E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha pas 21 prillit me super-imunitet

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, akuzoi dje dy partitë PS-PD për diskutimet lidhur me imunitetin e deputetëve, kur sipas tij me ndryshimet në Kushtetutë, imuniteti i kryeministrit është i pakufizuar. 

 “Habitemi pse nuk bënë ndryshimin në Kushtetutë për çështjen e imunitetit, natën e 21 prillit. Por nga nxitimi, siç duket, do të kenë harruar ose akoma nuk ishin marrë vesh. Kryeministri pas natës së 21 prillit ka marrë një super imunitet”, tha Meta. Duke shprehur qëndrimin e LSI-së për këtë çështje, Meta tha se, “LSI është pozicionuar se duhet të na konsiderojnë pa imunitet, pavarësisht se ne e dimë që drejtësia në këtë vend ende nuk është e pavarur dhe pas natës së 21 prillit është edhe më e varur nga ekzekutivi dhe nga Kryeministri”. Meta u shpreh se imuniteti i duhet Berishës për t’i bërë presion deputetëve të tij. “Ai mund t’u heqë imunitetin atyre deputetëve të tjerë, për t’i pasur më shpejt në kontroll, por për fat të keq Berisha me ndryshimet që u bënë në natën e 21 prillit ka marrë një imunitet të jashtëzakonshëm dhe kjo është një fatkeqësi e madhe, sepse, së pari, ai duhet të jetë një nga personat kyç që duhet të dalë para drejtësisë për të dëshmuar për ngjarjen e Gërdecit dhe, së dyti, ai duhet të garantojë një proces të hapur të organeve të drejtësisë ndaj të gjithë administratës që akuzohet për korrupsion dhe shembujt janë të shumtë, pa ndërhyrë, sikurse po bën në rastin e Sefgjinit, duke iu kundërvënë vullnetit të Prokurorisë dhe të drejtësisë”, tha Meta. Duke hedhur dyshime mbi seriozitetin e luftës kundër korrupsionit të Kryeministrit Berisha, Meta i kërkoi atij të mos mbrojë Arben Sefgjinin ndaj akuzës për vrasje nga ana e Prokurorisë. “Pyetja që unë kam dhe për ju, dhe për zotin Berisha, ka të bëjë me faktin se sa i sinqertë është ai në luftën kundër korrupsionit, në heqjen e imunitetit të atyre që e kanë imunitetin me Kushtetutë, kur i jep imunitet drejtorit më të rëndësishëm të Tatimeve e Taksave në Shqipëri, një njeri që për nga pozicioni që ka në administratë është shumë afër edhe vetë pozicionit të ministrit, i cili është akuzuar jo thjesht për një shkelje ligji, por është akuzuar nga Prokuroria për implikim në vrasjen e një qytetari shqiptar”, tha Meta. Sipas tij, me këtë qëndrim, Berisha i bën sfidë Prokurorisë. “Ky kryeministër i bën sfidë Prokurorisë, i bën sfidë drejtësisë, duke e mbështetur, duke e mbrojtur dhe duke e mbajtur drejtor të përgjithshëm në një moment të tillë, i cili është tepër sfidant edhe për opinionin publik, edhe për vetë organet e drejtësisë, të cilat e dinë që përballë kanë një njeri që akuzohet për vrasje, por që ka mbështetjen e Kryeministrit”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›