E Diel, 1 Nëntor 2026

Si degraduan minierat nga privatizimi i keq

Sektori minerar në Shqipëri tregon aktualisht pasojat e një procesi të vështirë privatizimi që u konceptua dobët, u zbatua akoma më keq dhe u shoqërua me mungesë të kërkimit të llogarisë ndaj firmave koncesionmarrëse mbi nivelin e investimeve dhe detyrimet e tjera kontraktuale. Ky është konkluzioni kryesor i një grupi ekspertësh të Bankës Botërore që analizuan së fundmi sektorin e industrisë minerare dhe metalurgjike në Shqipëri. Kontratat koncesionare, sipas raportit, iu dhanë kompanive apo edhe individëve të ndryshëm, të cilët nuk kishin as eksperiencë e as para për të investuar. Fragmentarizimi i plotë i kësaj industrie përmes shpërndarjes në dhjetëra dhe qindra kontrata koncesionare, bëri që resurse të rëndësishme minerare të binin në dorë të kompanive të vogla dhe zhvillimi të mbetej peng i kontratave koncesionare që shpesh nuk u zbatuan. Për më tepër, parimi udhërrëfyes i qeverisë ka qenë dhënia e të drejtave të eksplorim/shfrytëzimit sipas kërkesës, gjë që e ka mbushur Shqipërinë me kompani "junior", të cilat në rastin më të mirë do të shesin veten tek investitorët më të mëdhenj e më seriozë.

Megjithatë, sipas raportit, në këtë sektor gjatë viteve të fundit vërehen shenja rigjallërimi. Prodhimi po rritet së bashku me numrin e të punësuarve dhe kjo gjë po ndodh si në minierat e mëdha, ashtu edhe në minierat e vogla. Edhe investimet po rriten. Sipas raportit të BB-së, edhe perspektiva është pozitive. Industria e kromit mbetet pjesa më e rëndësishme e burimeve minerare shqiptare dhe një pjesë e rezervave të kromit vlerësohet se janë ende jo tërësisht të eksploruara. Por, tregu botëror i kromit konsiderohet shumë i vështirë, për shkak se aktualisht ka një integrim të fortë të kompanive prodhuese të mineralit me kompanitë përpunuese. Sipas raportit, prej vitesh tashmë nuk mund të thuhet se ekziston një treg ndërkombëtar kromi dhe për pasojë, nuk ka asnjë çmim reference. Për këtë arsye, këshillohet që industria e kromit në Shqipëri të integrohet ose me industri prodhimi ferrokromi vendase ose të lidhet me kompani ndërkombëtare të prodhimit të çelikut apo të produkteve të tjera që kërkojnë krom, si aliazhet e aluminit. Një situatë e tillë kërkon cilësi në vendimmarrje, për shkak të situatës botërore oligopoliste. Minerali i kromit prodhohet në një numër shumë të madh vendesh, por tri vende zotërojnë 90 për qind të tregut botëror. Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore se pse Shqipëria doli nga tregtia botërore e kromit pas viteve ‘90. Raporti vlerëson gjithashtu se disa kompani të vogla të huaja kanë filluar të punojnë seriozisht në industrinë shqiptare të mineraleve dhe po tregohen agresive si në investimet e eksplorimit, ashtu edhe në investimet për rikuperimin e kapaciteteve prodhuese. Kështu, në Bulqizë po punohet për të hapur një pus të ri më të thellë, gjë që mund të bëjë të rikuperueshme edhe 1.8 milionë tonë mineral kromi, i cili gjendet në thellësi më të mëdha se 600 metra. Në zonën e Krastës, një kompani australiane është duke eksploruar dhe vlerësuar sasinë dhe cilësinë e rezervave të kromit, ndërsa në Kukës është një kompani tjetër që po shpon me sondë për rivlerësimin e burimeve minerare të zbuluara më parë.

Aventura e viteve të fundit

Një ndryshim rrënjësor ka ndodhur në tregun botëror gjatë viteve të fundit, gjë që ka hapur mundësinë për rishfrytëzimin e minierave shqiptare: ngritja e Kinës solli një çarje në sistemin botëror të prodhimit dhe shitjes së kromit, pasi kërkesa e Kinës qe shumë e madhe dhe kompanitë e këtij vendi filluan të kërkojnë mineral kromi kudo që të gjendej dhe me çfarëdo çmimi. Për pasojë, në Shqipëri pati një valë "ethesh kromi", ku individë e kompani u sulën për të gjetur sa më shumë krom që të qe e mundur. Si në rastin e Etheve të Arit, edhe në Shqipëri pati konkurrencë të fortë, sherre të pafundme deri përplasje fizike. Edhe numri i aksidenteve nëpër miniera u shtuan.

Mbrojtje sociale dhe transparencë

Raporti bën thirrje që qeveria të reformojë sistemin e mbikëqyrjes së kontratave koncesionare, si dhe të krijojë sisteme mbrojtjeje shoqërore për banorët e zonave minerare, duke garantuar ligjërisht transferimin e një pjese të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti minerar për vendasit. Sot, të gjitha taksat e paguara nga shfrytëzuesit e minierave dhe puseve të naftës, ku më e rëndësishmja është një rentë minerare prej 4 për qind e vlerës së mineralit të shitur, shkon drejtpërsëdrejti në buxhetin e shtetit. Për pasojë, bashkitë dhe komunat ku gjenden minierat nuk marrin asgjë.

Situata sipas qeverisë

Në një letër falënderimi, ish-ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, i paraqet një situatë më optimiste Bankës Botërore. Sipas Rulit, investimet në këtë sektor janë në rritje, ndërsa prodhimi po arrin për herë të parë në dy dekada pranë nivelit të vitit 1989, pra në rreth 4 milionë tonë në vit. "Investimet janë rritur në 2.7 miliardë lekë në vitin 2008, nga 650 milionë lekë që qenë në vitin 2005. Të punësuarit janë rritur në 6 mijë veta nga 1800 që qenë më 2005-n. Investime të mëdha janë projektuar në industrinë e çimentos me vlerë rreth 1 miliard euro. Edhe industria e ferrokromit është në rindërtim", thotë Ruli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›