E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konferencë e përbashkët për shtyp e kryeministrave të vendeve të Kartës së Adriatikut, Berisha, Sanader, Gruevski

Pas takimit me Presidentin Bush, Kryeministri shqiptar Sali Berisha, Kryeministri i Kroacisë Ivo Sanader dhe Kryeministri i Maqedonisë Nikola Gruevski dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp.

Kryeministri Berisha: Me miqtë e mi të çmuar dhe të shquar, Ivo Sanader dhe Nikola Gruevski, po vijmë pas një takimi të gjatë me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W Bush, nga një drekë nga e cila shpresoj të kenë mbetur të kënaqur. Në këtë takim, projekti më kryesor i kombeve dhe vendeve tona, anëtarësimi në NATO ishte çështja kryesore e bisedimeve. Në këtë takim u diskutuan gjithashtu dhe probleme të tjera të bashkëpunimit rajonal dhe atij bilateral.

Unë personalisht, por shpresoj se dhe miqtë e mi, u ndamë me Presidentin Bush me një inkurajim shumë të madh për vendosmërinë që gjetëm tek Presidenti për të mbështetur vendet tona në përpjekjen e tyre për të marrë ftesën në Samitin e Bukureshtit, vlerësimin e tij për reformat dhe përpjekjet e vendeve tona, ndjeshmërinë e tij ndaj pjesëmarrjes sonë të përbashkët në operacionet e NATO-s dhe të Pentagonit në Afganistan, Irak apo dhe në vende të tjera. Natyrisht procesi i anëtarësimit në NATO është një proces i bazuar në performancë, por mund të konkludojmë se në Shtëpinë e Bardhë dhe tek Presidenti Bush ne kemi mbështetjen më të fuqishme.

Kjo ditë historike për kombet tona konkludon me lajme shumë të mira për to. Për këtë arsye, ne mbetemi të vendosur të bashkëpunojmë më ngushtë me njëri tjetrin, të plotësojmë të gjitha kërkesat e ciklit të 9-të të Planit të Veprimit për Anëtarësim dhe bashkërisht të meritojmë ftesën në Samitin e Bukureshtit. Ju faleminderit

Kryeministri kroat Ivo Sanader: Së pari, dëshiroj të falenderoj Kryeministrin shqiptar Sali Berisha për organizimin e shkëlqyer të takimit me Presidentin Bush. Ne e çmojmë shumë përfshirjen dhe mbështetjen e Presidentit Bush për realizimin e dëshirës së vendeve tona për tu anëtarësuar në NATO. Për Rebublikën e Kroacisë mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e Presidentit Bush është e një rëndësie të veçantë, duke pasur parasysh se ne e presim ftesen në Samitin e nivelit të lartë në Bukuresht. Kjo javë për Kroacinë ka qenë java e NATO-s. Zhvillova një vizitë në Bruksel dha pata bisedime të sukseshme atje.

Sëbashku diskutuam me Presidentin Bush edhe për çështje të situatës në rajon, në Evropën Juglindore dhe të tre vendet tona i deklaruan zotit Bush se ne jemi për zgjidhjen paqësore të çështjeve të mbetura ende pezull në këtë rajon. Ne e çmojmë shumë rolin e Presidentit Bush në këtë pikë. Presidenti Bush na informoi gjithashtu për bisedimet e tij me udhëheqësit e G8-ës në lidhje me çështjet e këtij rajoni. Mesazhi më i mirë për të tre vendet tona ishte mbështjeta e SHBA-ve për anëtaresimin në NATO, kur ne të kemi plotësuar kriteret e duhura dhe unë besoj që të tre vendet tona do të arrijnë ta bëjnë këtë, në Samitin e vitit të ardhshëm. Ne aspirojmë të bëhemi jo vetëm anëtarë të NATO-s, por edhe anëtarë të BE-së dhe të tre vendet tona kanë nivele të ndryshme të afrimit me BE-në. Me realizimin e qëllimeve tona për futjen në NATO dhe në BE, mendojmë se do realizohet dhe stabilizimi politik i rajonit.

Duke konkluduar, më lejoni tu them se takimi ynë i sotëm është një hap tjetër më pranë anëtarësimit tonë në NATO në vitin 2008.

Kryeministri maqedonas Nikola Gruevski: Edhe unë gjithashtu dua të falenderoj Kryeministrin Sali Berisha për organizimin shumë të mirë të kësaj ngjarjeje historike, jo vetëm për tre vendet tona, por për gjithë rajonin. Marrja e ftesës nga ana jonë vitin tjetër për tu anëtarësuar në NATO, do të jetë një sinjal shumë pozitiv për të gjitha vendet e tjera të rajonit. Presidenti Bush ishte shumë i hapur në lidhje me ftesën ndaj vendeve tona për tu bërë anëtarë të NATO-s dhe ne mund të mbështetemi tek përkrahja e tij. Presidenti Bush e shprehu në mënyrë të vendosur ftesën e tij për të tre vendet tona që të marrim ftesën vitin tjetër në Samitin e Bukureshtit, për anëtarësim të plotë në NATO. Prej nesh kërkohet realizmi i të gjitha reformave për të arritur në momentin e marrjes së ftesës për anëtarë me të drejta të plotë të NATO-s, por, dhe pas kësaj, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të rritur standardet.

