E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët në ditën e katërt të grevës, Shaska iu çon e-mail

 

VLORE - Studentët e Juridikut, të cilët u diplomuan këtë vit futen sot në ditën e katër të grevës së urisë. Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, tre vajza janë detyruar ta lënë në mes grevën e të dalin nga ambientet e universitetit “Ismail Qemali” të Vlorës. Ato kanë shfaqur dhimbje koke, stomaku, marrje mendsh, etj. Por menjëherë pas daljes së tyre, në grevën e urisë janë futur katër grevistë të tjerë, duke e çuar në 12 numrin e tyre. Ata deklaruan dje se nuk do të tërhiqen nga kjo grevë, derisa kërkesa e tyre të marrë rrugëzgjidhje në mënyrë institucionale. Ndonëse nuk ka shkuar për t’i vizituar, rektori i universitetit, Tanush Shaska mësohet si i ka kontaktuar studentët e tij nëpërmjet një e-maili, por edhe kontakteve telefonike. Shaska iu premtoi grevistëve zgjidhje të situatës duke iu kërkuar që të dalin nga greva. Por studentët kanë kërkuar që kjo zgjidhje t’iu vijë atyre e firmosur dhe e vulosur me shkrim. Jashtë dyerve të universitetit ishin të shumtë studentët e tjerë, të cilët qëndronin në mbështetje të grevistëve, duke deklaruar se nëse zgjidhja nuk do të jetë e afërt numri i grevistëve do të rritet. Pas studentëve të juridikut me grevë urie kërcënojnë të futen dhe ata që këtë vit u diplomuan për Gjuhë-Letërsi. Ata kërkojnë njohjen e diplomave nga ana e ministrisë, si dhe një përgjigje nga universiteti dhe ministria deri ditën e premte. Sipas tyre, ata janë futur në universitet me sistemin katërvjeçar, por më pas janë detyruar të diplomohen me atë trevjeçar.            q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›