërmjet mesazhit të filmit që të zbresë me këmbët në tokë. Duke punuar gati një vit me këtë film, tani që ai ia ka mbërritur ta realizojë mirë artistikisht ndihet edhe i kënaqur që nuk u ka mëshuar në mënyrë emocionale planeve personale në marrëdhëniet me personazhet. Në fokus këtë herë është vendosur personaliteti në shtjellën e ndikimeve shoqërore. Këtu nis edhe loja paradoksale me disa situata të çuditshme të cilat përditë i shohim më emisione televizive, por nuk i kemi vënë re aq imët. Raste të thellimit të groteskut janë plan detajet dokumentareske ku reporteri bën pyetje të tilla, si: A ndikon hyrja e Shqipërisë në NATO në shtimin e numurit të divorceve, dhe të bën të qeshësh se si një fshatar i thjeshtë është aq i kthjellët sa të thotë se kjo s’ka lidhje, dhe një analist ose analiste bashkëkohore në një emision televiziv zhvillon konkretisht një lekturë të tërë groteske për marrëdhëniet ose jo të divorcit me NATO-n, pra i përgjigjet kësaj pyetjeje shumë shumë seriozisht. Fragmente të marrisë kolektive, të mbetura si rudimente nga e shkuara janë edhe ato kur një një reporter pyet një oficer të moshës së mesme se çdo të bënte ai, nëse gruaja do ta tradhëtonte, ndërkohë ai i përgjigjet se “do të ndërtojë një skicë-ide për t’i shkaktuar sa më shumë dhimbje asaj”. Ndërthurja e këtyre realitetve shqiptare dhe dukurive që janë krijuar e bashkuar me një realizim fiction të lojës filmike kanë dhënë mesazhin që edhe vetë regjizori do të dëshironte ta jepte, i cili konkretisht pohon se në 30 vitet e punës në fushën e medias ai ka pasur aq preokupim për këto dukuri sa “përzgjedhja e materialeve është e kahershme”. “Po të shikosh me vëmendje edhe pse thelbi i këtij filmi është makutëria për lekët, ose korrupsioni, çdokush nga ne ka atë kohën e caktuar, një gjysëm ore, së paku, meditim që e ul kokën dhe thotë: “Po unë, ku jam!”. Bashkimi i përvojës si gazetar me pasonin për fillmin, këtë herë duket se ia ka bërë të mundur simbiozën e të dy planeve filmike edhe në rrafshin artistik e atë estetik.

Duke biseduar me regjizorin për episodet filmike, ai thotë se “me gjithë komedinë tepër dramatike, po ta shohësh filmi të lë alternativa...”. Dhe, Pluton Vasi është nga ata regjizorë e gazetarë njëherësh që mendon se: “njeriu duhet të shfrytëzojë në maksimum, jo vetëm mundësitë, por dhe pamundësitë!”. Kësaj duket se ia ka arritur duke bërë një film ku zakonisht mundësitë janë të pakta me atë organizim institucional që ka sot kinematografia shqiptare. Vasi tashmë ka krijuar një personazh filmik të veçantë si obezi Peci Poro, që të bëjë të mundur të flas, siç thamë më sipër, disa gjuhë figurative dhe të mbahen sytë nga ai, pra të dëgjohet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›