E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimi i naftës në Shqipëri, 25 për qind më i lartë se reali



Konfindustra: Kartel mes tregtarëve të naftës

Biznesi prodhues kërkon të merren masa për uljen e çmimit

Çmimi i naftës:

Në botë çmimi për 3 muaj është ulur 100%

Në Shqipëri çmimi është ulur vetëm disa cent

Çmimi i naftës në vend duhet të ishte 25% më lirë

Nëse çmimi i tregjeve ndërkombëtare që zbret nga dita në ditë, do të ishte reflektuar në tregun shqiptar, nafta në vendin tonë do të shitej rreth 25 për qind më lirë sesa tregtohet aktualisht. Komuniteti i biznesit prodhues denoncon abuzimin me çmimin e naftës nga grosistët, pasi sipas tyre, çmimi i rritur i naftës ndikon në rritjen e kostos së prodhimeve vendase. Biznesi prodhues akuzon se faji i mbetet grosisteve të naftës, të cilët kanë krijuar një kartel të naftës në vend dhe kontrollojnë çmimet. Ata kërkojnë të merren masa që në vend të reflektohet çmimi real i naftës, bazuar në çmimet e blerjes në tregjet botërore. Konfindustria, duke marrë shkak nga mospasqyrimi në tregun shqiptar i rënies së ndjeshme të çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare, shpreh shqetësimin e saj dhe kërkon marrjen e masave të menjëhershme dhe afatgjata për rregullimin e gjendjes nga institucionet shtetërore. Bazuar në analizat krahasimore të çmimeve të tregjeve, del se çmimi i karburanteve në Shqipëri është të paktën 25% më i lartë sesa duhet të ishte në kushtet e funksionimit të një tregu normal. Analizat e mësipërme kanë mbajtur parasysh se brenda një periudhe pothuajse 3-mujore, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare ka rënë në më shumë se 100% dhe njëkohësisht edhe vlerësimin e dollarit amerikan ndaj lekut, që nuk e kalon shifrën prej 25% gjatë të njëjtës periudhë. Çmimet e larta të karburanteve në Shqipëri ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen zinxhir të kostove të të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve vendore krahasimisht prodhimeve dhe shërbimeve të huaja, duke ulur më tej aftësinë konkurruese të industrive shqiptare edhe kështu në shkallë të pakënaqshme. Gjithashtu, çmimet e paarsyeshme të larta të karburanteve ndikojnë negativisht në prodhimet bujqësore dhe në mirëqenien e gjithë qytetarëve shqiptare.

Keqfunksionimi i vazhdueshëm i tregut të karburanteve në Shqipëri, në kushtet kur teorikisht kemi të bëjmë me treg të liberalizuar, mund të shpjegohet vetëm me ekzistencën në praktikë të marrëveshjeve të llojit “kartel” ndërmjet operatorëve të fushës. Në kushte të tilla roli i institucioneve shtetërore duhet të jetë vendimtar për të zhdukur pasojat nga gjendja e mësipërme dhe për të parandaluar në afatgjatë rikrijimin e gjendjeve të tilla të pakënaqshme. Konfindustria, në kushtet kur shteti shqiptar me privatizimin e kompanisë publike “Armo” nuk ka më asnjë mjet për të ndërhyrë drejtpërdrejt për të rregulluar çrregullimet e tregut strategjik të karburanteve, kërkon ngritjen sa më shpejt të Entit Kombëtar të Karburanteve. Enti i mësipërm do të duhet të monitoronte në vazhdimësi dhe të ndërhynte për të rregulluar pikërisht çrregullimet subjektive të tregut të karburanteve, sikurse teorikisht bëhet edhe me tregje të tjera strategjike sikundër janë telekomunikacionet dhe energjia. Shembuj të institucioneve të tilla i gjejmë jo vetëm në vendet e zhvilluara të BE-së dhe botës, por edhe në vende të rajonit tonë. Ndërtimi i një enti të tillë është domosdoshmëri sidomos në kushtet e krizës së përgjithshme, që ka përfshirë tregjet ndërkombëtare dhe pas privatizimit të kompanisë publike të tregtimit të karburanteve “Armo”.

Sigurimi vullnetar rrit të ardhurat me 56 për qind

Viti 2008 ka treguar një tendencë në rritje për sigurimin vullnetar. Madje për gjatë këtij viti mund të thuhet se është rritur me 50 për qind numri i kontratave për sigurimin vullnetar. Në periudhën janar-shtator të vitit 2008 vëllimi i primeve të shkruara bruto në sigurimin vullnetar arriti shifrën 2,397 milionë lekë, duke pësuar një rritje prej 58.60% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Sipas statistikave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), numri i kontratave në sigurimin vullnetar rezultoi me një rritje prej rreth 49.93%, kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë të ardhurat nga produktet vullnetare të sigurimit të Jo-Jetës u rritën me rreth 64.65%, krahasuar me nëntëmujorin e vitit 2007. Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive, me të ardhura rreth 1,426 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 49.35% të pasuara nga sigurimet nga zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 33.93% dhe sigurimi i garancisë me 9.34%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›