Raporti për vizat, libri i dytë i të vërtetave të Shqipërisë

Një ekip ekspertësh i Parlamentit Evropian shqyrton sot raportin që e klasifikon Shqipërinë, si një vend që ka përmbushur kushtet për heqjen e vizave. Sfumohet fushata e mediave edviniste, por ende s’dihet nëse ndonjëra do të kërkojë ndjesë publike
TIRANë- Shqipëria ka përmbushur një pjesë të mirë të kritereve të Komisionit Evropian, për liberalizimin e vizave. Kjo është parafjala e raportit të ekspertëve të KE-së që pritet të shqyrtohet sot në seancë të posaçme të Komisionit për të Drejtat Civile dhe çështjet e Brendshme në Parlamentin Evropian.
Vendi ynë është vlerësuar në bazë të raportit, me një përshtypje tejet pozitive, ndërsa fjala e fundit i takon zyrtarëve të lartë të Brukselit, për të dhënë aprovimin e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE.
Sipas raportit, Shqipëria ka realizuar kriteret për të dalë jashtë kufirit pa viza, ndërsa theksohet se vijimi i përmirësimit të kuadrit ligjor mbetet një pikë e rëndësishme për integrimin e mëtejshëm në Bashkimin Evropian.
Komisioni Evropian shprehet me nota optimiste dhe njëherazi përgëzon autoritetet shqiptare, përsa i takon pajisjes së shtetasve me dokumentet e reja biometrike, në një kohë kur janë lëshuar afro 500 mijë pasaporta të reja. Gjithashtu, Shqipëria ka bërë një punë të lavdërueshme porsa i takon sigurisë së kufijve nëpërmjet sistemit TIMS dhe ndalimit të migracionit ilegal. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, është një tjetër hallkë e rëndësishme e vlerësuar nga Komisioni Evropian. Shqipëria ka shënuar vite të suksesshme porsa i takon çmontimit të krimit të organizuar dhe prangosjen e korrupsionit, përmes efektshmërisë së ligjit dhe zbatimit të përpiktë të tij, në të gjitha rangjet e penalitetit.
Gjithsesi, Brukseli ka në tryezë një nga dokumentet më pozitive për Shqipërinë, në të cilin shëmbëllet progresi i vërtetë i vendit, në kuadër të integrimit në strukturat evropiane dhe të përfitimit të procesit të liberalizimit të vizave. Tirana zyrtare, pret sot nga Bashkimi Evropian opinionin më korrekt, pa favore dhe tolerime, mbi kriteret e realizuara për liberalizimin e vizave.