E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfindustria: Celulari i 4-t, liberalizim i tregut

26/02/2009  Komuniteti i biznesit përshëndet pjesëmarrjen e kompanisë kosovare

Buxhuku: Do të mbështesim fituesin e tenderit për telefoninë e lëvizshme

Një prej grupimeve më të mëdha në vend, Konfindustria ofron mbështetje për futjen në treg sa më shpejt të operatorit të 4-t të telefonisë celulare në vend. Gjashtë ditë pas hapjes së ofertave për këtë tender, administratori i përgjithshëm i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka theksuar se: “Nisur nga domosdoshmëria e përmirësimit të funksionimit të tregut të telefonisë së lëvizshme në vend, këshillon ekzekutivin shqiptar për përzgjedhjen sa më të kujdesshme dhe sa më të shpejtë të operatorit të 4-t në Shqipëri”. Konfindustria ka përshëndetur veçanërisht pjesëmarrjen e kompanisë me kapital publik “Vala” të Postë Telekomunikacioneve të Kosovës (PTK) në tenderin për operatorin tjetër të telefonisë së lëvizshme. “Konfindustria e vlerëson si një operator cilësor që ofron shërbime me kosto të ndjeshme më të ulët sesa çka ofrohet tashmë në tregun e ngjashëm të Shqipërisë dhe njëkohësisht me cilësi mjaft të mirë. Gjithashtu, Konfindustria e vlerëson veprimin e mësipërm të garimit të PTK-së për të qenë e pranishme në tregun e Shqipërisë si lëvizje strategjike, largpamëse dhe mjaft e dëshiruar e vendimmarrjes politike të Kosovës drejt krijimit të Tregut të Hapur Mbarëshqiptar në përfitim afatgjatë të nxitjes së zhvillimit ekonomik të hapësirave shqiptare”, - thekson Buxhuku. Administratori i Konfindustrisë e cilësoi lëvizjen e Qeverisë së Kosovë, si të domosdoshme në kushtet e krizës globale me pasoja të ndjeshme në ekonomitë e dy vende tona, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor që janë në proces integrimi në Bashkimin Evropian. “Hyrja e operatorit të 4-t do të shënojë liberalizimin real të tregut strategjik të telefonisë së lëvizshme në dobi të uljes së kostove dhe rritjes së cilësisë së shërbimit për bizneset dhe qytetarët”, - tha Buxhuku. Gjithashtu Konfindustria e sheh si kusht të rëndësishëm, përzgjedhjen nga tenderi në zhvillim e sipër të një kompanie serioze dhe rezultative të fushës, për të shmangur çdo mundësi komprometuese të konkurrencës në të ardhmen dhe pengesë për arritjen e qëllimit të licencimit të operatorit të 4-t të telefonisë në përfitim të ekonomisë, biznesit dhe qytetarëve shqiptarë.

Mbështetja

Komuniteti i biznesit do të mbështesë futjen në treg të operatorit më të ri celular. “Konfindustria është e gatshme, që nëpërmjet mbështetjes institucionale dhe nxitjes së vendimmarrjes politike për kryerjen e përmirësimeve ligjore të nevojshme të sektorit, të ndihmojë fituesin e tenderit të licencës së 4-t të telefonisë së lëvizshme për hyrjen sa më të shpejtë në tregun përkatës të industrive shqiptare dhe në tregun shqiptar në përgjithësi”, - theksoi Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›