Konfindustria: Kompanitë piramidale, rrezik për ekonominë
Konfindustria shpreh shqetësimin për praninë në rritje të të ashtuquajturave "zinxhir të kompanive piramidale të fshehura" në ekonominë shqiptare, që për nga përmasat përbëjnë një "bombë me sahat" për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit. Konfindustria mbështet krijimin e regjistrit të detyrimeve të ndërsjella të kompanive si një nga veprimet e duhura për të luftuar fenomenin shqetësues të "piramidave të fshehura" në ekonominë shqiptare, si dhe vënien në dijeni të të dhënave të regjistrit të mësipërm pa përjashtim për bankat, bizneset dhe qytetarët. "Duke mbështetur krijimin e regjistrit të detyrimeve të ndërsjella të kompanive, në të njëjtën kohë Konfindustria kundërshton ndërhyrjen e shtetit nëpërmjet mosrimbursimit të TVSH (Tatimit të Taksës së Shtuar) për kompanitë debitore në transaksionet ku shteti nuk është pjesëtar/palë", tha Gjergj Buxhuku, administratori i përgjithshëm i Konfindustrias.