Kryeministri Berisha inspekton zonën e përmbytur në komunën Dajç, të qarkut Shkodër

është bërë një menaxhim eficent dhe deri tani janë shmangur të gjitha pasojat madhore, nuk kemi asnjë jetë të humbur, nuk kemi dëme të ndjeshme, mund të ketë në bagëti, ka sigurisht dëme në kulturat bujqësore, në ushqimin e blegtorisë dhe të tjera.
Sipas të gjitha parashikimeve sinoptike të vendit dhe të vendeve përreth Italisë, jemi para një moti të zgjatur dhe të thellë, pasi si sot parashikohen së paku edhe 10 ditët që vijnë.
Detyra dhe apeli është që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Të fillohet lagje më lagje dhe të bëjmë evakuimin maksimal të njerëzve. Duhet ta zvogëlojmë të keqen, duhet t’i dalim përpara.
Në vijim të inspektimit të zonave të prekura nga përmbytjet, Kryeministri Berisha u ndal në komunën Dajç, Bregu i Bunës. Kryeministri Berisha inspektoi zonën e përmbytur dhe argjinaturën e lumit Bunë dhe më pas, zhvilloi një takim me shtabin e emergjencës të prefekturës Shkodër dhe drejtues të komunës. Në takim morën pjesë edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministri i Brendshëm Lulzim Basha, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral brigade Maksim Malaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, Drejtori i Emergjencave Civile Alfred Olli dhe deputetë të zonës.
Kryeministri Berisha u takua me banorë të Dajçit, të cilët i këshilloi të evakuojnë shtëpitë për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. Kryeministri ju shprehu gatishmërinë e qeverisë për t’ju ofruar çdo ndihmë për kapërcimin e kësaj situate. Sikundër i siguroi se pasi të dilet nga kjo situatë, qeveria do të japë të gjithë mbështetjen për ripërtëritjen e zonës.
Pas takimit me shtabin e emergjencës, Kryeministri Berisha u shpreh:
“Së pari dëshiroj t’ju përshëndes ju, zoti kryetar, banorët e Dajçit, shtabin e emergjencës të prefekturës Shkodër, forcat e ushtrisë, të policisë dhe Emergjencës Civile, të cilat kanë ndarë me ju ditë dhe net përpjekjeje për të zvogëluar maksimalisht dëmet e kësaj përmbytjeje. Mendoj se është bërë një menaxhim eficent dhe deri tani janë shmangur të gjitha pasojat madhore, nuk kemi asnjë jetë të humbur, nuk kemi dëme të ndjeshme, mund të ketë në bagëti, ka sigurisht dëme në kulturat bujqësore, në ushqimin e blegtorisë dhe të tjera.
Por duke u nisur nga situata e këtyre orëve në Dajç, në Anë Mali, në Shkodër në tërësi, duke pasur parasysh faktin se jemi në një kohë që, sipas të gjitha parashikimeve sinoptike të vendit dhe të vendeve përreth Italisë, jemi para një moti të zgjatur dhe të thellë, pasi si sot parashikohen së paku edhe 10 ditët që vijnë, në mos edhe më gjatë. Realisht jemi në buzë të një katastrofe dhe kur themi katastrofë, them katastrofë e vërtetë. Rreziku i përmbytjeve është shumë tragjik. Përmbytjet kanë gjunjëzuar jo një herë por në mënyrë të përsëritur fuqitë më të mëdha të globit, të cilat kanë potenciale motorike e të gjithanshme mijëra herë më të mëdha se ne. Kjo është e vërteta. Detyra dhe apeli është që me urgjencë të fillojmë evakuimin për të shpëtuar e për të mos pasur nën kërcënim asnjë jetë njerëzore. është totalisht e papranueshme të barazosh rrezikun tënd me rrezikun e foshnjës apo të fëmijës tënd. Në qoftë se ti je një herë i kërcënuar si i rritur, e kam fjalën për kryefamiljarin, çfarëdo që të bësh ti, foshnja dhe fëmija yt është 10 herë i kërcënuar, në momentin e një përmbytjeje të madhe. Ndaj duhet të fillojmë në mënyrë të organizuar evakuimin me shpejtësi nga zona të fëmijëve, të grave, të të moshuarve, të sëmurëve. Unë i këshilloj të gjithë, edhe kryefamiljarët, por mund të ketë raste që edhe mund të rrinë, duke siguruar ndërlidhjen, mjetet, furnizimin. Zoti kryetar kjo është e domosdoshme.
