BSH: Inflacioni në shtator 2.7%, vjetori do shkojë 3%
Inflacioni i muajit shtator arriti në një nivel prej 2.7 për qind, ndërkohë që ai vjetor parashikohet të arrijë në 3 për qind. Sipas të dhënave zyrtare të BSH-së, “në muajin shtator 2008, inflacioni vjetor shënoi 2.7 për qind, ndërkohë që inflacioni mesatar vjetor në tremujorin e tretë të këtij viti zbriti në 3 për qind”, - bëri të ditur sot Banka e Shqipërisë.
Ekspertët e ekonomisë vërejnë se vlera e inflacionit për muajin shtator u ndikua kryesisht nga rënia e çmimit të mallrave dhe shërbimeve të kategorive “ushqime të papërpunuara” dhe “mallra të administruara”. Ndërkohë, sipas burimeve të mësipërme, rol ka luajtur dhe rritja e prodhimit bujqësor vendas. Ndërkohë BSH-ja parashikon se inflacioni edhe gjatë 12 muajve të ardhshëm do të luhatet rreth objektivit 3 për qind të Bankës së Shqipërisë.
Banka Qendrore në analizën e zhvillimeve ekonomike në vend bën të ditur se faktorët e rrezikut janë të shpërndarë në mënyrë simetrike dhe pritjet inflacioniste paraqiten të stabilizuara. Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së gjykon se ruajtja e kushteve monetare në parametrat aktualë do të ndihmojë në kontrollin e inflacionit brenda parametrave të synuar, duke kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të përgjithshëm makroekonomik dhe financiar të vendit. Banka e Shqipërisë mbetet e angazhuar të marrë të gjitha masat e duhura për respektimin e objektivave të saj ligjorë.