Presidenti Bush na falenderoi për të gjitha reformat dhe arritjet e deritanishme që kanë kryer vendet tona. Ne gjithashtu përfituam nga rasti të informonim zotin Bush për çështje të ndryshme si situatën në rajon, gjendjen në Kosovë, për politikat financiare, politikat në arsim, si dhe çështje të tjera si lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. Ne biseduam gjithashtu edhe për përpjekjet e përbashkëta që ushtarët tanë bënë në Afganistan dhe Irak, si dhe politikat tona të përbashkëta për të luftuar terrorizmin.

Pyetje: Z. Berisha, takimi i 3 kryeministrave me Presidentin amerikan Bush do të thotë përkrahje për Kosovën? Së dyti, a do të thotë ky takim dhe kjo vizitë e Presidentit Bush nxjerrje e Ballkanit nga lista e zezë ku ka qenë për shumë kohë?

Kryeministri Berisha: Në takimin dypalësh dhe në takimin shumëpalësh që zhvilluam me Presidentin Bush, Presidenti na siguroi se ai është plotësisht dhe tërësisht i vendosur për pavarësinë e Kosovës, si zgjidhja e vetme e problemit të saj. Sikundër, ai është i vetëdijshëm për pasojat që mund të ketë zgjatja e panevojshme dhe e pajustifikueshme e këtij procesi. Unë mendoj se Presidenti gjeti tek të tre kryeministrat mendime dhe qëndrime të njëjta për problemin e Kosovës. Mund të them se ai ishte i interesuar për mendimet tona dhe ne ia shprehëm ato.

Pyetje: Zoti Gruevski, ç'mund të na thoni lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë.

Kryeministri Gruevski: Mendoj se ne lidhje me emrin kushtetues të Maqedonisë ne do të vijmë në një zgjidhje. Jemi duke zhvilluar diskutime me Greqinë dhe së shpejti do të gjejmë një zgjidhje në Kombet e Bashkuara për këtë çështje

Pyetje: Cilat do të jenë hapat e përbashkëta mes 3 vendeve në të ardhmen?

Kryeministri kroat Sanader: Ne do vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë dhe të vazhdueshëm, duke synuar anëtarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian për të 3 vendet. Sigurisht, në horizont, në radhë të parë, është anëtarësimi në NATO, sepse ne jemi të inkurajuar nga takimi që patëm sot me Presidentin Bush që Samiti i ardhshëm i NATO-s mund dhe do të nënkuptonte një ftesë për ne, për anëtarësim. Ju e dini që bashkëpunimi jonë është në kuadër të Kartës Adriatik 3 dhe ky bashkëpunim ka qenë i ngushtë, i frytshëm dhe ai do të vazhdojë më tej. Secili prej vendeve tona ka diçka për të bërë, por deri në takimin e ardhshëm në Samitin e NATO-s, jam i bindur – dhe këtu flas në emër të të tre vendeve – se ne do të kemi përmbushur këto reforma të brendshme.

Pyetje: A keni diskutuar me Presidentin Bush se çfarë do të vendoset, në qoftë se vendimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën do të vonohet?

Kryeministri i Maqedonisë, Gruevski: Gjatë takimit me Presidentin Bush, ne diskutuam edhe çështjen se si do të jetë statusi final i Kosovës. Ashtu siç u tha edhe më parë, Presidenti Bush na informoi lidhur me atë se çfarë u diskutua në mbledhjen e G8-ës. Ai na paraqiti opinionet e ndryshme që janë shfaqur, si dhe opsionet e zgjidhjeve. Ne, të gjithë së bashku, shkëmbyem informacione lidhur me këtë çështje. Faktikisht të tre vendet tona mbështesin planin Ahtisari.

Kryeministri i Kroacisë Sanader: Po e përsëris edhe njëherë pozicionin tonë që gjithmonë ka qenë i komunikuar. Ne mbështesim planin Ahtisari dhe njëkohësisht ne negociojmë me Bashkimin Europian dhe ne mbështesim partneritetin transatlantik midis BE-së dhe SHBA dhe përsëris se mbështesim planin Ahtisari.

Kryeministri Berisha: Është e sigurt se udhëheqja e Kosovës nuk ka arsye për të ndërmarrë veprime të njëanshme. Ne ishim dëshmimtar të konceptit të qartë, të shkëlqyer dhe të vendosmërisë së Presidentit Bush për të zgjidhur problemin.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›