Kryeministri Berisha uron besimtarët katolikë shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve

Me rastin festës së Krishtlindjeve, Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot Katedralen e Shën Palit në Tiranë, ku u prit nga Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita.
Kryeministri përcolli mirënjohjen e thellë për përkushtimin e qindra misionarëve të besimeve të ndryshme fetare që ndodhen pranë qytetarëve shqiptarë më në nevojë dhe që me humanizimin e tyre zëvendësojnë tek ata prindërit, familjen dhe shoqërinë.
“Shpreh kënaqësinë se me imzot Rrok Mirditën diskutova për një partneritet të ri mes qeverisë dhe institucioneve të kultit në mënyrë që të garantojmë shërbimet më të mira për ata që janë të skajuar për arsye të ndryshme. Ne duhet të përqendrohemi bashkërisht në komunitete që përjetojnë pasoja diskriminimi siç janë romët dhe egjiptianët për t`i nxjerrë nga kjo trashëgimi tepër e hidhur. Edhe njëherë urimet më të përzemërta në këtë ditë të madhe ”, u shpreh Kryeministri.