E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryeministri Berisha takohet me përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve shqiptarë

Sot paradite, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me përfaqësues të shoqatës së ndërtuesve shqiptarë. Në këtë takim merrnin pjesë, Ministri i Puneve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit Lulzim Basha, Ministri i Drejtësisë Ilir Rusmali, zëvendësministri i financave Florian Mima, si dhe drejtues dhe anëtarë të bordit të ndërtuesve, dhe përfaqësues të degëve të këtij bordi në rrethe të vendit.

Takimi u përqëndrua në diskutimet lidhur me cështje, të cilat përbëjnë shqetësim për biznesin e ndërtimit, për të gjetur format dhe mënyrat e një bashkërendimi sa më të frytshëm të punës për hartimin e një kuadri ligjor të përshtatshëm dhe të favorshëm për ta.

Kryeministri Berisha shprehu vlerësimin e tij për punën e ndërtuesve shqiptarë, duke i falenderuar ata përzemërsisht për veprat e ndërtuara në vite. Duke vlerësuar sektorin e ndërtimit si motorin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare, Kryeministri siguroi se qeveria do të tregojë vëmendjen maksimale për të lehtësuar ndjeshëm veprimtarinë e tyre.

Nga ana e tyre, ndërtuesit ngritën një sërë shqetësimesh të cilat kryesisht u përqëndruan në ekzistencën e informalitetit në ndërtim dhe gjetjen e formave për ta luftuar atë, vendosjen e rregullave të qarta për kontrollet tatimore dhe luftën kundër subjektivitetit në këto kontrolle, si dhe vënien nën mbikqyrje të rritjes abuzive të çmimeve. Gjithashtu ndërtuesit kërkuan që projektligjet që kanë lidhje me këto cështje të rishikohen dhe konsultohen me shoqatat e biznesit.

Duke marrë në konsideratë shqetësimin e pjesëmarrësve lidhur me këto cështje, Kryeministri u ndal veçanërisht në shqetësimin e ndërtuesve për projektligjin për procedurat tatimore, për të cilin Kryeministri u shpreh se me anë të tij po rikthehet një normë, e cila ka ekzistuar. Kryeministri theksoi gadishmërinë për të bashkërenduar punën me grupet e biznesit, për të përcaktuar të gjitha kushtet dhe sugjerimet që ndërturesit të mos dëmtohen në mënyrë të paligjshme. Përsa i përket kërkesës së bordit për shtyrjen e miratimit të projektligjit për një periudhë dyjavore, Kryeministri theksoi se procesi do ti nënshrohet procedurës parlamentare të përcaktuar, duke shtuar gjithashtu, se ky projektligj i përmbahet të gjitha standarteve evropiane.

Kryeministri siguroi se do të amendohet dhe do të merren të gjitha masat që do të propozohen nga ndërtuesit për ti ruajtur ata nga abuziviteti.

Në takim u diskutua gjithashtu lidhur me ligjin e prokurimeve, licensimit, si dhe për për problemet me KRT-në e Tiranës dhe ligjin për urbanistikën, për ligjin e legalizimeve dhe hipotekat, si dhe për probleme të infrastrukturës.

Bordi shoqatës së ndërtuesve falenderoi Kryeministrin për ndërhyrjen energjike në hipotekë, e cila tashmë i është nënshtruar rregullave të forta në funksionimin e saj.

Gjithashtu ndërtuesit kërkuan marrjen e masave konkrete për të shmangur abuzimet në prokurimet publike, si dhe sigurimin e garancisë për objektet e ndërtuara. Përsa i përket cështjes së prokurimeve, Kryeministri theksoi se po shkohet drejt prokurimeve elektronike, të cilat me formën moderne të aplikimit të tyre, nuk do të lenë vend për abuzime. Duke nënvizuar se kjo formë prokurimi është e domosdoshme për vendet si Shqipëria, Kryeministri informoi se do të fillojë së shpejti një eksperiment pilot, i cili do të aplikohet në 10 institucione e më pas do të zgjerohet brenda disa muajve në të gjithë vendin.

Në përfundim, Kryeministri Berisha vlerësoi shqetësimin e ndërtuesve për të gjitha cështjet e ngritura dhe u shpreh se do të merren të gjitha masat për ti zgjidhur me shpejtësi këto probleme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›