Konfliktet në PBDNJ, Thoma Miço jep dorëheqjen nga posti në ministri
Përplasjet mes anëtarëve të kryesisë së PBDNJ-së kanë çuar në dorëheqjen e një drejtori të rëndësishëm në Ministrinë e Punës që e drejton kjo parti. Thoma Miço ka ikur nga drejtimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës pas përplasjeve me ministrin e ri të së njëjtës force politike, Anastas Duro, dhe kreun e kësaj partie, Vangjel Dule. Miço, i cili është njëkohësisht edhe nënkryetar i PBDNJ-së, tha: “Nuk mund të ushtroj misionin tim ligjor, pasi qëllimisht struktura politike nga ministria bëjnë përpjekje për të penguar iniciativat e mija”. Sipas Miços, kryetari po kërkon të eliminoje të gjithë kundërshtarët e tij politikë brenda partisë, duke mos respektuar as statutin e saj. Grupi anti-Dule, sipas Miços, do të kërkojë mbledhjen e një kongresi të jashtëzakonshëm ku do të parashtrohet një platformë që ka në themel kthimin e PBDNJ-së në një forcë me bazë etnike minoritetin grek, i cili sipas zotit Miço, ka mbi 100 mijë votues në Shqipëri. “Të vetëshpallet me vendimet statutore një parti me baza etnike. Votat që vijnë nga minoriteti minimalisht do të jenë 100 mijë. Ne do bëjmë një politikë që të mbështetet nga minoritarët grekë”, - ka shtuar Miço.