E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin bisedimet Iran-Perëndim

Nga Express më 21 janar 2011 në ora 13:00

Irani dhe fuqitë e mëdha e filluan rrethin e ri të bisedimeve bërthamore në Stamboll mbi programin bërthamor të Teheranit.

Takimi buzë Bosforit pritet të jetë më i suksesshëm seç kanë qenë përpjekjet e mëparshme.

Por, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner, tha se zyrtarët amerikanë shpresojnë të vendosin një “proces konstruktiv” për bisedime me Iranin.

“E dini, ka hapa të vegjël që bëhen. Ne nuk presim ndonjë kthesë të madhe, por duam të shohim të dalë një proces konstruktiv, i cili do ta çojë Iranin të angazhohet me bashkësinë ndërkombëtare në një proces të besueshëm, dhe të përfshihet në adresimin e shqetësimeve të bashkësisë ndërkombëtare rreth programit të vet bërthamor”, tha Toner.

Delegacioni iranian, i prirë nga kryenegociatori Saed Jalili, takohet me të ashtuquajturin grup 5 + 1, Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Britania, Franca dhe Gjermania. Grupi do të udhëhiqet nga krye-diplomatja e Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.

Mikpritësi, Turqia, nuk do të jetë pjesëmarrës i drejtpërdrejtë në bisedime.
Negociatat në Stamboll raportohet se janë përgatitur për ta ringjallur idenë e shkëmbimit të uraniumit të pasuruar për karburant bërthamor.

Në maj të vitit 2010, Brazili dhe Turqia ndërmjetësuan një marrëveshje me Iranin në Teheran, por ajo u hodh poshtë nga Perëndimi.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›