Presidenti Topi priti Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç.

11 shkurt 2010
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Kryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Ranko Krivokapiç dhe delegacionin që e shoqëron, në kuadër të vizitës së tij të suksesshme zyrtare në vendin tonë.
Pasi u uroi mirëseardhjen në Shqipëri, Presidenti Topi i shprehu Kryetarit të Parlamentit malazez, Krivokapiç, vlerësimin për marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve dhe popujve tanë miq dhe fqinjë, të cilat do të thellohen dhe të konsolidohen më tej në të ardhmen, në të mirë edhe të nxitjes e përparimit të proceve integruese evropiane të Shqipërisë dhe Malit të Zi. “Në këtë drejtim”, - u shpreh Kryetari i Shtetit, - “vizita të tilla nxisin dhe rrisin dialogun parlamentar dhe janë thelbësore për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes politikanëve të vendeve tona”.
Në vijim të bisedës, bashkëbiseduesit vlerësuan se një element domethënës në kuadër të realizimit të reformave integruese është dhe rritja e kontakteve dhe shkëmbimi i përvojave në nivele specialistësh e më gjerë ndërmjet strukturave parlamentare të dy vendeve respektive. Presidenti Topi theksoi në këtë takim se në kuadër të lehtësimit të mëtejshëm të regjimit të vizave që Shqipëria po përpiqet të arrijë me BE-në, "ne vlerësojmë së tepërmi bashkëpunimin dhe përvojën malazeze". “Shpreh besimin se kjo do të rriste kontaktet mes popujve tanë, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave si dhe do t’i japë më shumë shtytje intensifikimit të bashkëpunimit dypalësh në fushat me interes të ndërsjelltë, sidomos në sektorin ekonomik e turistik, në ruajtjen dhe shfrytëzimin më të mirë të mjedisit dhe pasurive natyrore, etj.” – nënvizoi Presidenti Topi.
Kryeparlamentari malazez Krivokapiç pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen theksoi se takime mes politikanësh në nivelet e larta thellojnë dhe nxisin bashkëpunimin parlamentar duke ndihmuar ecjen përpara në rugën e përbashkët drejt anëtarësimit në NATO dhe në Bashkimin Europian, z. Krivokapiç vlerësoi dhe përgëzoi për hyrjen e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut.
Në përfundim të takimit, Presidenti Topi shprehu dhe i përcolli përshëndetjet më të ngrohta e miqësore, Presidentit të Repubikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe dy Ambasadorët e Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Malit të Zi në Tiranë, Zheljko Peroviç dhe të Republikës së Shqipërisë, Tonin Beci.