Të pestët e LMN-së janë të mirëpritur tek LSI-ja
Deklaron Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama
Lëvizja Socialiste për Integrim, pritet të konfirmohet si ‘streha’ e 5 deputetëve socialistë kundërshtarë të Edi Ramës, në rast të një përjashtimi të mundshëm të tyre nga radhët e PS, apo edhe nëse ata vetë do të vendosin të largohen.
Këtë e konfirmoi dje Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Luan Rama, i cili tha se forca që ai përfaqëson do të jetë e gatshme për t’i pranuar deputetët socialistë.
“LSI-ja do të presë cilido që vjen dhe bashkohet me objektivat e saj. 5 deputetët e LMN janë të mirëpritur të vijnë në LSI. Megjithatë, mendoj se ata duhet të mbrojnë demokracinë e brendshme në PS”- tha Rama.
Lidhur me protestën e paralajmëruar nga kryesocialisti Edi Rama, zyrtari i LSI shton se ajo është një protestë e dëshpërimit të krizës të lidershipit Edi Rama.
Në këtë aspekt, ai ka hedhur një sërë akuzash për kryetarin e opozitës Edi Rama duke e cilësuar atë si jo socialist i cili pasi e shndërroi PS-në një faktor joparlament, i vrau motivin e ekzistencës së saj.
Sipas tij, Edi Rama pasi institucionalizoi kizën e lidershipit kërkon të mbajë të motivuar atë pjesë të PS-së të cilët nuk e kanë kuptuar që po përdoren për të krijuar një imazh jo real për vetë vendin.