E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfirmon interesimet

Fatos Beqiraj gjatë kësaj vere mund të bëjë një hap të madh në karrierë, duke u transferuar te ndonjë klub i madh evropian. Udinese dhe Valencia tashmë janë duke e kërkuar sulmuesin kosovar.

Shkrimet e mediave italiane se Udinese dhe Valencia janë në garë për t’i siguruar shërbimet e reprezentuesit të Malit të Zi, i ka konfirmuar edhe Pegja Joviçeviç, i cili është agjent i futbollistit të Buduçnostit.

“Është e vërtetë se Udinese dhe Valencia e dëshirojnë Fatosin. Ne jemi në bisedime me të dy klubet, por deri më tani nuk ka diçka konkretet rreth transferimit”, ka thënë Joviçeviç, për Express.

Menaxheri malazez ka thënë se përveç klubit nga Serie A dhe atij nga La Liga, interesim për ish-sulmuesin e Shqiponjës dhe Besës së Pejës, kanë shprehur edhe klube nga Portugalia.

“Ne në këto momente jemi në negociata dhe vetëm pas një muaji e gjysmë mund të dimë për të ardhmen e Beqirajt. Ka edhe klube të tjera, por ato nuk na interesojnë”, ka theksuar Pegja Joviçeviç.

Futbollisti i Buduçnostit, që ka realizuar 45 gola në tri sezonet e fundit, konsiderohet si njëri prej futbollistëve më me perspektivë të futbollit malazez në vitet e fundit. Sulmuesi i gjatë 188 centimetra vazhdimisht ka qenë objektiv i klubeve evropiane.

22-vjeçari u kishte rënë në sy skuadrave të mëdha edhe sezonin e kaluar, kur për të ishin interesuar Atletico Madrid dhe Benfica. Por, mungesa e sulmuesve në skuadrën e Buduçnostit i kishte shtyrë drejtuesit e klubit nga Podgorica që mos ta shesin kosovarin.

Ndërsa mediat polake ditë më parë kanë raportuar se edhe kampioni i Polonisë, Lech Poznan, ka shprehur interesim që ta përforcojë sulmin me Beqirajn. Kartoni i pejanit vlerësohet një milion euro nga ueb faqja www.transfermarkt.de por zyrtarët e Buduçnostit kërkojnë trefishin, për ta lënë të lirë kosovarin.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›