E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmohet përgjigjja pozitive e Brukselit

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar dje se Shqipëria pret përgjigje pozitive nga Komisioni Evropian, meqenëse në disa fusha, vendi prin në përmbushjen e standardeve, por ndërkohë ka denoncuar tensionimin e qëllimtë që po mundohet të fabrikojë Edi Rama

TIRANë- Ministri i Brendshëm Lulzim Basha është shprehur se pala shqiptare pret një përgjigje pozitive nga ana e Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave, pas shqyrtimit prej tij të raportit paraprak hartuar nga ekspertët.
Këtë deklaratë, ministri Basha, e bëri gjatë një seance dëgjimore në komisionin parlamentar të Sigurisë, ku ka informuar se komisioni për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian merr nesër në shqyrtim raportin mbi Shqipërinë.
Basha hodhi poshtë të gjitha aludimet e publikuara ditën e djeshme në disa media të shkruara, sipas të cilave, në raport thuhet se Shqipëria është e vonuar në plotësimin e kushteve. Basha theksoi se faktori ndërkombëtar ka dhënë garanci të plotë se pas propozimit do të ecet me vendimmarrjen, në mënyrë që, edhe shqiptarët të lëvizin të lirë pa viza në hapësirën “Schengen”.
“Ndërkombëtarët kanë dhënë garanci të plotë se pas marrjes së propozimit do ecet me vendimmarrjen dhe ne disponojmë të gjithë informacionin. Në kundërshti me frymën që injektohet në media, për të nxirë këtë proces nga eksponentë të caktuar. Ndjej keqardhje për të gjithë ata që kanë rënë pre e keqinformimit të rremë, pasi më duhet t’u kujtoj këtu deklaratën e Malstromit, se Shqipëria ka bërë progres solid në plotësimin e kritereve dhe ne presim një propozim pozitiv për heqjen e vizave, vetëm si rezultat i performancës sonë të shkëlqyer”, u shpreh Basha.
Duke e cilësuar një moment, atë të përmbushjes së kushteve dhe kritereve të udhërrëfyesit, ministri Basha, tha se liberalizimi i vizave mbetet prioriteti më madhor dhe afatshkurtër i mazhorancës, i cili ka ardhur falë reformave të ndërmarra nga qeveria në realizimin e dokumentave të identitetit me sigurinë më të lartë për një vend anëtar të denjë për në BE, sigurimit të kufijve, apo dhe praktikave ligjore që janë ndjekur në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale. E në këtë kontekst, ministri Basha theksoi se vlerësimi për përmbushjen e kritereve do të bëhet vetëm në bazë të performancës.
“Ne s’kemi kërkuar favore, por kemi deklaruar që vlerësimi për Shqipërinë të jete strikt. Ajo që kemi arritur na ka vendosur në krye të vendeve të rajonit. Sot kemi bazën më moderne në Ballkan, regjistrin civil, jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që kemi një sistem elektronik të mbledhjes së informacionit. Këto arritje janë falë intensifikimit të punës në regjimin kufitar, sigurinë e dokumenteve të identitetit dhe nëse bëhet fjalë për ligjin e konfiskimit të aseteve, dua t’u them atyre të shkruajnë se jemi i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që e kemi, pasi dhe Kroacia e ka në draftim ende”- deklaroi ministri i Brendshëm Lulzim Basha.
Për Ministrin Basha, me reformat e ndërmarra në përmbushje të kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, Shqipëria ka lënë prapa një trashëgimi të hidhur, e cila e rendiste ndër vendet e para të tranzitit të lëndëve narkotike dhe me shkallën më të lartë të krimit në rajon. Por duke ju referuar dhe një interviste të dhënë nga eurodeputetja Tanja Fajon sipas të cilës protestat e opozitës, mund të pengonin procesin e liberalizimit të vizave, ministri Basha komentoi se “tensionimi i qëllimtë për protesta nga Rama s’lë shije të mirë tek partnerët tanë europianë dhe s’jep asnjë kontribut pozitiv për liberalizimin e vizave”.
Konkretisht, ky raport prej 44 faqesh në lidhje me liberalizimin e vizave, pohon se Shqipëria ka bërë përparime në lidhje me përmbushjen e kushteve për këtë proces, e për këtë, ministri i kabinetit, Lulëzim Basha është treguar optimist në lidhje me pritshmërinë e vlerësimit nga e Komisionit Evropian ndaj Shqipërisë.
Por ndërkaq, Komisioni Evropian thekson gjithashtu se mos prezenca e opozitës në sallën e Kuvendit, ka përcjellë një mesazh jo fort të këndshëm për Brukselin, pasi apeli i institucioneve ndërkombëtare ka qenë për një bashkëpunim të thellë mes forcave politike.
Megjithatë, sot Komiteti për çështjet e Drejtësisë dhe Liritë Civile në Parlamentin Evropian, shqyrtohet raporti i ekspertëve të KE-së për dhëniën e propozimit të vizave Shqipëri-BE.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›