Rusmali: Strasburgu i tregoi sërish Ramës se vistoja për kutitë jepet nga Kushtetuesja ose Komisioni i Venecias

Kreu i delegacionit shqiptar në Asamblenë e Parlamentare të KiE
Kryetari i Delegacionit shqiptar në Asamblenë Parlamentare në KiE, Ilir Rusmali në një prononcim për mediat tha se Byroja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës e cila u mblodh dje në Strasburg shprehu shqetësimin për situatën politike në Shqipëri si dhe kërkoi rifillimin e dialogut politik në parlament. Rusmali tha se deklarata e KiE duhet të merret seriozisht nga opozita, pasi është një ftesë që i përsëritet asaj, lidhur me pretendimet për zgjedhjet, t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim dhe më pas Komisionit të Venecias.
“Unë besoj se deklarata është shumë e qartë shumë e drejtpërdrejtë, shumë e çiltër dhe shumë miqësore. është një deklaratë që i shërben Shqipërisë dhe shqiptarëve, dhe shqiptarët do ta mbështesin fuqimisht dhe do ta marrin seriozisht. Sigurisht që deklarata nuk ka tone alarmante, sigurisht që deklarata nuk mban anën e asnjërës nga palët, por mban anën e Shqipërisë. Deklarata nuk lë pa evidentuar faktin që në Shqipëri ka ndodhur një pjesëmarrje e pjesshme e opozitës në jetën parlamentare dhe jo e plotë, siç kërkoi Komiteti Presidencial gjatë vizitës së tij. Nuk lë pa evidentuar faktin se Komisioni Hetimor Parlamentar i ngritur me nismën e opozitës, sot është i pezulluar për shkak se opozita refuzon pjesëmarrjen e saj. Nisur nga këto zhvillime më të fundit deklarata u bën thirrje palëve që të forcojnë dialogun politik dhe t’i kthehen në mënyrë permanente jetës parlamentare, jetës funksionale sepse vendi ka nevojë për reforma urgjente. Në radhë të parë dhe mbi të gjitha për reformën zgjedhore që pretendohet aq shumë nga opozita. Por është një thirrje që në fakt i intereson dhe opozitës, dhe opozita le ti përgjigjet asaj me sens pozitiv ashtu sikurse duhet ti përgjigjet rekomandimit që edhe Byroja e Asamblesë Parlamentare i jep së bashku me Komitetin Presidencial që erdhi në Shqipëri, pra që opozita të përdorë të gjithë instrumentet ligjorë që ka në dorë për ti kërkuar Gjykatës Kushtetuese dhe më vonë Komisionit të Venecias interpretim profesional mbi vendimin e saj, në kuadrin kushtetues për investigimin e zgjedhjeve. është një deklaratë që nuk lë mundësi për shmangie sikurse edhe deklarata e mëparshme e Komitetit Presidencial, përsëritet ftesa në radhë të parë për opozitën që në rast se ka një shqetësim në interpretimin e vendimit të kushtetueses ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe më pas Komisionit të Venecias”- u shpreh Rusmaili.
Kreu i delegacionit shqiptar në KiE, tha më tej se lidhur me lidhur me sugjerimin më të fundit të Asamblesë, ka qenë më herët kryetari i Partisë Demokratike dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha, që i ka pohuar opozitës një të drejtë të pamohueshme të saj.
“Të mos harrojmë që kryetari i Partisë Demokratike si dhe kryeministri i vendit këtë rekomandim serioz dhe miqësor që vinte nga ndërkombëtarët, e ka pranuar ditën që ky rekomandim u paraqit ndërkohë që lideri i opozitës zoti Rama në ditën që ky propozim u paraqit ka bërë refuzim të prerë të tij. Përsëritja e rekomandimit nga byroja do të thotë që shpresat nuk kanë humbur që zoti Rama më në fund ta pranojë këtë rekomandim”, tha Rusmaili.
Më tej, Rusmaili theksoi edhe njëherë se mazhoranca është e vendosur të shprehë gatishmërinë e saj dhe mirëpret vullnetin e opozitës për të marrë pjesë në jetën parlamentare pasi është në të mirë të vendit dhe vetë opozitës.