Profesioni i Berishës
"Spiuni" u përgatit dje të uronte një mik të vjetër, Sekretarin e Përgjithshëm të LSI-së, Petrit Vasilin. Ish-zëvendësministri i Shëndetësisë dje kishte 50-vjetorin dhe një rrugë e dy punë, edhe qoka bëhej, edhe qante me zyrtarin një hall shëndeti, nga ato që nuk zgjidh dot në shtet po nuk pate ndonjë mik të fortë. Por Vasili kishte punë partie dhe ndodhej në Gjirokastër. Urimet ia përcolli të atit. Vasili (babai) u gëzua shumë për urimet ndaj të birit dhe nisi të tregonte se si e kishte njohur Sali Berishën, si njeri dhe si mjek. "Mbaj mend dikur, kur bënim zborin ushtarak në Mullet. Unë isha komisar politik i kompanisë, ndërsa Berisha ishte mjeku. Ne rrinim të bashkuar në disa tenda të mëdha sanitare kineze. Më bënte përshtypje se Saliu rrinte gjithmonë i veçuar dhe nuk fliste me askënd. Ne i kishim vënë edhe një shprehje atëherë: "Kush është i gjatë sa ngjala pa hala? Sala!". Vasili tregoi edhe një histori tjetër, kur "Spiuni" i tha i habitur se pse ky Kryeministër që është mjek zemre me profesion, nuk po pyet fare për shkatërrimin e sistemit shëndetësor në vend.
"Në vitin 1988 desh ika nga kjo botë, se më ra infarkti në bulevardin e madh. Më çuan te zemra, te Spitali Numër 2 dhe mbaj mend vetëm se gjatë rrugës, mjekët thonin "trinitrina, trinitrina!". Për 17 ditë sa ndenja në pavion unë nuk e pashë asnjëherë të më vinte te koka mjeku i zemrës, Sali Berisha. Kur u ngrita në këmbë, erdhi, po unë e prita me shprehjen e zborit në Mullet: "Kush është i gjatë sa ngjala pa hala? Sala!".
-E pse po më thue ashtu?- mu kthye i mërzitur Berisha.
-Ja pra, ky është ai Doktori që ishte mjek dhe sot e kemi Kryeministër