E Diel, 1 Nëntor 2026

Leku dy javë zhvlerësim, euro këmbehet me 140 lekë

 
Monedha vendase, leku, ka vazhduar që të zhvlerësohet për 2 javë me radhë, duke u shkëmbyer gjatë ditës së djeshme në kuotën më të ulët që prej ditëve të fundit të vitit që lamë pas
 
Mungesa e monedhës europiane në tregun shqiptar vazhdon që të jetë një fenomen permanent, i cili ka bërë që një pjesë e madhe e mallrave të shtrenjtohen, ndërsa priten humbje të reja në ditët në vazhdim. Të enjten paradite në tregun e lirë valutor një euro u ble mesatarisht me 138,9 lekë dhe u shit me 139 lekë. Por në banka 1 euro është shkëmbyer me një kurs edhe më të favorshëm, që shkon deri në 140 lekë. Agjencitë e këmbimit valutor sqarojnë se bankat kanë hyrë në treg për të blerë euro, ndërkohë që prurjet e kësaj monedhe nga emigrantët në festat e fundvitit nuk kanë mundur të përballojnë këtë goditje zhvlerësuese të lekut. Një tjetër arsye që sipas agjencive të këmbimit ka sjellë zhvlerësim të mëtejshëm të lekut kundrejt euros është edhe kërkesa e lartë për këtë monedhë nga kompanitë e huaja që operojnë në Shqipëri.
***
Muaji shkurt dhe mars janë muajt në të cilin bilancet e kompanive mbyllen dhe një pjesë e kompanive të mëdha shpërndajnë dividendë për aksionerët e tyre që janë të gjithë të huaj. Ato po transferojnë fitimet e tyre jashtë pranë kompanive mëmë, duke bërë që kërkesa për monedhën europiane të enjten të arrijë pikun. Kërcimi i euros në vlera të larta kundrejt lekut është një fenomen i përsëritur këto dy vitet e fundit me intensitet të lartë, edhe për shkak të krizës, e cila duket se nuk është kuruar plotësisht. Ka agjenci këmbimesh, që mendojnë se një tjetër arsye që mund të ketë zhvlerësuar lekun janë edhe shpenzimet e larta të përqendruara që po kryen qeveria për të përballuar situatën emergjente në veriperëndim të vendit, për shkak të përmbytjeve të këtyre 10 ditëve të fundit. Parashikimet e ecurisë së kursit të këmbimit mbeten tepër të pasigurta, thonë ekspertët, pikërisht për morinë e këtyre shkaqeve, që gjithsesi janë momentale. Zhvlerësimi të enjten i lekut është nën nivelin më të lartë historik që prej hyrjes në treg të monedhës europiane, me përjashtim të periudhës janar-shkurt 2003, kur euro kërceu mbi 140 lekë.
***
Janë të shumtë specialistët e ekonomisë që paraqesin dilemat e tyre për të ardhmen e kursit të këmbimit në vend. Madje ka qenë vetë guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që në pjesën e dytë të vitit 2009 ka këshilluar veçanërisht biznesin që realizon aktivitetin e tij nëpërmjet transaksioneve të mëdha, që bazohen në shkëmbime valutore, që të kryejë kontrata të sigurt për të ardhmen. Pra, të paguajë për një kurs këmbimi të sigurt. Ndërsa e gjithë pjesa tjetër, veçanërisht individët të cilët kanë marrë një kredi në euro për shkak të interesave të favorshme dhe të ardhurat i kanë në lekë, janë të detyruar që të paguajnë kosto shtesë.
***
 Shqetësimi i institucioneve që monitorojnë treguesit makroekonomikë të vendit tashmë janë përqendruar në deficitin buxhetor, që qeveria po mundohet tashmë që ta stabilizojë dhe, nga ana tjetër, edhe atë me jashtë, që duket se varet para së gjithash nga kreditimi, eksportet dhe remitancat. Tashmë të gjithë janë të bindur se gjashtëmujori i dytë i këtij viti do të shënojë të ardhura më të pakta se ai i pari. Deficiti korrent që paraqet nga ana tjetër një pamje më të plotë të ekonomisë, ka kapur një nivel historik, prej minus 17 përqindësh. Sipas ekspertëve të ekonomisë, pavarësisht faktit se nga ka buruar ky nivel kaq i lartë borxhesh me jashtë, shifra mbetet tejet shqetësuese. Nivele të tilla të deficitit korrent mund të sjellin shumë shpejt zhvlerësime të reja të monedhës vendase, por spiralja mund të shtrihet edhe më tej në ekonomi.
 
 
BB: Ne nuk hetojmë qeverinë
Banka Botërore do të ndihmojë në një projekt të rëndësishëm për sigurimin e digave të hidrocentraleve. Zëvendëspresidenti i kësaj banke për Europën dhe Azinë Qendrore, në vizitën e tij të parë në Shqipëri për të parë ecurinë e projekteve që Banka Botërore ka mbështetur, deklaroi se do të ndihmonte në tejkalimin e situatës së përmbytjeve në veri të vendit, që ai vetë e ka quajtur pasojë të ndryshimeve klimaterike. “Shqipëria duhet të krenohet për trajektoren e zhvillimit të saj gjatë 19 viteve te fundit. Duke lënë pas më shumë se katër dekada diktature dhe izolim, vendi ka lulëzuar, duke shënuar një rritje të fuqishme dhe të qëndrueshme, si dhe ka shënuar përmirësime të mëdha në fushën e mirëqenies sociale. Të ardhurat reale janë trefishuar që prej 1991, ndërsa varfëria është përgjysmuar për 6 vitet e shkuara”, tha zëvendëspresidenti i BB-së, Philippe le Houerou. Por në fjalën e tij, numri dy i BB-së bëri të ditur edhe sfidat e mëdha që i kanë ardhur botës për shkak të krizës së madhe financiare, e cila nuk ishte hasur ndonjëherë më parë. “Siç mund ta shihni edhe nga kriza e fundit botërore dhe financiare, rritja e shqetësimeve për ndryshimet klimatike dhe shpeshtësia e fatkeqësive natyrore, gjithmonë do të ketë sfida të reja për t’u përballur dhe shumë gjëra për t’u përmirësuar. Megjithatë, përfitoj nga rasti për të përgëzuar çdo shqiptar për rrugën e zhvillimit dhe hapat e bërë. Ne në Bankën Botërore jemi krenarë që kemi qenë bashkëshoqërues të Shqipërisë në këto arritje të rëndësishme. Banka Botërore ka financuar afërsisht 70 projekte në Shqipëri që prej vitit 1991, me një shumë totale prej 1.4 miliardë dollarësh”, tha zëvendëspresidenti i BB-së. Në fjalën e tij, zëvendëspresidenti i BB-së sqaroi edhe rastin e një viti më parë, ku paneli i Inspektimit i BB-së hasi në mosndjekje të politikave të këtij institucioni në bregdetin e jugut të Shqipërisë. “Megjithatë, ashtu siç ndodh me të gjitha marrëdhëniet, ka raste kur gjërat nuk shkojnë mirë. Në këtë pikë, dua që të jem shumë i drejtpërdrejtë për sa u takon ndodhive të vitit të kaluar në lidhje me Projektin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Bregdetare. Bankës i vjen shumë keq, që një inspektim  që synonte të shihte nëse banka u ishte përmbajtur ose jo politikave të veta, solli akuza kundër veprimeve të qeverisë në lidhje me këtë projekt.  Dua të jem shumë i qartë, se procesi i Panelit të Inspektimit nuk heton veprimet e klientëve tanë dhe nuk duhet të interpretohet si i tillë”, tha ai.
 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›