Konflikt pronësie, djali tenton të vrasë babanë
Etleva Delia
Një konflikt pronësie në Babrru të Tiranës ka rrezikuar dje të shkaktojë një krim të rëndë në familje. Policia thotë se djali 25-vjeçar ka tentuar të vrasë babain e tij, pas një debati për ndarjen e dhomave të shtëpisë. Kanë qenë familjarët e tjerë që kanë hyrë në mes për t'i ndarë dhe kanë njoftuar policinë, pasi debati ka filluar me tone të forta, fjalë kërcënuese, madje në mes janë futur edhe armët. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, në një banesë private të familjes Topallaj, të ardhur nga Dibra dhe banues në lagjen Babrru. Policia e Komisariatit nr.5 ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, duke arritur të parandalojë vrasjen brenda familjes. Burime nga policia thanë se është arrestuar në flagrancë 25-vjeçari, Ernest Topalli, i cili në atë moment i kishte drejtuar automatikun babait të tij, Aqif Topalli, 53 vjeç. I riu, i cili ishte në prag martese, tashmë do të kalojë disa ditë në qelitë e paraburgimit, me akuzën e "kanosjes" dhe "mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve". Policia ka shoqëruar për të dhënë shpjegime në komisariat, kryefamiljarin Aqif Topallaj, i cili është kanosur me jetën nga i biri, si dhe disa familjarë të tjerë që kanë qenë të pranishëm në momentin e ngjarjes.
KONFLIKTI
Mbrëmjen e së mërkurës, Komisariati nr.5 është njoftuar për një konflikt në familje, në Babrru të Tiranës. Kanë qenë të afërm të familjes Topalli, ata që pasi kanë humbur çdo mundësi për të ulur gjakrat mes babait dhe të birit, kanë menduar se zgjidhja më e mirë do të ishte ndërhyrja e policisë. Dhe në fakt ka qenë ndërhyrja në kohë e policisë që ka shmangur një krim të mundshëm në familje, pasi djali është kapur në flagrancë, duke kanosur me automatik babain e tij. Sipas dëshmive të të afërmve, mësohet se konflikti mes 25-vjeçarit Ernest Topalli dhe babait të tij, Aqif Topalli, 53 vjeç, kishte nisur disa ditë më parë, kur djali kishte ndarë ditën e martesës. Duke qenë se do të martohej, i riu pretendonde të kishte pjesën e tij në shtëpi dhe nuk mjaftohej vetëm me një dhomë, por kërkonte diçka më shumë, madje edhe një pjesë trualli. Por siç duket ka hasur në kundërshtimin e të atit, duke qenë se ai nuk ishte i vetmi djalë i familjes dhe nuk mund të pretendonte aq shumë. Ky kundërshtim për pak sa nuk i ka kushtuar jetën kryefamiljarit Topalli. Djali i tij i madh, nuk ka menduar shumë gjatë, po menjëherë ka rrëmbyer armën, një automatik model 56 dhe fillimisht ka nisur ta kërcënojë me fjalë dhe më pas nuk ka nguruar t'ia drejtojë armën të atit. Me gjithë përpjekjet e familjarëve për t'i ndarë dhe për të ulur tensionin, ata nuk ia kanë arritur dot, edhe nga frika se mos 25-vjeçari mund të shkrepte armën nga momenti në moment. Kur kanë humbur çdo shpresë për të mbyllur konfliktin dhe kanë parë që konflikti ishte acaruar, ata kanë vendosur që të lajmërojnë policinë.