Kryeministri Berisha niset për një vizitë dyditore në Itali
Kryeministri Berisha u nis sot për një vizitë zyrtare në Itali, me ftesë të Kryeministrit të Italisë, zotit Silvio Berlusconi.
Në ditën e parë të kësaj vizite, Kryeministri Berisha është i ftuar nderi në Forumin Ekonomik “Italy and South Eastern Investment Formum”, i cili zhvillohet në Verona, në të cilin Kryeministri Berisha do të mbajë një fjalë përshëndetëse. Gjatë këtij aktiviteti, Kryeministri Berisha do të takohet me Ministrin e Ekonomisë të Italisë, zotin Claudio Scajola si dhe me përfaqësues të grupeve të biznesit, pjesëmarrëse në këtë Forum.
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Itali, Kryeministri Berisha do të zhvillojë takim me Presidentin e Dhomës së Deputetëve të Italisë, zotin Gianfranco Fini, në Pallatin Montecitorio dhe më pas, do t’i drejtohet Pallatit Chigi, ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare dhe takimi me Kryeministrin e Italisë, zotin Silvio Berlusconi. Dy homologët do të nënshkruajnë edhe Dokumentin e Partneritetit Strategjik.
Në fund të vizitës së tij zyrtare në Itali, Kryeministri Berisha do të pritet në takim në Campidoglio nga Kryetari i Bashkisë së Romës, zoti Gianni Alemano.11/02/2010