E Diel, 1 Nëntor 2026

Konferencë për shtyp e Kryeministri Berisha së bashku me ministrin italian të Ekonomisë z. Scajola dhe Zv/ministrin z. Urso

 -       Në përgjigje të interesit të medias, Kryeministri Berisha u shpreh se “ambicia kryesore e vendit tim është të kthehemi në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ne jemi të vendosur që në vitet e ardhshme të vëmë në përdorim të gjitha burimet që do të shndërrojnë Shqipërinë në një eksportues të madh të energjisë”
 
Pas pjesëmarrjes në Forumin mbi Investimet në Evropën Juglindore, në Verona, Kryeministri Berisha së bashku me Ministrin e Ekonomisë Claudio Scajola dhe Zëvendësministrin Adolfo Urso mbajtën një konferencë për shtyp për mediat shqiptare dhe ato italiane, me prani të madhe në këtë aktivitet të madh e të rëndësishëm, i pari i këtij lloji në Itali, që synon forcimin e mëtejshëm të lidhjeve ekonomike mes Italisë dhe vendeve të Evropës Juglindore. Kryefjala edhe në këtë konferencë për shtyp ishte diversifikimi i prodhimit të energjisë.   
 
Kryeministri Berisha në fjalën e tij u shpreh: "Për mua ishte një fat me të vërtet i madh që e hapa vizitën time zyrtare në Itali me këtë eveniment të rëndësishëm, për të pasqyruar para investitorëve italianë potencialet dhe mundësitë e mëdha të Shqipërisë. Do të desha të nënvizoja që nesër unë do të firmos së bashku me Kryeministri italian Silvio Berluskoni një marrëveshje të partneritetit strategjik midis dy vendeve tona, një marrëveshje që do të konsolidojë raportet tona të shkëlqyera. Unë kam qenë përherë i bindur që Shqipëria dhe rajoni i Ballkanit përfaqësojnë një treg me interes shumë të madh për investitorët italianë. Unë jam shumë i lumtur që Kryeministri italian Silvio Berluskoni ka zhvilluar më tej këtë vizion. Pikërisht, fakti që sot, ne jemi të mbledhur këtu, me përfaqësues nga atë gjitha vendet e Ballkanit, tregon progresin e këtij vizioni. Ne, në Shqipëri jemi duke bërë gjithçka, jemi duke aprovuar çdo ligj, jemi duke marrë e aprovuar çdo vendim për të krijuar klimën më të favorshme për investimet e huaja në të gjitha fushat. Ne kemi vuajtur nga kriza ekonomike botërore, por nuk shkuam në recesion ekonomik.
 
Këtë janar eksportet shqiptare janë dyfishuar, krahasuar me janarin që shkoi. Por ajo që ka qenë shumë domethënës është fakti që edhe eksportet e fasonëve janë rritur me 16 për qind dhe më gëzon fakti që pjesa më e madhe e tyre janë investitorë italianë, të cilët punojnë në sektorin e tekstileve etj. dhe pata shumë kënaqësi kur pashë se eksportet e sektorit të fasonëve ishin rritur me këtë përqindje domethënëse, sepse në këtë sektor janë të punësuar  qindra e mijëra punëtorë shqiptarë. Duke e mbyllur, unë dua të shpreh edhe një herë ftesën time drejt jush, investitorëve të Veronës dhe atyre italianë në përgjithësi, për të investuar në Shqipëri, duke ju siguruar se qeveria ime, si dhe ambasada italiane në Shqipëri, e cila jep një kontribut të vyer dhe bën një punë të shkëlqyer në këtë drejtim, së bashku do të bëjmë gjithçka që për secilin nga ju që do të vendosë të investojë në Shqipëri të keni një histori suksesi.
 
Ju faleminderit!”
 
Lidhur me interesin e mediave italiane për vizionin e dy qeverive për t’iu kthyer energjisë nukleare, Kryeministri Berisha dhe ministri italian i Ekonomisë z.Scajola
u shprehën: 
 
Kryeministri Berisha: Ambicia kryesore e vendit tim është të kthehemi në një superfuqi energjetike rajonale, që do të thotë se ne jemi të vendosur që në vitet e ardhshme të vëmë në përdorim të gjitha burimet që do të shndërrojnë Shqipërinë në një eksportues të madh të energjisë. Ky është vizioni i qeverisë sime dhe sipërmarrjet italiane do të jenë të mirëpritura të kontribuojnë në këtë vizion.
Ministri i Ekonomisë z.Claudio Scajola: Italia përfshihet  në projektet nukleare, sepse beson në to. Dhe ashtu siç po orientohen vendet në të gjithë botën, ajo beson se energjia e pastër për të mbrojtur ambientin dhe energjia me kosto të qëndrueshme në Evropën qendrore do të thotë rikthim në energji nukleare për prodhimin e energjisë elektrike për përdorim civil. Po ndodh në të gjitha vendet. Janë aktualisht 60 projekte në botë në rrugë për të marrë autorizimin. Italia është i vetmi vend i G8 - ës që nuk prodhon energji elektrike nga burimet nukleare. Kemi ndërmend ta prodhojmë vet atë duke rikuperuar traditën tonë teknologjike dhe industriale në bashkëpunim me Francën, SHBA-në dhe Rusinë.11/02/2010

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›