E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plotësimi i detyrës-shkelje flagrante e detyrës

Apollon Baçe 

Një artikull për një temë  të caktuar është një artikull për një temë të caktuar, dy artikuj për të njëjtën temë janë një çift artikujsh për të njëjtën temë. Por kur katër artikuj për të njëjtën temë vijojnë me kadencë pesëditore njëri pas tjetrit, të lidhur gjenetikisht me njëri-tjetrin, ata nuk janë më thjesht artikuj, por shkrime të orkestruara për arritjen e një synimi të caktuar. Kur në fund të kësaj serie kryetari i opozitës flet në sintoni të plotë me këtë seri, bëhet e qartë kush e dirigjon orkestrimin.
Katër shkrimet në katër gazeta të ndryshme, nga katër autorë të ndryshëm, në shikim të parë kanë në epiqendër Kryetaren e Kuvendit. Si të tillë, ata, inkluziv intervistën e kryetarit të opozitës, janë suplementarë dhe komplementarë, shtojca dhe plotësues të njëri-tjetrit. Më i ploti dhe më programatiku ndër ta është artikulli i z. Minxhozi, sipas të cilit “nuk është e rastit që kryetarja aktuale është e vetmja drejtuese e Parlamentit që nga viti 1990, që bëhet gati të presë mocionin e tretë për shkarkim”. Si shtojcë shkrimi sjell edhe inventarin e “kundërshtarëve të hapur brenda krahut të saj politik”. Si i tillë ai paraqitet mjaft më i avancuar dhe mjaft më i azhurnuar me programin e opinion maker-ve opozitarë se sa kryetari i opozitës, sipas të cilit “ne nuk përjashtojmë si hap të mundshëm edhe një mocion për shkarkimin e saj”.
Çelësi i kuptimit të këtij seriali është fraza çuditërisht e sinqertë e promotorit të dy mocioneve të përparmë për shkarkimin e kryetares së Kuvendit, e cila, duke risjellë shprehjen e njërës nga gazetat e atyre ditëve, kishte “lejuar në mënyrë skandaloze votimin elektronik ndaj votimit me kuti”. Fill pas dy mocioneve, në intervistën në emisionin “Zonë e Lirë”, z. Blendi Klosi tha:  “Detyra e opozitës është të sulmojë pikat e dobëta të pozitës”. Çka merr kuptimin se detyra e opozitës nuk është korrektimi i të metave të pozitës në qeverisjen e vendit, për të mirën e vendit, por gjetja dhe goditja e pikave të dobëta të opozitës. “Politika është vazhdimi me mjete paqësore i revoltave të armatosura”, thotë aksioma e rakapjekthur.
ª% “Forca e zinxhirit është forca e hallkës më të dobët”. Po u këput njëra hallkë, zinxhiri pushon së qeni zinxhir. Si e tillë thënia e z. Klosi merr kuptimin “opozita është në kërkim të hallkës së dobët të zinxhirit”. Seria e mocioneve kundër Kryetares së Kuvendit tregon se opozita mendon se e ka gjetur këtë hallkë. Por a është vërtet Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, hallka më e dobët e zinxhirit?
Gjermanisht “jain” do të thotë po dhe jo njëkohësisht. Parë me logjikën e “jein-it” në drejtim të integritetit patriotik, moral dhe intelektual, Jozefina Topalli nuk është absolutisht hallka më e dobët, por një ndër fare pak më të fortat. Në drejtim të anës procedurale, posti i Kryetares së Kuvendit është një nga hallkat e dobëta. Nëse presidenti shqyrtohet vetëm për shkelje të rënda kushtetuese dhe mocionit kundër qeverisë i kundërvihen tërë strukturat parlamentare (edhe e opozitarëve që nuk dëshirojnë humbjen e mandatit), posti i kryetarit të Kuvendit sulmohet lehtë. Edhe me një shkak banal, me një shkak pa shkak, si “shkelja skandaloze” e votimit elektronik. “Kush ishte arsyeja e mocionit”? pata pyetur asokohe dikë nga opozita. “Tatimi i pulsit të pozitës”, ishte përgjigja konfidenciale.
