Ligji i ri, Koncensionet tani në dorë të Berishës
BLEDAR HOTI
Qeveria shkrin Agje-ncinë e Prokurimeve, duke e kthyer në Agjenci të Koncesioneve. Nisma më e fundit e Këshillit të Ministrave është shqyrtuar dhe miratuar nga komisioni parlamentar i Ligjeve, duke ia lënë këtë institucion të ri sërish në varësi të Kryeministrit Sali Berisha. Drafti i aktual parashikonte që ky institucion të ishte një person juridik, në varësi të Kryeministrit, por deputetët e maxhorancës këmbëngulën që të kthejnë në një ent publik. Ndërsa përplasja ndërmjet deputetëve të maxhorancës është kryer në lidhje me kompetencën që ka Agjencia e Koncesioneve për të gjobitur në rast se vërehen shkelje. Kryekomisioneri Ilir Rusmali u shpreh se nuk mund t’i vihet një gjobë një ministri për shkak se është konstatuar shkelje, pasi Agjencia nuk është një institucion më i lartë se ai i ministrit. Deputeti i PD-së, Eduart Halimi tha se: “Po të ecët mbi bazën e kësaj logjike, i bie që të gjobitësh Parlamentin për koncesionin e dhënë, kryeministri, ndoshta dhe presidentin që firmos”. Demokrati Dashnor Sulaj e cilësoi jo të drejtë, duke u shprehur: “E vërtetë është që ministri hedh firmën, por nuk është në dijeni për shkeljet, pasi shkresat serviren nga drejtoritë përkatëse”. Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd ALibeaj mbrojti tezën që ndëshkimi me gjobë, si masë administrative të përfshijë edhe titullarët më të lartë të institucionit ministror. “Nëse ecim me logjikën se është ministri ai që mbyll procedurën e tenderimit, atëherë kjo nënkupton se masa ndëshkimore do ta prekë edhe atë vetë, jo vetëm komisionet tenderuese”, tha Alibeaj. Por kryekomisioneri Rusmali e kontestoi, duke shtuar se “Nuk e ka ministri këtë përgjegjësi, nuk është ai personi kompetent i ngarkuar për këtë punë”. Anëtarët e komisionit pas këtyre qëndrimeve vendosën në përfundim që përgjegjësia të ngelet vetëm e atyre që hartojnë procedurat e tenderimit. Ndërsa një tjetër çështje e diskutueshme ishte dalja me një raport nga ana e këtij institucioni në mënyrë periodike. Aliebaj theksoi se nuk mund të raportojë apo të japë sugjerime institucioneve si Kryeministri, por vetëm mund të sugjerojë. Kjo ka bërë që kjo pikë të rrëzohet.