Unë ju garantoj me gjithë vullnetin tonë të hekurt për t’ju siguruar çdo lloj ndihme. Në qoftë se situata që pamë atje sipër shtrihet edhe më gjerë, ajo do të bëhet e pamundur, sepse krijohen shumë probleme. Ndaj pa humbur kohë të fillojë evakuimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve, të fillohet evakuimi i gjësë së gjallë. Komuna të krijojë grupe çobanësh, - ne i paguajmë - që të marrin në mbikëqyrje gjënë e gjallë, lopë, të imta, të gjitha, t’i marrin dhe të dalin në komuna të tjera, ku nuk ka rrezik përmbytjeje. Ne duhet të zvogëlojmë maksimalisht dëmet. Ato që janë të pashmangshme janë të pashmangshme dhe ne u përgjigjemi. Të kalojmë situatën dhe qeveria i ndihmon dhe ka të gjitha mundësitë. Qeveria i garanton fermerët e Ana Malit dhe të Dajçit se do t’i ndihmojë, do t’i zhdëmtojë, por, në radhë të parë, duhet të ndihmojmë veten. Nuk rrihet kështu, është situatë buzë katastrofe. Duhet të themi të vërtetën. Sot, para dy tre-orësh në Fierzë është bllokuar derdhja, por nesër, prurjet gjigande mund të na detyrojmë t’i hapim. Mund të jemi para situatave të paparashikuara, krejtësisht të paparashikuara. Alpet janë mbushur me borë dhe sinoptika thotë se pas tre ditësh do të ngrohet moti, çka do të thotë të shkrihet bora. Sot, Gjadri është krejtësisht tjetër nga ai që ishte dje. Po kështu Kiri dhe të tjerë me radhë. Ne duhet të bëjmë atë që njerëzit e mençur, njerëzit e qytetëruar, njerëzit e guximshëm bëjnë, të marrin vendimin dhe t’i dalin të keqes përpara dhe të zvogëlojnë në maksimum dëmet e kësaj përmbytjeje. Moti është mjaft problematik. Moti do të jetë afatgjatë dhe nuk premton. Tani unë po vij nga Shëngjini. Deti e ka gllabëruar kënetën plotësisht. Me një dallgë të fuqishme ka gllabëruar kënetën, është bërë kënetë dhe det bashkë. Edhe këtu ka pasur ndikim, ka qenë një nga faktorët që ka ndikuar, por ne nuk e dimë nëse mund të ketë të tjera. Ne u dalim përpara gjërave. Sado i madh të jetë përkushtimi i institucioneve tona, përpara një katastrofe mund të jesh liliput, në krahasim me përmasat e saj. Ndaj duhet të fillojmë urgjentisht evakuimin, sistemimin shumë të mirë. Ata mund të shkojnë edhe tek familjarët e tyre, por më mirë të rrinë në hotele, ku do të ketë ngrohje, ushqim, të vijnë në konvaleshenca, të cilat Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme i kanë vënë në gatishmëri, i kanë bërë disponibël, ku edhe aty ne do të tregojmë kujdesin e gjithanshëm. Kjo do të zgjasë 10 ditë, dy javë, maksimumi tre javë. Dalim nga situata dhe e rigjenerojmë menjëherë zonën. Ja një ndihmë të madhe po jep edhe Ministria e Mbrojtjes duke vënë në dispozicion repartin e Rrencit për sistemimin e gjase së gjallë. Vetëm duhet të siguroni mjetet dhe të sillni këtu autobusë për të bërë evakuimin, pasi mjetet e ushtrisë janë, por duhen edhe mjete të tjera dhe të fillohet puna. Plani që mu paraqit mu duk shumë logjik. Të fillohet lagje më lagje dhe të bëjmë evakuimin maksimal të njerëzve. Duhet ta zvogëlojmë të keqen, duhet t’i dalim përpara. Ndërkohë kjo është njëra anë, por duhet të garantojmë furnizim të atyre që do të mbeten. Nuk mund të themi se këtu nuk do të mbetet këmbë njeriu. Mirë do të ishte, por kjo nuk ndodh. Atëherë ata, të cilët do të mbeten, kryefamiljarët, do t’u sigurohet uji, ushqimi dhe komunikim. T’u çohen të gjitha ushqimet, sepse kanë nevojë. E njëjta gjë është edhe për Ana Malin. Deri këtu është një menaxhim shumë i mirë. Tani është prova përfundimtare. Të dalim të sigurt se nuk kemi humbje në jetë njerëzish, humbje në vlera të mëdha në blegtori. Të tjerat i riparojmë. Edhe një herë ju siguroj se qeveria do t’ju mbështesë pa ndërprerje ditë e natë, por Zoti thotë që ndihmo veten pak, që të të ndihmoj shumë.”
05/01/2010