Ndërkohë parlamenti nuk është ngrehinë eksperimentale për tatim pulsi. Nuk është parlamenti ai që sjell gabime në drejtim, nëse ka të tillë, por ekzekutivi. Lufta për pushtet është pjesë e lojës politike dhe është krejt normale që opozita, si kudo, të kapet me ekzekutivin. Por edhe këtu Shqipëria shquan për zgjidhje vetjake, të panjohura kund, të cilat rrezikojnë komprometimin e Kuvendit si njëri nga institucionet e paktë shqiptarë të vlerësuar nga perëndimi. Kjo është njëra anë. Ana tjetër është motivi dhe mënyra e parashtrimit të motivit.
ª% “Duke e konsideruar si shkelje të rëndë kërkesën e Topallit për hetim ndaj pesë emrave të dekretuar nga kreu i shtetit për anëtarë të gjykatës së lartë, i bëj thirrje Kryeministrit Berisha të distancohet nga veprimi i Topallit dhe të kërkojë nisjen e menjëhershme të procedurave parlamentare për votim”, thotë lideri i opozitës Rama, i cili ndoshta nuk e di se “de jure” Kryetari Kuvendit është nr. 2 i shtetit dhe Kryetari i Këshillit të Ministrave nr. 3 i shtetit.
Sipas paragrafit 3 të nenit 136 të Kushtetutës: “Kryetari dhe anëtarët e Gjykatës së Lartë qëndrojnë në detyrë për 9 vjet pa të drejtë riemërimi”. Qëndrojnë, jo hynë e dalin, dhe pas një emërimi nuk kanë më të drejtë riemërimi. Kontrolli i respektimit të ligjit i takon prodhuesit të ligjit, Kuvendit. Person juridik përgjegjës për zbatimin e Kushtetutës është ai dhe jo kush tjetër.
Por kryesori i nenit 136 është paragrafi i tij i parë: “Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”. Pëlqim nuk do të thotë aspak pëlqim i emrit a pamjes së hijshme. Si i tillë ky paragraf jo e lejon, por qartësisht e detyron Kryetaren e Kuvendit dhe komisionin përkatës që të njihet mirë me CV-të e secilit, të mbledhë të dhëna për secilin dhe të jetë filtër i secilit. Ç’do të ndodhte nëse Kuvendi do miratonte symbyllas ndonjë të “kapur” nga qarqet mafioze, ose pa formim profesional, ose ingranazh superaktiv të makinës mishgrirëse të “organeve të diktaturës”, ose ç’është edhe më keq, agjent shërbimesh të huaja inteligjente? A do mund ta vendoste Gjykata e Lartë drejtësinë përfundimtare ndaj krimeve të diktaturës, mafies ose shërbimeve të huaja inteligjente? Nëse edhe në këtë gjykatë do penetronin figura të tilla, ndërkohë që në Kushtetuesen vazhdon të “vendosë drejtësinë” varësi i poetëve, do mbetej vetëm të ftohej Aranit Çela dhe puna do të quhej e zgjidhur.
Dhe të ngresh mocion mosbesimi për mos përmbushje detyre ndaj atij që kërkon ta kryejë me ndërgjegje të plotë detyrën, është një paradoks. Ta quash plotësimin e detyruar të detyrave funksionale “kapërcim të kushtetutës dhe ligjit” dhe “akt të pashembullt deformimi të funksionit”, siç bën z. Rama, dhe “histori aspak të hijshme” dhe “dëshirë për të hyrë me çdo kusht në konflikt me Presidentin”, siç ngacmon urtë z. Minxhozi, do ta shihja si mungesë të skajshme etike morale. 
