Parlamenti 2005-2009, “bum” merkato deputetësh
Shaban Sulçe
Parlamenti i kaluar do të mbahet mend gjatë për “lulëzimin” e merkatos së deputetëve. Lëvizjet e deputetëve sa nga një grup parlamentar në një tjetër u kthyen në një modë në Kuvend, madje pati edhe nga ata deputetë, të cilët, gjatë mandatit katërvjeçar, ndryshuan më shumë sesa një grup parlamentar dhe parti. Merkatoja e deputetëve nuk kurseu asnjë prej krahëve politikë, madje preku të gjitha partitë parlamentare. Gjatë legjislaturës së kaluar u shënuan të paktën 23 raste të largimit të deputetëve nga partitë e tyre, ndërkohë që deputetët Tom Doshi dhe Hamit Kosta u bënë protagonistë kryesorë në këtë drejtim, pasi i ndryshuan dy herë grupet parlamentare.
Largimet në PD
Largimi më i bujshëm në radhët e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike ishte ai i deputetit Spartak Ngjela, pas përplasjeve të ashpra me kryeministrin Berisha. Ky i fundit e përjashtoi Ngjelën nga Grupi dhe ish-deputeti i PD-së u regjistrua në Kuvend si deputet i pavarur, ndërsa në maj të këtij viti shpalli krijimin e Partisë Ligj dhe Drejtësi. Gilman Bakalli ishte deputeti i dytë i larguar nga PD-ja. Deputeti i Shkodrës shpalli vetëlargimin nga Grupi Parlamentar demokrat, duke deklaruar se ishte i pakënaqur për shkak të mungesës së demokracisë së brendshme në PD.
Largimet në PS
Largimi i parë nga Grupi Parlamentar i PS-së ishte ai i deputetit Tom Doshi, i cili iu bashkua Grupit Parlamentar demokristian, por përçarja e madhe në radhët e deputetëve të PS-së do të ndodhte gjatë zgjedhjes së Presidentit të Republikës në vitin 2007. Në atë kohë, gjashtë deputetët socialistë, Durim Lamaj, Durim Hushi, Taulant Balla, Hamit Kosta, Bukurosh Stafa dhe Paulin Sterkaj thyen vendimin e Grupit Parlamentar për të bojkotuar votimin në Kuvend, duke marrë pjesë në seancë. Kjo solli përjashtimin e tyre nga partia dhe nga Grupi Parlamentar. Rrjedhja e radhës brenda Grupit të PS-së do të ndodhte në vitin 2008, kohë në të cilën Partia Socialiste bashkëpunoi me Partinë Demokratike për të ndryshuar Kushtetutën. Dy deputetët socialistë, Luan Memushi dhe Petro Koçi, shpallën largimin nga Grupi Parlamentar në shenjë proteste ndaj ndryshimeve kushtetuese. Ata iu bashkuan Grupit Parlamentar të LSI-së, “E majta për integrim”, ndërkohë që Koçi do të shpallte më vonë krijimin e Partisë Socialiste të Vërtetë 1991.
PSD dhe PDS
Edhe partitë e vogla aleate të PS-së, Partia Social Demokrate dhe Partia Demokracia Sociale, nuk do t’i shpëtonin dot eksodit të deputetëve të tyre. Për PSD-në rebeli i parë do të ishte deputeti Albert Faruku, i cili u vetëshpall i pavarur, ndërkohë që deputetja Angjelina Kola shpalli në nëntor të vitit 2008 largimin nga Grupi Parlamentar socialdemokrat dhe bashkimin me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Kola argumentoi largimin si shenjë proteste ndaj votave “pro” që dha PSD-ja për miratimin e Kodit Zgjedhor, i cili u kontestua ashpër nga mjaft faktorë politikë. Përsa i përket Partisë Demokracia Sociale, ajo hyri në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2005 me dy deputetë, por Hamit Kosta shpalli në vitin 2006 largimin nga kjo parti, për të qenë pjesë e Partisë Socialiste. Kjo bëri që Paskal Milo të ishte deputeti i vetëm i PDS-së. Të njëjtin fat pati edhe kreu i PAD-së, Neritan Ceka, i cili ngeli i vetëm pas largimit të dy deputetëve të PAD-së, Pashk Ujka, i cili u bashkua me PDK-në dhe Pirro Lutaj, i cili u bashkua me Partinë Socialiste.
PR dhe PAA
Largimi i vetëm në radhët e Grupit Parlamentar republikan ishte paqësor. Shumë pak kohë pasi kishte marrë mandatin e deputetes, Lajla Pernaska deklaroi se do të ishte pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike. Por nuk ndodhi e njëjta gjë me deputetët e Partisë Agrare Ambientaliste. Pas debateve të ashpra në Kryesi, Nikollaq Neranxi u largua nga PAA-ja, për t’u bashkuar me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Partisë së Xhuvelit do t’i largohej edhe deputeti Ymer Tola, i cili u bashkua me Partinë Demokristiane.
PDR dhe PDK
Partia Demokrate Reformatore, e cila kishte Grupin e saj Parlamentar, pësoi një përçarje të madhe kur tre deputetë të saj, përkatësisht Nard Ndoka, Jak Ndokaj dhe Frrok Gjini, u larguan për t’u bërë pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokristiane në qershor të vitit 2006. Më parë, PDR-ja pësoi edhe largimin e deputetit Ferdinand Xhaferaj, i cili u ribashkua me Partinë Demokratike. Ndërkaq, PDK-ja arriti të krijojë një grup parlamentar, ku përveç tre deputetëve të sipërpërmendur, bënin pjesë Nikollë Lesi, Pashk Ujka, Tom Doshi dhe Ndue Shpani. Por edhe PDK-ja nuk do t’i shpëtonte dot fenomenit të largimeve, ku Shpani dhe Doshi do të deklaronin disa kohë më pas largimin nga kjo parti.
Merkatoja e Kuvendit 2005-2009
Spartak Ngjela PD i Pavarur PLD
Gilman Bakalli PD i Pavarur
Tom Doshi PS PDK PS
Petro Koçi PS PSV 91
Luan Memushi PS LSI
Taulant Dedja PS I Pavarur
Hamit Kosta PDS PS i Pavarur
Durim Lamaj PS I pavarur
Durim Hushi PS I Pavarur
Bukurosh Stafa PS I Pavarur
Paulin Sterkaj PS i Pavarur
Albert Faruku PSD I Pavarur
Angjelina Kola PSD LSI
Nikollaq Neranxi PAA LSI
Lejla Pernaska PR PD
Pirro Lutaj PAD PS
Pashk Ujka PAD PDK
Nard Ndoka PDR PDK
Jak Ndokaj PDR PDK
Frrok Gjini PDR PDK
Nikollë Lesi PDK LDK
Ferdinand Xhaferaj PDR PD
Ymer Tola PAA PDK
2 Tetor 2009