Konfirmon bashkëkryetari socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj
Arrihet konsensusi, Kodi i ri Zgjedhor miratohet nga Kuvendi të enjten
Pas debateve të shumta për sa i përket ankimimeve zgjedhore, u vendos në Kodin e Ri të ruhet niveli i dy shkallëve dhe modeli që ka ekzistuar deri më sot me dy instanca, KQZ dhe Kolegjin Zgjedhor, duke shmangur kësisoj përfshirjen e Gjykatës së Lartë në këtë proces. Ndërkohë gjendet formula edhe për pragun e përfaqësimit në Parlament, të partive dhe koalicioneve
Pas hyrjeve të njëpasnjëshme për shkak të mosmarrëveshjeve politike, komisioni i posaçëm për reformën zgjedhore miraton të enjten në datën 13 nëntor Kodin e ri Zgjedhor që përbëhet nga 170 nene. Ndërkohë, mësohet se dje, dy partitë e mëdha, Partia Demokratike dhe Partia Socialiste, kanë vendosur dje që sërish Kolegjit Zgjedhor të jetë gjykuesi përfundimtar i vendimeve të KQZ-së për ndarjen e mandateve. Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore u mblodh dhe mori vendimin që formula e ankimit dhe shqyrtimit të mos ndryshoj me praktikën aktuale. Kolegji Zgjedhore, që përbëhet em gjyqtarët e apelit, duket si i ka bindur partitë e mëdha për ti besuar sërish, ndërkohë që me këtë pikë kanë qenë dakord edhe partitë e tjera të vogla.
Këtë e konfirmoi dje bashkëkryetari socialist në këtë komision, Fatmir Xhafaj. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të posaçëm Zgjedhor, Fatmir Xhafaj deklaroi dhe se kjo formulë nuk do të ndryshojë.
Duke informuar mbi mbledhjen e djeshme të komisionit, zhvilluar me dyer të mbyllura Xhafaj informoi se për sa i përket çështjes së debatueshme të ankimimeve zgjedhore, u vendos ne Kod që të ruhet niveli i dy shkallëve dhe modeli që ka ekzistuar deri më sot me dy instanca. Pra në fillim subjekti politik apo kandidati që konteston rezultatin përfundimtar të procesit të votimit i drejtohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe me pas Kolegjit Zgjedhor.
“U diskutua për çështjen e ankimimeve zgjedhore, për të cilën u vendos që të ruhet niveli i dy shkallëve dhe modeli që ka ekzistuar deri më sot, pra gjykimi në Kolegj Zgjedhor”, tha Xhafaj, i cili shtoi se “në datën 13 Nëntor pritet edhe miratimi tërësor i Kodit Zgjedhor. Është lënë një mbledhje e fundit ditën e enjte, për të bërë edhe miratimin tërësor të Kodit Elektoral”, shtoi Xhafaj.
“Është lënë një mbledhje e fundit ditën e enjte, për të bërë edhe miratimin tërësor të Kodit Elektoral”, tha Xhafaj.
Ndërkohë, mësohet se në mbledhjen e ardhshme të Komisionit do të miratohen edhe sanksionet ligjore. Burime pranë tij bëjnë të ditur se sanksionet, në rast se nuk respektohet Kodi Zgjedhor, do të jetë tejet të rënda, që nga dënimet penale e deri te gjobat.
Sipas anëtarëve, komisionerët e qendrave të votimit apo të numërimit, në rast se kapen duke tentuar ë manipulojnë votat, do të penalizohen tepër rëndë.
Ndërkohë është vendosur në Kodin e ri se pragu ligjor për të hyrë në Kuvend, duhet të jetë 3 për qind në qark për çdo parti dhe 5 për qind për koalicionet. Në rast se një parti merr qoftë edhe më pak se 1 votë të mjaftueshme për të kapur 3-përqindëshin, atëherë të gjitha votat e saj shkojnë dëm, e njëjtë edhe për koalicionet.
Sipas Kodit, në rast se një parti merr 3 për qind të votave, ajo shënohet në tabelën e ndarjes së mandateve të cilët do të ndahen me formulën D’hond.
Komisioni nuk ka vendor ende se çdo të behet me kryetarët e partive, pasi fillimisht u propozua që ata të kandidojnë në më shumë se një listë apo qark.
Në datën 30 tetor, Kuvendi i Shqipërisë miratoi shtyrjen e afatit të punës së komisionit të posaçëm parlamentar për Kodin Zgjedhor, deri më 14 nëntor 2008.
Komisioni zgjedhor, i ngritur me një vendim të Kuvendit në muajin qershor, ka për detyrë hartimin e amendamenteve të nevojshme ligjore për ruajtjen e standardeve në zgjedhje, mbështetur në rekomandimet e paraqitura në raportin e vëzhguesve të OSBE/ODIHR.
...