Konferencë për shtyp e Kryeministrit Berisha, në takimin me përfaqësues të medias në mbyllje të vitit

Shfrytëzoj këtë rast t’ju përshëndes shumë përzemërsisht dhe shpreh kënaqësinë që keni ardhur sot, këtu. Në asnjë rrethanë, nuk mund ta mbyll vitin pa bërë para gazetarëve dhe, nëpërmjet tyre, para shqiptarëve një bilanc të këtij viti.
Unë besoj se viti 2007 është viti në të cilin shqiptarët janë ndjerë më të lirë, më të sigurt, më të begatë dhe më të respektuar.
Ky ishte një vit reformash të thella, të mishëruara në mbi 852 ligje, vendime, udhëzime dhe akte normative.
Qytetarët shqiptarë janë ndjerë më të lirë, sepse konstatimi i përgjithshëm, edhe i institucioneve ndërkombëtare, është se qeveria në tërësi respektoi liritë e të drejtat e qytetarëve. Ky konkluzion i Komisionit Europian, por dhe i institucioneve të tjera dëshmon se institucioni që mund të jetë dhe abuzuesi më i rrezikshëm për të drejtat është treguar i vetëpërmbajtur dhe ka zbatuar ligjet në raport me qytetarët e saj. Duke thënë këtë, nuk dua të pohoj se nuk ka pasur probleme të lirive dhe të drejtave të njeriut në institucionet e vuajtjes së dënimit dhe në aspekte të tjera.
Këtë vit, mediat shqiptare besoj se kanë qenë më të lira se asnjëherë. Kjo është hera e parë që nuk është regjistruar asnjë rast dhunë ndaj gazetarëve të mediave të shkruara apo elektronike, parlamentarë të fjalës së lirë, e cila, në çdo rrethanë, është e dënueshme dhe e papranueshme. Çdo kufizim mbi të është kushtëzim mbi hapësirat e lirisë së fjalës. Ka pasur një rast fatkeq të gazetarit Çelo Hoxha, të cilit, mendoj se shefi i opozitës aktuale duhet t’i kërkojë falje para se të mbyllë vitin dhe për shkak të një regjistrimi që nuk kishte të bënte me fjalën e lirë, por me regjistrimin e të ndjerit dhe të respektuarit Akile Rama në regjistrin e kandidatëve në zgjedhjet lokale, por ai ishte gazetar.
Në këtë vit, nuk ka asnjë raportim të ndërhyrjes së qeverisë apo dhe institucioneve të tjera në politikat editoriale dhe botuese të mediave të shkruara apo elektronike. Sikundër mediat kanë shkruar çdo gjë që kanë dashur dhe në rastet më ekstreme, të shpifjeve dhe trillimeve nuk është ndërmarrë asnjë padi civile apo penale, një standard i shkëlqyer ky, pavarësisht nga tejkalimet. Së pari, në trendin modern të qëndrimit ndaj mediave është dekriminalizimi i shpifjeve dhe ky standard është zbatuar nga administrata jonë, ndonëse ligji që ka dërguar qeveria është në parlament dhe unë shpresoj që ai të votohet së shpejti. Së dyti, padia civile do të ishte një dënim shumë i rëndë për mediat dhe kjo nuk është ndërmarrë ndaj tyre. Natyrisht ju jeni dëshmitarë të faktit se askush nuk ka mundur të përdorë mediat për presscapture. Raporte më të paqta se këto nuk mund të ketë midis mediave dhe një administrate. Ju garantoj se vitin që vjen këto raporte do të jenë edhe më të konsoliduara.
Shteti ligjor, emëruesi i përbashkët i funksionimit të një shoqërie të lirë, me gjithë problematikën e tij, ka funksionuar. Vendi kaloi disa prova të mëdha, kaloi zgjedhjet lokale që, pas rishqyrtimeve të tëra, rezultoi të ketë pasur defekte të karakterit teknik. Asnjë interferencë nga cilido institucion nuk është raportuar në drejtim të përpjekjeve për ndryshim rezultati të këtyre zgjedhjeve, çka do të thotë se qytetarët shqiptarë shprehën lirisht vullnetin e tyre. Pati probleme teknike të lidhura me certifikatat dhe me listat, por që, fatmirësisht, në 80 për qind të tyre ishin në duart e opozitës dhe jo të qeverisë, sepse do të ishte edhe më e rëndë, në qoftë se defektet teknike do të ishin bërë për shkak të qeverisë. Sidoqoftë po merren masat që këto defekte teknike të mos përsëriten më, nëpërmjet dy programeve të mëdha që janë në vazhdim: regjistrit elektronik të gjendjes civile dhe kartave të identitetit.
