E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konfiskohen 6500 litra naftë kontrabandë

Nga Express më 21 janar 2011 në ora 13:09

Njësitë Speciale Operative të Policisë së Kosovës në Mitrovicë kanë parandaluar kontrabandimin e një kamioni me 6500 litra derivate të naftës.

"Rreth orës 21:15min, pjesëtarët e Njësisë Speciale Operative të rajonit të Mitrovicës, kanë identifikuar një automjet transportues, kamion së bashku me rimorkio, me targa vendore, i cili po qarkullonte në rrugën rurale të fshatit Melenicë të Mitrovicës. Automjeti i dyshuar për kontrabandë me derivate, është lokalizuar nga njësitë speciale operative, pasi zyrtarët policor paraprakisht posedonin të dhëna të mjaftueshme nga task forca, për qarkullim të automjetit të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me derivate", njoftoi policia në Mitrovicë.

Në momentin e ndalimit të automjetit transportues, ngasësi 38-vjeçar, nuk ka rezistuar ndërsa ishte bashkëpunues në komunikim me zyrtarët policorë duke deklaruar sasinë e derivateve që po transportonte.

Në automjetin transportues (kamion me rimorkio), policia ka identifikuar sasi të derivateve të naftës të mbushura në 6 bidonë të plastikës të sasisë 1000 litërshe në secilën prej tyre ndërsa ngasësi nuk posedonte dokumentacionin e duhur për transport apo prejardhje të mallit.

Besohet se automjeti transportues, po qarkullonte nga veriu i Mitrovicës përmes rrugëve rurale, duke iu shmangur rrugës magjistrale, me qëllim të destinacionit final në Prishtinë.

Lidhur me këtë, hetuesit policorë kanë kërkuar asistencën e zyrtarëve të doganave të Kosovës, për të sekuestruar mallin e dyshuar të kontrabanduar.

Janë regjistruar gjithsej; rreth 6500 litra të derivateve të naftës, të sekuestruara si mall i kontrabanduar.

Policia ka regjistruar rastin si vepër penale “kontrabandë me mallra” ndërsa prokurori publik është informuar për të gjitha veprimet e ndërmarra të policisë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›