ª% Përmbajtja është njëra anë. Forma ana tjetër dhe kjo formë është vërtet e papritshme. Që një person i ekuilibruar si z. Minxhozi të dalë nga vetja dhe të shkruajë me gjuhë macho-je për një grua, diçka ka ndodhur. Pa i risjellë termat e përdorur, për konceptin tim të papranueshme për median serioze, do ndalja në dy prej më të fisëmve. Së pari, në termin “pa elegancë”. Vërtet në atë tempull harmonie qiellore ku spider man-ët vrapojnë tavolinave, ku ngritësit e peshave ngrenë vazo 40 kilogramësh që t’i bien kokës “vëllezërve pozitarë”, ku kryetari i opozitës marshon dhe këndon luftarakisht me megafon këngët e çerdheve, ku pyetjes “pse mo?” i përgjigjet përemri “u”, ajo që binka në sy është pikërisht mungesa e elegancës së Kryetares së Kuvendit. Së cilës i mungon sharmi fisnik i kryetarit të parë Islami,  dhembshuria e përdëllyer humane e kryetarit të tretë Gjinushi, frazeologjia brilanto-aristokratike e kryetarit të pestë Dokle.
Do ndalja edhe në frazën “ekstremizëm gjenetik”, e cila kaq e koncentruar sa është nuk mund të jetë rastësi, por produkt qarqesh të caktuar. Ç’do të thotë “ekstremizëm gjenetik”? Ekstremizëm i trashëguar klasor, urrejtje klasore ndaj pinjolles së një familjeje, emri i së cilës gjendet në dokumentet mesjetarë të Venedikut dhe me xhaxhallarë të dënuar me vdekje nga komunizmi, që ndonëse nxënëse brilante komunizmi i privoj shkollën dhe jetën qytetare? “U bone ne ti” risjell polici i “Portokalli”-së një mendësi të caktuar. “U bone ne ti” reaksionarja, që po të ishim ne, do vazhdoje të ishe arave dhe jo në Parlament.
ª% Të katër artikujt lidhen me njëri-tjetrin si Stinët e Vivaldit. Dulcis in fundis, në rolin e qershisë mbi kremin e tortës qëndron artikull i z. Z.Mata, i cili, duke huazuar shprehjen e z. Minxhozi, lidhet gjenetikisht me artikullin e mikut dhe kolegut z. Minxhozi. Esenca e tij përmblidhet në silogjizmin “Kryetarja e Kuvendit nuk duhet të bëjë asgjë, Kryetarja e Kuvendit ka bërë gjë, Kryetarja e Kuvendit ka bërë shumë gabim që e ka bërë këtë gjë”. Kjo, pasi detyra e saj është ajo e shtojcës së mikrofonit, “spikeres” sipas opozitës dhe 4 artikujshkruesve.
Me një fjalë ajo nuk kishte pse të plazmonte diplomacinë parlamentare, nuk kish pse të krijonte lobingje për problemin kosovar nga bota arabe në Kinë dhe lobingje për firmosjen në kohë rekord nga 23 vende të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Dhe, ç’është më e keqja, nuk kish pse të krijonte tek diplomatët e huaj imazhin e gruas së “pushtetshme, të hijshme dhe bindëse”. “Gruaja asht shirq për t’bart”, thotë pjesa macho e kanunit.
“Idhnake” dhe “mendjemadhe” thonë katër shkrimet e mësipërme. E pra, “idhnakja mendjemadhe” i nxori jashtë mureve të Parlamentit iniciativat për luftën kundër dhunës në familje, për mbrojtjen e të miturve - rrufepritësve të streseve të të rriturve, për parandalimin e sëmundjeve të grave, për rritjen e rolit të gruas në jetë. Nuk i la si NGO letrave (sa shumë letra ne shqiptarët) por i implementoj. Ngrohët dhe me atë ndjenjë që rilindja e njeh me emrin “pieta” dhe që një Zot e di si përkthehet shqip. Por me siguri me idhtësi dhe mendjemadhësi kurrsesi jo.
“Nuk drejtohen këto vende me entuziazëm, por me melankoli”, pati thënë dikur Vaclav Havel. Unë e mendoj Jozefina Topallin të tillë. Gjasisht jo vetëm unë. Ndryshe si qëndron ajo në krye të listave të sondazheve të opinionit?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›