Vendimet e qeverisë dhe normat e saj ligjore janë marrë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.
Vendimet e gjykatave janë zbatuar me vendosmëri shumë të madhe dhe kanë zbatueshmëri, të krahasueshme me disa vende anëtare të Bashkimit Europian, sipas një studimi që ka bërë një mision i huaj për zbatimin e vendimit të gjykatave në Shqipëri. Me këtë nuk dua të them se nuk ka nevojë për përmirësim, në mënyrë të padiskutueshme ka vend për përmirësim, por të paktën është arritur një nivel i tillë. Zbatimi i vendimeve të gjykatave vlerësohet, para së gjithash, nga zbatimi i vendimeve që kanë të bëjnë me vlera monetare, në radhë të parë, të vendimeve që kanë të bëjnë me vlera monetare detyrime të shtetit ndaj shtetasve, por edhe të shtetasve ndaj njëri tjetrit. Në këtë kontekst, është pozitive arritja e një niveli që ekziston edhe në disa vende të BE-së, por që duhet përmirësuar më tej.
Gjatë këtij viti, nuk ka pasur probleme me të drejtat e minoriteteve dhe përpjekje serioze janë bërë në drejtim të një ndryshimi në të drejtat e romëve dhe komunitetit egjiptian, që sërish mbeten problematike.
Gjatë vitit 2007, Shqipëria bëhet me qeverinë më të vogël për frymë në Europë dhe kjo përbën një arritje të madhe për të gjithë ata që paguajnë taksat. Raportet ndërkombëtare informojnë se janë shkurtuar 33 për qind e punonjësve të administratës dhe 16 për qind e punonjësve të Shërbimit Civil. Shqipëria ka një qeveria realisht të vogël. Dhe nuk është shkurtuar vetëm numri i punonjësve, por janë shkurtuar në mënyrë të qartë e në proporcion edhe shpenzimet operative. Në qoftë se ato kanë qene rreth 3 për qind e Prodhimit të Brendshëm, kanë zbritur në 2.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm, duke i kursyer taksapaguesve shqiptarë rreth 100 milion euro nga paratë e tyre.
Në kuadrin e reformimit të institucioneve, janë krijuar dhe kanë funksionuar institucione të reja si Autoriteti i Mbikëqyrjes të Tregjeve Financiare Jobankare, Agjencia e Garantimit të Eksporteve, Njësia e Koncesioneve apo Partneritetit Publik Privat, Agjencia e Shoqërisë së Informacionit. Po ashtu është vendosur mbi baza të reja ligjore arsimi i lartë i Republikës së Shqipërisë, Policia e Shtetit, një seri reformash janë ndërmarrë në fushën e mbrojtjes, janë reformuar rrethet gjyqësore të vendit, është reformuar regjistrimi i biznesit dhe është krijuar Qendra Kombëtare e Regjistrimit të biznesit me një sportel të vetëm.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar trajtimit të administratës, ku, për herë të parë, janë vendosur kritere të reja në rekrutimin e të graduarve, sikundër janë vendosur kritere të reja edhe për shpërblimin e të graduarve dhe të titulluarve. Kështu në administratën shtetërore shpërblehen më shumë për të njëjtin vend pune me 300 mijë lekë doktori i shkencave dhe profesori, shpërblehet me 180 mijë lekë të graduarit me master pas universitar jashtë vendit dhe me 100 mijë lekë ata me master pas universitar brenda vendit.
Gjithashtu ne kemi bërë përpjekje për të ndryshuar situatën në institucionet e vuajtjes së dënimit, ndonëse sërish këto institucione janë në një gjendje që kërkohen përmirësime të mëdha. Por dua t’ju informoj se janë ristrukturuar të gjitha burgjet e vendit dhe janë ndërtuar të reja, si dhe po ndërtohen paraburgime. Të paraburgosurit nuk janë më në autoritetin e Policisë së Shtetit, por tashmë të gjitha janë në varësinë dhe autoritetin e Ministrisë së Drejtësisë. Norma e ushqimit, e cila ishte një normë e viteve ’70, është zëvendësuar me një normë të re, e cila u përgjigjet të gjitha standardeve dhe kushteve normale të ushqimit të qytetarëve që vuajnë dënimin.
Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet një nga përparësitë madhore absolute të qeverisë së duarve të pastra. Rezultatet e kësaj lufte janë të dukshme. Ata, të cilët duan të lexojnë raportin e BE-së në nënkapitullin “Ekonomi tregu funksionuese”, do të konstatojnë se ky raport vlerëson se qeveria nuk ka ndërhyrë direkt apo indirekt në sektorin privat. Këtë do ta quaja një arritje historike për vendin dhe ju siguroj se qeveria nuk do të ndërhyjë kurrë në sektorin privat dhe kjo shënon fundin e klientelave. Besoj se të gjithë jeni dakord se dy vjet më parë ne morëm një ekonomi klienteliste, një ekonomi në të cilën ministrat kishin monopolet e tyre. Sot nuk ka më ministra me monopole, nuk ka më klientelë, nuk ka më raste të regjistruara, ku qeveria ndërhyn apo favorizon me arbitraritet dhe jashtë ligjit. Këtë unë e quaj një arritje shumë të madhe në luftën kundër korrupsionit.
Ky vit shënon një tjetër arritje të madhe: nuk ka prokurime publike direkte. Ky është viti i zbatimit me rigorozitet i ligjit të ri të prokurimeve. Prokurimet direkte kanë qenë një plagë e rëndë dhe, në rast se nuk bëheshin për qëllime korruptive, kanë shkelur rëndë parimin e garës. Ligji i ri nuk e lejon këtë dhe qeveria e ka zbatuar plotësisht atë. Këtë e konstaton edhe raporti i BE-së.
Këtë vit nuk ka pasur asnjë koncesion apo partneritet publik privat direkt dhe të gjitha janë dhënë me garë të hapur.
Siç e theksova, janë ulur me 1 për qind shpenzimet operative të qeverive.
Një rezultat tjetër spektakolar është rritja me 1 miliard dollarë e të ardhurave në arkën e shtetit.
Të gjitha këto rezultate janë arritur duke luftuar kontrabandën, korrupsionin, evazionin fiskal dhe në një situatë të uljes më të mëdha të taksave. Mendoj se kjo përbën një nga arritjet më të rëndësishme të vendit në luftën kundër korrupsionit. Në rast se ju i referoheni treguesve të ndryshëm, ato dëshmojnë se doganat shqiptare sot janë shumë e shumë herë më mirë se më parë. Po kështu tatimet janë disa herë më mirë, policia disa herë më mirë.
Rezultat tjetër i kësaj lufte ishte regjistrimi i rreth 47 mijë punonjësve dhe i mbi 20 mijë bizneseve të reja.
Për shkak të këtyre rezultateve, në vitin 2007 Shqipërisë iu akordua programi i ri i Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit.
Por korrupsioni mbetet sërish një problem serioz për vendin. Korrupsioni mbetet një problem serioz në tërësi për çdo vend dhe shumë më tepër për vendin tonë. Ka disa çështje që Shqipëria duhet të zgjidhë në raport me korrupsionin: së pari, penalizmin e të gjithë atyre, të cilët, nga viti ’96 e deri më sot, nuk janë penalizuar kurrë për korrupsion, gjykatësve dhe prokurorëve njësoj si zyrtarëve të tjerë.
Së dyti, kufizimin e imunitetit për korrupsion dhe kjo është dhe një nga kërkesat më kryesore të komunitetit ndërkombëtar për ne.
Së treti, transparencën e plotë të të ardhurave të partive politike. Unë jam zotuar se deri në muajin shkurt do të dërgojmë në parlament ligjin për transparencën e të ardhurave të partive politike. Ne jemi në negociata për kufizimin e imunitetit. Ju dje ishit dëshmitar se një eksponent kryesor i LSI-së më premtoi se do të votonin ligjin për kufizimin e imunitetit të deputetit, por sot konstatova një lloj kthesë nga një tjetër eksponent i kësaj partie. Theksoj se nuk ka gjë më të papranueshme që në një vend ku ka korrupsion, zyrtarët e tij të mbajnë imunitetin si mburojë. Dua të përgëzoj këtu ministrin Basha për aktin e tij të djeshëm dhe thirrjen që u bëri deputetëve të votojnë një standard, për të cilin vendi ka nevojë tepër urgjente. Unë nuk heq dorë nga përpjekjet e mia për të vendosur këtë standard, sikundër shpresoj se edhe institucione të tjera do të bëjnë këtë përpjekje. Barazia para ligjit në raport me të ardhurat publike dhe pushtetin duhet të jetë një nga detyrimet më madhore të çdo zyrtari, ndaj dhe imuniteti të mbetet për fjalën, deklaratën, për mbrojtjen e interesave të zgjedhësve, por jo për interesat personale të asnjërit.
