E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha uron besimtarët ortodoksë shqiptarë me rastin e Krishtlindjeve

Me rastin festës së Krishtlindjeve, Kryeministri Sali Berisha vizitoi sot selinë qendrore të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, ku u prit nga Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit  dhe i gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Anastas Janullatos.

Duke i përcjellë të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë urimet më të përzemërta, Kryeministri u shpreh se lindja e Krishtit përbën një nga ngjarjet më të mëdha të njerëzimit. 

“Gëzuar këtë ditë të madhe. Lindja e Krishtit është një nga ngjarjet më të mëdha të njerëzimit, është shpresa e përjetshme e njeriut, simboli i përpjekjes më të madhe, tolerancës, mirëkuptimit dhe dashurisë”, u shpreh Kryeministri Berisha. 

Duke iu referuar takimit të frytshëm me Kryepeshkopin Janullatos, Kryeministri theksoi se do të vendosë një dialog me drejtuesit e të gjitha komuniteteve fetare për të kërkuar kontributin dhe bashkëpunimin e tyre në ndihmë të komunitetit rom dhe atij egjiptian.  

“Unë pata me Hirësinë e tij, Janullatos një shkëmbim shumë të mirë pikëpamjesh. Këtë dialog do ta vendos me  të gjitha komunitetet fetare. Do të kërkoj bashkëpunimin dhe kontributin e tyre për të ndihmuar komunitetin rom dhe egjiptian, dhe shtresa të tjera në nevojë. Asgjë nuk mund të krahasohet me veprën e misionarit, asnjë formë dashurie nuk është më e njerëzishme se ajo e misionarit”, tha Kryeministri Berisha. 

Në këtë kontekst, Kryeministri theksoi se qeveria duhet të gjenden format më të përshtatshme të bashkëpunimit për të ndihmuar në mënyrë më efikase këto komunitete dhe grupe të tjera, të cilat për arsye të ndryshme janë të skajuara në shoqëri.

Duke vlerësuar rolin që kanë luajtur besimet fetare gjatë 15 viteve të fundit në Shqipëri, Kryeministri theksoi se duhet të fillojë një partneritet dhe bashkëpunim i ri me të gjitha institucionet fetare për të njohur kontributin e madh që ata japin ndaj shtresave në nevojë.  

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›