E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy Berishë janë tepër

Edmond Arizaj 

Duket se i ashtuquajturi tranzicion politik në Shqipëri s’ka ndërmend t’i vijë fundi. Ç’ka sot na përafron sadopak me vendet e lira, është mundësia që ka çdo shqiptar për të dalë nga vija kufitare e vendit të tij, pavarësisht mënyrave. Me përjashtim të kësaj, duket se në vendin tonë nuk ka ndonjë “të dhënë” tjetër se jemi duke u përshtatur me Perëndimin. Madje, mund të pranojmë se me periudhën e para ’90, kemi pak ndryshime. Edhe sot, partia është shteti. Kryetari i partisë është “Zoti”. Të tjerët janë plotësues të tekave të tij. Dhe për fat të keq, kjo nuk vërehet vetëm tek partia në pushtetin e madh, por edhe tek partia në pushtetin e vogël. Sali Berisha dhe Edi Rama, njëri në krye të ekzekutivit shqiptar, tjetri në krye të ekzekutivit të kryeqytetit, njëri kryetar i partisë në pushtet dhe tjetri kryetar i partisë në opozitë, po shfaqen me natyra krejt të ngjashme. Në fakt, Rama po shfaq natyrë të ngjashme diktatoriale me Berishën, pasi ky i fundit, nuk ka ç’të tregojë më shumë. Shqiptarët i besuan sërish kur u dha shkatërrim, shqiptarët i buzëqeshën kur ai u ngërdheshej, shqiptarët e falën kur ai u dhuroi gjak e plumba. E megjithatë, asgjë nuk e ndali Berishën të vendoste diktaturën sipas mënyrës së tij. Zotërimin e të gjitha institucioneve, kërcënimin ndaj mediave, përpjekje maksimale për të gjetur fajtorë tjetërkund për krimin e Gërdecit, buzëqeshje ironike për grevistët, e së fundi edhe shpalljen “armiq” të ish-bashkëpunëtorëve që bëjnë përpjekje për të dalë nga stani i tij. Vëreni me vëmendje karakteristikat e ngjashme që ka Rama me Berishën (i cili për hir të së vërtetës nuk ka asnjë shpresë për ndryshim).
Kryetari i Partisë Socialiste është përpjekur me të gjitha mënyrat ta kthejë këtë forcë politike, dikur të njohur për demokracinë dhe tolerancën brenda saj, në një bisht të Bashkisë së Tiranës. Politikat shpeshherë të panjohura në këtë bashki, por të përfolura në rrethe të ngushta, po ndiqen me rigorozitet nga Rama edhe për partinë; mbyllje hermetike dhe zëri i të parit. Rama nuk duron në mënyrën absolute të kundërshtohet, pavarësisht se kërkon mendime nga çdokush. Fushata e tij në fshatra dhe qytete duket se ka marrë një minus të madh. Jo vetëm pse mediat transmetojnë çka dikton Rama, por sepse kush ka guxuar në këto takime të kundërshtojë (rasti i Shkodrës) ka përfunduar në duart e policisë së Berishës, thërritur nga njerëzit e Ramës. E nëse guxohet të bëhet ndonjë pyetje jashtë “politikës së re”, përgjigja e dhënë nga Rama ka nota të theksuara përbuzjeje dhe fyerjeje. Në një përngjasim me Berishën, karshi mediave Rama përdor të njëjtat mënyra. Nëse nuk i zotëron dot, i sulmon, sidomos gazetarët. Përgjërimi për lirinë e medias duket një falsitet i madh, kur janë të pakta mediat që guxojnë ta kritikojnë Ramën në opozitë. Po Ramën në pushtet a mund ta imagjinojë kush?! Kur të ketë të tijën edhe policinë, edhe të gjitha strukturat e tjera frikësuese dhe tatuese.
Partia Socialiste në opozitë duhej në të vërtetë të ishte opozita e Berishës. Por ç’ndodhi? As më shumë e as më pak se bashkëpunimi mes të dyjave. Me forcë apo me miklime për deputetët, kjo mbetet për t’u sqaruar. Por ndryshimi i Kushtetutës dhe përpjekjet për Kodin Zgjedhor, nuk do të kenë lënë shije të mira te shumica e deputetëve socialistë. Megjithatë, ky realitet i hidhur, i formësuar brenda pak ditëve, tregon etjen e pakufishme për pushtet absolut të Ramës. E njëjta etje dhe uri që mbajti në këmbë Berishën për tetë vjet.
Rama nuk e do drejtësinë. Nuk është e rastit që në tre vjet kryetar i PS, ai s’ka pranuar anjë gabim në drejtim të opozitës. Në tetë vjet kryebashkiak i Tiranës, po ashtu. Vendimet arbitrare të tijat apo strukturave të varura prej tij, u jep një mbështetje të fortë, duke diskriminuar dhe diskretituar deri ku s’mban më ankimuesit. Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak, Rama urdhëroi grupin e tij të këshillit të largohej nga mbledhja pikërisht kur do të diskutohej për zbatimin e disa vendimeve gjyqësore në ngarkim të bashkisë për dëmtimet e paligjshme kundrejt disa qytetarëve. Pas kësaj, kërkesa për reformë në drejtësi duket një demagogji e pastër, jo më pak se ato të Berishës.
Ngado që ta kthesh, mentaliteti i Ramës me “politikën e re” nuk është larg mentalitetit të Berishës me “politikën e vjetër”. Ndërkohë që shqiptarëve u duhet një mentalitet tërësisht i ndryshëm. Ku drejtuesit e lartë, të kuptojnë se janë nëpunës të shtetit dhe jo kamzhikët e tij. Drejtuesit e lartë duhet të binden se votat dhe besimi u është dhënë për t’u kthyer në të mira materiale, dhe jo në grabitjen e tyre. Eshtë e kotë që ky “moral” t’i bëhet Berishës, por ka edhe pak kohë, që të kuptohet se në Shqipëri ka edhe një tjetër Berishë, madje më të ri në moshë. Dhe shqiptarët janë të lodhur për ta përballuar. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›