Në kuadrin e luftës kundër korrupsioni, qeveria ka ndërmarrë digjitalizimin e një serie procedurash. Regjistrimi i biznesit bëhet në një sportel, me pagesën një euro, ka filluar taksa elektronike dhe deri tani kanë hyrë në këtë sistem rreth 200 biznese vip dhe do të vazhdojë të shtrihet në të gjitha rrethet, doganat janë elektronike, regjistri i penaliteteve bëhet së shpejti elektronik. Mendoj se nëpërmjet këtyre procedurave i jepet një përgjigje e merituar këtij kanceri që duhet luftuar pa ndërprerje çdo minutë, çdo orë, çdo ditë.
Lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar ka qenë një tjetër aspekt i qeverisë që unë drejtoj. Mbi 205 grupe dhe organizata kriminale janë vendosur para ligjit. Për dy vite me radhë, nuk është regjistruar asnjë incident me miliona turistë që kanë ardhur në Shqipëri.
Në janar të këtij viti hyn në fuqi liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë dhe në muajin shkurt ose mars nisin negociatat për liberalizimin e plotë të tyre. Krahas këtyre, lufta kundër krimit të organizuar ka ndihmuar shumë në shumëfishimin e investimeve dhe e ka bërë jetën e qytetarëve shqiptarë shumë më të sigurt.
Decentralizimi ka qenë një përpjekje tjetër madhore e qeverisë. Në vitin 2007 janë shënuar hapat më të mëdha që nga viti ’92 e deri më sot në procesin e decentralizimit. Kështu gjatë këtij viti, u decentralizua plotësisht vjelja dhe regjistrimi i biznesit të vogël, i cili, për fat të keq, ka pësuar një rënie, por kjo nuk duhet të na dekurajojë. Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtë me pushtetin lokal për të gjetur mekanizmin që kjo rënie në të ardhurat nga taksa e biznesit të vogël të rritet, por rruga më e mirë është mirëadministrimi i tyre. U decentralizua tërësisht Inspektorati i Ndërtimit, u decentralizuan tërësisht ujësjellësit dhe kanalizimet, u trefishua granti për qeveritë vendore, është katërfishuar ritmi i transferimit të pronave drejt qeverive vendore, është dërguar në parlament ligji për huamarrjen e qeverive vendore, është decentralizuar granti për arsimin dhe shëndetësinë. Midis qeverisë qendrore dhe asaj vendore është vendosur një partneritet që nuk ka ekzistuar më parë, po punohet me grupe të përbashkëta pune për t’ju dhënë përgjigjen më të mirë proceseve të decentralizimit, po modernizohet gjendja civile, regjistri i gjendjes civile po bëhet elektronik, vendoset sistemi i ri i adresave, janë në proces tenderimi kartat e identitetit dhe pasaporta digjitale.
Viti 2007 ishte viti i ndezjes së motorëve të investimeve të huaja. Qeveria punoi në dy drejtime: lehtësimit të barrës burokratike dhe, në këtë kontekst, arritje e vërtetë është vendosja e “one stop shop”, funksionimi i e-taksës elektronike, krijimi i Agjencisë së Garantimit të Eksporteve, krijimi i Fondit të Konkurrencës, zbatimi i ligjit të ri të koncesioneve, zbatimi i prokurimit elektronik, miratimi i ligjit për përgjegjësinë penale të personave juridikë, lufta me sukses kundër informalitetit si dhe përgjysmimi i kërkesave burokratike për licencat dhe lejet dhe thjeshtimi i tyre.
Viti 2007 është viti i revolucionit të vërtetë fiskal, i vendosjes së taksës së sheshtë me 10 për qind, e cila e pati një jehonë edhe në shtypin e madh botëror. Tarifat doganore në vitin 2007 u ulën në 2.7 për qind nga 8 për qind që ishin në vitin 2005. Krediti për ekonominë pësoi rritjen e dytë më të madhe në botë si ritëm.
“Shqipëria një euro” u zbatua në një seri kontratash të mëdha.
Investimet në tregun financiar u rritën. Dy gjigantë të financave evropiane, “Sanpaolo Imi” dhe “Societe Generale” zbritën në Shqipëri, kompani të mëdha sigurimesh si “Unica”, “Vienna Insurance”, Aspis janë instaluar gjatë këtij viti.
Gjithashtu gjatë këtij viti janë miratuar vendimet për ndërtimin e hidrocentraleve të kaskadës së Devollit, Skavica, me një investim total prej 1.6 miliard euro si dhe dhjetëra e dhjetëra hidrocentrale të tjera. Në Sh