Konflikt në pikën e basteve, katër të plagosur
TIRANE – Katër persona u plagosën mbrëmë me armë zjarri në një pikë lotosh sportive në zonën e Kinostudios, pas përfundimit të ndeshjes mes Arsenalit dhe Milanit. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:00, në një pikë bastesh në zonën e Kinostudios në kryeqytet. Katër nga të plagosurit ndodheshin në një tavolinë, ndërsa dy të dyshuarit si autorë të ngjarjes ishin në një tavolinë tjetër në të njëjtin ambient, kur kanë shkëmbyer batutat e para që shërbyen si shkak i ngjarjes. Burimet nga vendi i ngjarjes kanë pohuar se të plagosurit janë shtetasit: Oltjon Shehu, 25 vjeç, Erald Bani, 24 vjeç, Ardit Buxheli, 18 vjeç dhe Eldi Skordinaj, 23 vjeç.
Policia tha se shtetasit e plagosur janë qëlluar me armë zjarri nga dy persona, të cilët mbrëmë në mesnatë ishin identifikuar nga forcat e rendit të Komisariatit Nr. 4. Pas të shtënave me armë që kanë ndodhur sapo protagonistët e ngjarjes dolën nga pika e basteve, policia dërgoi në spital katër të lënduarit, nga të cilët tre prej tyre kanë qenë jashtë rrezikut, ndërsa i katërti paraqitej në gjendje më të rëndë, por sipas mjekëve dhe policisë, jashtë rrezikut për jetën. Zyrtarë të lartë të Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe të Komisariatit Nr. 4 shkuan në vendin e ngjarjes, ndërsa grupi hetimor ka nisur mbledhjen e dëshmive e provave për zbardhjen e krimit. Sipas të dhënave të mbledhura deri mbrëmë pas mesnate nga policia, katër të plagosurit kanë pasur një debat me dy shtetas të tjerë. Konflikti ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes mes Arsenalit dhe Milanit, të cilën autorët e ngjarjes dhe të plagosurit e kishin ndjekur në pikën e basteve.
Pasi kanë dalë nga ky ambient, dy palët në konflikt kanë debatuar me fjalë, ndërsa më pas kanë ndodhur të shtënat. Si pasojë e përdorimit të armëve, në vendin e ngjarjes mbetën të plagosur fillimisht tre persona dhe më pas u qëllua me armë në distancë edhe i katërti prej të plagosurve. Sipas të dhënave që dispononte mbrëmë Policia, shkak i ngjarjes ka qenë një sherr i momentit, ndërsa autorët janë larguar menjëherë duke ecur me shpejtësi në rrugicat mes pallateve pranë vendit ku ndodhi konflikti. Postblloqe të shumta u ngritën mbrëmë nga forcat e Policisë në gjithë zonën, ndërsa nuk raportohej për ndonjë gjurmë të autorëve të ngjarjes.