Kryeministri Berisha takohet me Ministrin Italian të Ekonomisë Claudio Scajola
- Ministri italian i Ekonomisë Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme.
Kryeministri Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Itali, zhvilloi një takim të veçantë me Ministrin italian të Ekonomisë Claudio Scajola, në Pallatin e Prefekturës së Veronës. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Dritan Prifti.
Në këtë takim u diskutua gjerësisht për bashkëpunimin dypalësh në fushën e energjisë. Ministri italian i Ekonomisë Scajola ritheksoi edhe njëherë rëndësinë e Shqipërisë si partnere e rëndësishme e Italisë në zhvillimin e burimeve të prodhimit të energjisë së rinovueshme. Mbështetja e qeverisë italiane ndaj këtyre projekteve është e padiskutueshme, si dhe mbështetja për projektin e linjës së interkonjeksionit nënujor Shqipëri –Itali, tha ai. Qeveria italiane gjithashtu mbështet edhe projektet e ardhshme, private e publike, në fusha të ndryshme me interes të përbashkët. Ai theksoi se politikat dhe strategjitë e të dy qeverive në fushën e energjisë konvergojnë dhe Italia do të vazhdojë të kryesojë iniciativa rajonale në këtë drejtim. Z. Scajola i vuri në dukje Kryeministrit se ai dhe qeveria italiane janë të impresionuar me sukseset e ekonomisë shqiptare, në kushtet e krizës globale.
Kryeministri Berisha, pasi falënderoi qeverinë italiane për mbështetjen e vazhdueshme të të gjitha iniciativave dhe reformave të ndërmarra në vend, ritheksoi rëndësinë dhe fokusimin në koordinimin e punës për të çuar drejt suksesit projektet në fushën e energjisë së rinovueshme. Kryeministri Berisha i shprehu edhe njëherë Ministrit Scajola ambicien dhe objektivin e qeverisë shqiptare për ta kthyer Shqipërinë në një nyjë strategjike për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe eksportimin e saj, gjë që ndihmon në zhvillimin e qëndrueshëm dhe me standarde të larta ambjentaliste të ekonomive të rajonit, përfshi Italinë, dhe që garanton furnizimin e pandërprerë të ekonomive dhe popullsisë me energji, pavarësisht konjukturave ndërkombëtare të tregut, si dhe ofron energji me kosto të ulët për popullsinë dhe ekonominë. Kryeministri theksoi se mbështetja e projekteve italiane në fushën e energjisë hidrike dhe të erës, nëpërmjet garancisë financiare nga Instituti Italian për Garantimin e Investimeve të Huaja, për këto projekte, do të përshpejtojë financimin dhe implementimin e tyre.
Më tej, Kryeministri theksoi që zhvillimi i vrullshëm i sektorit energjetik në Shqipëri e bën të domosdoshme linjën e interkonjeksionit nënujor Shqipëri – Itali, si arterie e domosdoshme e lidhjes së tregut shqiptar me atë europian, nëpërmjet Italisë. Përfitimet janë të gjithanshme, prandaj sinergjia e të dy qeverive në këtë drejtim është garanci e suksesit edhe në projektet e tjera. Kryeministri shprehu nevojën e bashkëpunimit me qeverinë italiane, në mbështetje dhe të projekteve të tjera italiane në fushat e fasonit, parqeve industriale, e sektorë të tjerë.
Në takim, të dy personalitetet ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi i dy qeverive duhet të vazhdojë intensiv dhe në fushën e energjisë bërthamore. Institucionet dhe agjencitë përkatëse të të dy vendeve, të sapo krijuara, duhet të përforcojnë bashkëpunimin, në mënyrë që të kthejnë në rajonal projektin e ndërtimit të një centrali bërthamor, i cili do të rrisë burimet e energjisë së rinovueshme dhe do të garantojë tregun rajonal dhe atë italian me energji në afat të gjatë.
Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e projekteve ndërkombëtar të gazit që përfshijnë Shqipërinë dhe Italinë, si një tjetër kusht i domosdoshëm i krijimit të një tregu të qëndrueshëm energjie, me qendër në Shqipëri, që shton garancitë dhe pavarësinë e furnizimit me energji dhe me gaz. Këtu ai përmendi projektin TAP, projektin Falcone, dhe ACG.
Ministri italian i Ekonomisë Scajola i premtoi Kryeministrit Berisha thellimin e bashkëpunimit në projekte konkrete në këto fusha. Ai shprehu sigurinë se takimi i Kryeministrit Berisha me Kryeministrin Berluskoni dhe firmosja e marrëveshjeve dypalëshe, do të kurorëzojë bashkëpunimin dhe do të garantojë suksesin e strategjive të të dy qeverive në fushën e energjisë. Z. Scajola shprehu besimin se qeveria shqiptare, shumë shpejt do të plotësojë objektivat vizionarë për kthimin në një qendër të prodhimit dhe eksportimit të energjisë së rinovueshme. 11/02/2010