E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfindustria forcon bashkëpunimin me trupin diplomatik shqiptar

Konferenca e Ambasadorëve u zhvillua dje me pjesëmarrjen e Administratorit të Përgjithshëm të Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku dhe anëtarëve të Këshillit Drejtues të saj. Një nga çështjet kryesore që u diskutua për një bashkëpunim të frytshëm të Trupit Diplomatik dhe Konfindustria ishte fushata për njohjen e botës ekonomike-financiare ndërkombëtare me nocionin e krijimit të Tregut të Hapur Shqiptar prej 7 milionë banorë, nëpërmjet procesit të filluar të krijimit të infrastrukturës rrugore, energjetike, portuale etj., si dhe procesit të përafrimit të legjislacionit fiskal, financiar, ekonomik, arsimor, të punës dhe lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe kapitalit në hapësirat shqiptare. "Është domosdoshmëri përfitimi ekonomik mbarëkombëtar dhe nxitja e investimeve të rëndësishme të huaja nga pavarësimi i Kosovës dhe përmirësimi i gjendjes institucionale të shqiptarëve në Maqedoni dhe Mal të Zi", - u theksua në diskutim. Sipas të njëjtit burim, u fol edhe për organizimin e konferencave të përbashkëta ose pjesëmarrjen e përfaqësuesve të industrive të hapësirave shqiptare në aktivitete me natyrë ekonomike ndërkombëtare, për njohjen e botës ekonomike-financiare ndërkombëtare me procesin e integrimit të Shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe përfitimet ekonomike të investitorëve të huaj nga krijimi i CEFTA (Marrëveshja e Tregtisë së Lirë të vendeve të Evropës Jug-lindore).

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›