E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndjekje penale për gjyshin që lidhi me zinxhir nipin

Çohet për ndjekje penale gjyshi i 22-vjeçarit, Fatmir Rasho, të sëmurit mendor dhe fizik, që për tre vjet me radhë u mbajt i lidhur me zinxhir nga familjarët, në një kasolle pranë shtëpisë. Vendimi për nisjen e procedimit ka ardhur pas sistemimit të tij në spitalin psikiatrik të Vlorës. Ndërkohë që 79-vjeçari Kamber Rasho do të hetohet për akuzën e pengmarrjes, mësohet se kanë qenë autoritetet e policisë në Drejtorinë e Qarkut të Fierit ato që kanë nxjerrë argumentin e ndjekjes penale për autorin e lidhjes me zinxhir të të sëmurit mendor. Sipas zëdhënëses së Drejtorisë së Policisë të Qarkut Fier, Valbona Meço, mësohet se: "Drejtoria e Policisë së Fierit ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për Kamber Rashon, gjyshi i 22-vjeçarit që mbahej i lidhur me zinxhir në një kasolle prej afro 3 vjetësh. Duke e parë si shkelje të të drejtave të njeriut, edhe pse 22-vjeçari ishte agresiv nga sëmundja, strukturat policore të Fierit e kanë parë të arsyeshme hetimin e kësaj ngjarje. Nga ana e strukturave policore, u përgatitën materialet procedurale dhe i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprën penale "heqje e paligjshme e lirisë", në ngarkim të shtetasit Kamber Rasho në gjendje të lirë". I njëjti burim ka saktësuar se procedimi ka ardhur pas denoncimit në media të rastit të 22-vjeçarit, i cili jetonte prej 3 vjetësh në një kasolle në kushte çnjerëzore, i lidhur me zinxhirë. "Nga veprimet e para hetimore u konstatua se në banesën e shtetasit Kamber Rasho, i vitlindjes 1930, lindur dhe banues ne fshatin Levan të rrethit Fier, në një kasolle ngjitur me banesën mbahej i lidhur shtetasi Fatmir Rasho", ka shtuar më tej zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Fierit.

Fatmir Rasho ka jetuar për tre vjet i lidhur me zinxhir, pasi sipas familjarëve të tij tregonte shenja të theksuara agresiviteti. Për gjyshin e tij, Kamberin, 22-vjeçari disa herë ka shfaqur shenja dhune kundrejt të afërmve, por dhe personave të tjerë. 22-vjeçari i përket komunitetit rom dhe prindërit e kanë braktisur që kur ka qenë foshnjë. Prej disa vitesh ai jetonte nën kujdestarinë e gjyshit, Kamber Rasho. Aktualisht ai është dërguar për kurim në spitalin psikiatrik të Vlorës, ndërsa mbetet puna e prokurorisë që të hetojë më tej në lidhje me këtë ngjarje, e cilësuar si kundërvajtje penale. Ditën e mërkurë, 22-vjeçari Rasho u shtrua në spitalin psikiatrik në Vlorë. Bluzat e bardha kanë deklaruar se ai ka qenë i parrezikshëm, për shkak të problemeve fizike që shfaqte dhe se pasi të marrë trajtim mjekësor, do të vendoset për fatin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›