E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligji i ri, financat përgjim tatimorëve

 

BLEDAR HOTI

Doganierët dhe tatimorët do të jenë në “lupën” e vëzhgimit dhe përgjimit telefonik gjatë ushtrimit të detyrës së tyre. Ministria e Financave fiton të drejtën e përgjimet të doganierëve dhe tatimorëve. Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje draftin e qeverisë të 10 tetorit të 2008, për t’i dhënë të drejtën këtij dikasteri të përgjojë punonjësit e administratës tatimore. Drafti njëvjeçar i kontestuar nga opozita ka gjetur miratimin e deputetëve të maxhorancës, duke ndryshuar procedurën e përgjimit. Kështu kryekomisioneri, Ilir Rusmali, ka hedhur si propozim variantin në të cilin kërkohej që të realizohej përgjimi. “Pas shqyrtimit të kërkesës me shkrim të Drejtorit të SHISH, të Ministrit të Brendshëm, të Ministrit të Mbrojtjes, të Ministrit të Financave, si dhe çdo ministri që ka shërbimin informativ policor, të krijuara me ligj, realizohet nisja e procedurës së kërkuar”, deklaroi Rusmali në tropizmin e nenit 2 të draftit. Kjo ka qenë edhe zgjidhja kushtetuese që kanë gjetur deputetët e maxhorancës, në mënyrë për të mos u përplasur me ligjin themeltar të shtetit dhe mbi të gjitha për të shmangur debatet me opozitën. Maxhoranca ka përfituar edhe nga mungesa e socialistëve, për të realizuar miratimin e tij me 11 vota pro, duke përfshirë edhe deputetin e LSI-së, Nasip Naço. Deputeti i PD-së, Gent Strazimiri, ka deklaruar se “këtu nuk bëhet fjalë për abuzime sepse nuk ndryshon asgjë në garancitë që jep ligji për përgjimet. Do të vazhdojë t’i ketë prokurori përgjimet, t’i hetojë prokurori dhe do të jenë natyrisht ata ndihmës të prokurorit në hetimet e çështjes kundrejt abuzuesve”. Të gjithë deputetët kanë qenë të një mendjeje me Strazimirin, se nisma nuk bie ndesh me ligjin  themeltar të shtetit. Një vit më parë opozita e kishte kontestuar një nismë të tillë, për shkak se kjo anashkalonte Prokurorinë dhe SHISH. Ministria e Financave, si propozuese e draftit, e argumenton me faktin se kjo ndërmerret në kuadrin e luftës kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal. Duke pasur në konsideratë faktin se Ministria e Financave ka në dispozicion forca policore, të cilat veprojnë me atributet e oficerit të policisë gjyqësore, të përfshihet ligjërisht tek organet që mund të kërkojnë kryerjen e përgjimit, për veprimtarinë e organeve tatimore dhe doganore. Këtu është parashikuar që të realizohej hetimi me anën e departamentit operativ hetimor. “Miratimi i këtij ligji do të ashpërsojë dhe konkretizojë luftën ndaj evazionit tatimor dhe doganor, si dhe ndaj personave përfaqësues të shtetit, që punojnë në organet e mbledhjes së të ardhurave, që mund t’i sjellin dëme buxhetit të shtetit, me veprimtarinë e tyre, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, në kundërshtim me ligjin”, thuhet në relacionin e qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›